报告---[bào gào]---raport
Zyrtarët e ShBA-së dhe Britanisë kanë hedhur dyshime mbi pavarësinë e raportit të ekspertëve të OBSh-së. Lidhur me këtë, zëdhënësja e MPJ-së kineze Hua Chunying u shpreh para mediave të enjten se “pavarësi” nuk do të thotë zbatim i urdhrave nga vendet perëndimore dhe fajësim i Kinës.
Një gazetar pyeti për mendimin e palës kineze lidhur me njoftimet se ministri i Jashtëm britanik Dominic Raab shprehu shqetësim nëse ekspertët e OBSh-së mund të gjenin bashkëpunim të plotë në Kinë dhe të merrnin përgjigjet e duhura, duke shpresuar që Kina do të bashkëpunonte në mënyrë të gjithanshme me grupin e ekspertëve. Këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit amerikan Jake Sullivan theksoi që raporti nga grupi i ekspertëve duhet medoemos të jetë i pavarur dhe Kina duhet të ofrojë të gjitha të dhënat origjinale për fazën fillestare të epidemisë.
Lidhur me këtë, Hua Chunying u shpreh që disa politikanë perëndimorë përmendin shpesh fjalën “pavarësi”, por “pavarësi” nuk do të thotë zbatim i urdhrave nga vendet perëndimore dhe fajësimi i Kinës. Vetëm duke respektuar shkencën dhe duke u mbështetur te faktet, mund të ketë një raport të pavarur dhe të nxirren përfundime shkencore.
Hua u shpreh që, këtë herë, vizita e grupit të ekspertëve të OBSh-së në Kinë ishte pjesë e bashkëpunimit global për gjurmimin e origjinës së virusit. Ekspertët e huaj dhe kinezë i kaluan vështirësitë e sjella nga pandemia, duke u ulur bashkë dhe duke pasur shkëmbime të thella dhe miqësore me qëndrim serioz shkencor të bazuar te faktet. Anëtarët e grupit të ekspertëve të OBSh-së janë shprehur shumë herë që pala kineze ka bashkëpunuar ngushtë lidhur me punën e tyre. Ata kanë shkuar në të gjitha vendet ku kanë dashur të shkojnë dhe janë takuar me të gjithë njerëzit që kanë kërkuar të takojnë. Ata kanë ndier sinqeritetin dhe besimin e homologëve kinezë dhe kanë shprehur mendimin që homologët e tyre kinezë janë të besueshëm. Ekspertët e OBSh-së kanë marrë të dhënat e fundit të rëndësishme dhe janë njohur me të dhënat për mënyrat e përhapjes së koronavirusit.
Hua Chunying-u vuri në dukje se në mediat ndërkombëtare ka gjithnjë e më shumë njoftime për fillimin e epidemisë në gjysmën e dytë të vitit 2019 në shumë vende të botës. Ajo citoi një studim të botuar në "Revistën europiane të epidemiologjisë", sipas të cilit në nëntor 2019, koronavirusi i ri kishte filluar përhapjen në Francë.
Ajo u shpreh gjithashtu që në korrik 2019, sipas njoftimeve të mediave amerikane, në veri të shtetit të Virxhinias kishte pasur raste sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes me shkaqe të panjohura dhe në Uiskonsin kishte filluar shpërthimi masiv i sëmundjeve të lidhura me "cigaret elektronike”. Në atë muaj, Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve e ShBA-së (CDC) i dërgoi një letër bazës biologjike në Fort-Detrikt, duke i kërkuar që të ndërpresë shumicën e punëve, ndërsa më pas kjo bazë shpalli mbylljen.
Në fund të korrikut 2019, në dy shtëpi të moshuarish afër kësaj zone u shfaqën sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes nga shkaqe të panjohura. Në gusht 2019, CDC deklaroi që për shkak të sigurisë kombëtare, nuk mund të publikohen detajet dhe shkaku i mbylljes së kësaj baze. Në shtator 2019, shteti i Merilendit, ku ndodhet kjo bazë, raportoi që numri i pacientëve me sëmundje të lidhura me cigaret elektronike ishte dyfishuar. Në mars 2020, drejtori i CDC-së pranoi hapur që disa vdekje nga gripi në vjeshtën e vitit 2019 mund të jenë shkaktuar nga COVID-19. Ka edhe disa njoftime që në dhjetor 2019, në disa mostra gjaku të qytetarëve amerikanë ekzistonin antitrupa të koronavirusit të ri.
“Këto janë njoftime nga mediat amerikane dhe nuk janë krijuar nga pala kineze. Ne vetëm i kemi mbajtur shënim. Jemi kuriozë të dimë nëse pala amerikane mund të ofrojë të gjitha të dhënat origjinale? Nëse pala amerikane mund të zhvillojë bashkëpunim të plotë me OBSh-në? Nëse pala amerikane mund të ftojë ekspertët e OBSh-së të shkojnë në ShBA për gjurmimin dhe për përfundime të pavarura?” tha zëdhënësja e diplomacisë kineze Hua Chunying.
(Jiang Lei)