拥护---[ yōnghù]---Përkrahje
Në prag të 100-vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Kinës, në uebsajtin e gazetës amerikane "The Christian Science Monitor" u publikua një analizë lidhur me arsyet pse kjo parti me 90 milionë anëtarë që ndodhet në pushtet për një kohë të gjatë, ka fituar përkrahjen e vazhdueshme të popullit.
Në artikullin "Vilified abroad, popular at home: China's Communist Party at 100", trajtohet një pyetje që "shqetëson" disa media perëndimore që raportojnë Kinën me paragjykime, pra, pse përqindja e kënaqësisë së popullit për qeverinë kineze i ka kaluar 90 % për disa vjetë në radhë?
Sipas artikullit, në fillim të vitit 2020, me përhapjen e koronavirusit të tipit të ri, Partia Komuniste e Kinës dukej se po përballonte sfida të papara, ndërsa ishin në rritje dhe ndjenjat antikineze në pjesën tjetër të botës. "Por, pavarësisht ndryshimit të qëndrimeve të vendeve perëndimore ndaj Kinës, veprimet e forta dhe të vendosura të qeverisë kineze forcuan mbështetjen e masave popullore ndaj Partisë Komuniste të Kinës", shkruhet në artikull.
Ekspozitë e luftës anti-epidemike në Wuhan(Foto nga VCG)
Një vit më vonë, në prag të kremtimit të 100-vjetorit të themelimit të kësaj partie, qeveria kineze ka arritur ta kthejë gjendjen. Vjet Kina ishte e vetmja ndër ekonomitë kryesore botërore që realizoi rritje. Frenimi efektiv i epidemisë në Kinë ishte në një kontrast të dukshëm me përballimin e dobët jashtë saj. Përveç kësaj, Partia Komuniste e Kinës ka vënë në jetë pandërprerë disa objektiva konkretë, si fushata masive e zbutjes së varfërisë etj., të cilat kanë ngritur vazhdimisht përkrahjen brenda vendit.
Prej shumë vjetësh Edward Cunningham, drejtori i projekteve rreth Kinës në Qendrën "Ash" të Shkollës "Kennedy" të Harvardit, kryen studime të pavarura për opinionin publik në Kinë. Rezultatet e një sondazhi të kohëve të fundit tregojnë se, në përgjithësi, në dy dekadat e kaluara, banorët kinezë janë më të kënaqur me qeverinë. Nga viti 2003 deri në vitin 2016, studiuesit e kësaj qendre kanë bërë intervista ballë për ballë me 31 mijë banorë në zonat urbane dhe rurale të Kinës. Për shembull, në vitin 2016, 93 % e të intervistuarve u shprehën të kënaqur për punën e qeverisë qendrore, dhe 32 % ishin "shumë të kënaqur". Në të njëjtin vit, 70% e pjesëmarrësve shprehën përkrahje ndaj autoriteteve vendore, shifër kjo më e lartë në krahasim me 44 % vitin 2003. "Kjo prirje ka vijuar deri më sot. Epidemia e COVID-19 është një shembull i mirë", thotë Cunningham.
Vizitorë në ekspozitën e luftës anti-epidemike në Wuhan(Foto nga VCG)
Në fillim të shpërthimit të virusit, masat popullore ishin të pakënaqura me përgjigjen e pushtetit vendor, por, me zbatimin e masave të rrepta të kontrollit nga qeveria qendrore dhe përmirësimin e situatës, përqindja e kënaqësisë ndaj qeverisë qendrore u rrit dhe ndikoi në fund edhe në opinionin publik për pushtetin vendor.
Ish-kryeministri australian Kevin Rudd u shpreh se Kina ka vepruar në mënyrë më të përgjegjshme në krahasim me ShBA-në dhe shumë vende të tjera perëndimore përballë epidemisë si në fushën politike e të shëndet publikit, ashtu edhe për sa i përket rigjallërimit ekonomik. "Kjo ka forcuar më tej përkrahjen e popullit ndaj udhëheqjes së vendit", tha Rudd-i.
Ndërsa, sipas Elizabeth Economy, studiuese pranë Institutit "Hoover" të Stanfordit, kënaqësia e popullit në Kinë nuk duhet të nënvlerësohet. "Pjesa dërrmuese e banorëve kinezë ndihen shumë krenarë për zhvillimin ekonomik dhe rolin më të madh që po luan vendi në arenën ndërkombëtare", tha dr. Economy.
Në dhjetorin e vitit 2020, Kina shpalli zhdukjen e varfërisë ekstreme në mbarë vendin, duke realizuar detyrën e nxjerrjes së 850 milionë banorëve nga kufiri i varfërisë. "Kjo ka treguar në mënyrë të dukshme se si Partia Komuniste e Kinës ka fituar autoritet", shkruhet në artikullin e gazetës amerikane.
Luftë kundër varfërisë(Foto nga VCG)
Sipas Matthew Chitwood, studiues në Institutin e Çështjeve Bashkëkohore Botërore, Partia Komuniste e Kinës ka një nivel shumë të lartë kënaqësie në zonat rurale me të ardhura të ulëta. Chitwood-i bëri një studim në terren që zgjati dy vjet në Bangdong, një fshat malor në provincën Yunnan të Kinës Jugperëndimore. "Fqinjët e mi po jetojnë tani më mirë se kurrë ndonjëherë. Jetesa e tyre është përmirësuar në mënyrë të dukshme në krahasim me pesë vjet më parë dhe ata i atribuojnë këtë drejtpërdrejtë Partisë", tha studiuesi.
Sipas artikullit, një tjetër veprim që ndihmon në fitimin e përkrahjes popullore është lufta kundër korrupsionit. Liderët kinezë janë shprehur se kjo ka të bëjë me ekzistencën e Partisë dhe të shtetit. Sondazhet tregojnë se, që nga viti 2012, veprimet kundër zyrtarëve të korruptuar kanë frenuar shumë dukuri të shpërdorimit të pushtetit prej funksionarëve. (Zhang Yan/Artan)