人民币---[rén mín bì]---RMB
Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar Botëror (SWIFT) disa ditë më parë, në janar të këtij viti, në renditjen e monedhave të pagesave globale bazuar në statistikat lidhur me shumën, pjesa e pagesave globale me monedhën kineze renminbi (RMB) është rritur ndjeshëm, duke u renditur në vendin e pestë në botë. Ekspertët besojnë se pagesa ndërkombëtare me renminbi ka pasur një "fillim të mirë" këtë vit, gjë që jo vetëm lëshon një sinjal të përparimit pozitiv në ndërkombëtarizimin e renminbi-së, por edhetregon se statusi i renminbi-së në sistemin monetar ndërkombëtar po përmirësohet vazhdimisht.
Të dhënat e fundit nga Shoqata për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar Botëror tregojnë se pjesa e pagesave globale me RMB është rritur nga 1.88 % në dhjetor të vitit të kaluar në 2.42 % në janar të këtij viti. Në janar, renminbi-ja u rendit e pesta në renditjen e shumave të pagesave ndër monedhat kryesore. Katër të parat janë dollari amerikan, euroja, paundi britanik dhe jeni japonez.
Wen Bin, kryestudiuesi i Bankës Minsheng të Kinës, analizon se rritja e konsiderueshme e kohëve të fundit për sa i përket përqindjes së pagesave ndërkombëtare me RMB, ka ardhur kryesisht prej përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së tregtisë së jashtme të Kinës vitin e kaluar dhe stabilitetit të përgjithshëm të monedhës RMB.
"Situata e tregtisë së jashtme të Kinës vazhdoi të përmirësohej vitin e kaluar. Gjithashtu, shkalla e tregtisë të mallrave dhe pjesa e Kinës në tregun global arritën rekord, çka shtoi edhe kërkesën ndërkombëtare për RMB. E dyta është që nga viti i kaluar, vlera e monedhës renminbi ka mbetur e qëndrueshme në tërësi. Kursi i këmbimit të renminbi-së kundrejt dollarit amerikan është rritur me 6.2% vitin e kaluar, gjë që edhe kjo ka forcuar besimin e investitorëve ndërkombëtarë për të zotëruar renminbi. "
Sipas raporteve, në korrik 2009 Kina nisi një program pilot të pagesave me RMB në tregtinë ndërkufitare. Pas kësaj, sfera e eksperimentimit u zgjerua gradualisht dhe niveli e përqindja e pagesave me RMB në tregtinë e jashtme të Kinës vazhdoi të rritet.
Wen Bin tha se rritja e përqindjes së pagesave ndërkombëtare me renminbi jo vetëm pasqyron përmirësimin e vazhdueshëm të nivelit të ndërkombëtarizimit të renminbi-së, por gjithashtu tregon se investitorët ndërkombëtarë janë optimistë për potencialin dhe perspektivat e zhvillimit të ekonomisë kineze qoftë në drejtim të tregtisë, ashtu edhe investimeve dhe rezervës valutore.
Në "Planin e 14-të Pesëvjeçar" propozohet që, në pesë vjetët e ardhshëm, Kina duhet të "promovojë në mënyrë të qëndrueshme ndërkombëtarizimin e RMB-së". Wen Bin tha se ndërkombëtarizimi i renminbi-së është një proces afatgjatë dhe nuk mund të realizohet brenda ditës. Por, nga ana e perspektivave të zhvillimit në të ardhmen, ndërkombëtarizimi i RMB-së ka ende një potencial dhe hapësirë të madhe.
"Ekonomia kineze ende ka një rritje të qëndrueshme e të shpejtë dhe një potencial e hapësirë të madhe zhvillimi. Në të njëjtën kohë, vlera e monedhës RMB gjithashtu ruan një stabilitet të përgjithshëm. Kjo njihet nga bashkësia ndërkombëtare dhe është e dobishme për ndërkombëtarizimin e RMB-së. Së dyti, ne tani po hapemi më tej, duke përfshirë hapjen e tregjeve financiare, duke lehtësuar më tej përdorimin e renminbi-së për sa i përket tregtisë, investimeve dhe rezervës valutore. Në të ardhmen, renminbi-ja do të kalojë nga një monedhë tregtimi në një monedhë investimi, dhe së fundmi në një monedhë të rezervës valutore, duke bërë që ndikimi i saj në arenën ndërkombëtare të shtohet gjithnjë e më shumë. Ndërsa rezerva e renminbi-së në tregjet e huaja rritet, më shumë produkte financiare që përdorin renminbi-në do të jenë krijohen në të ardhmen për të kënaqur nevojat e investimeve në renminbi. Kjo do të ndihmojë gjithashtu për të përmirësuar më tej ndërkombëtarizimin e RMB-së, " vuri në dukje Wen Bin, kryestudiuesi i Bankës Minsheng të Kinës.