消费---[xiāo fèi]---konsum
Njerëzit në Kinë e kanë ndier ngrohtësinë e Festës së Pranverës, edhe pse ndoqën thirrjen nga qeveria për “mosudhëtim për festën”. Blerjet në internet, festimi në internet, shërbimi derë me derë dhe argëtimi brenda qytetit kanë nxitur gjallërinë e konsumit.
Thirrja që njerëzit ta kremtojnë festën aty ku ndodhen ka krijuar një treg të nxehtë të filmit. Sipas të dhënave të 17 shkurtit nga Administrata Shtetërore e Filmit, vlera e biletave të kinemave të shitura gjatë festës ka arritur mbi 7.5 miliardë juanë, duke shënuar rekord historik. Në një muaj e gjysmë që nga fillimi i këtij viti, vlera e biletave të shitura i ka kaluar 10 miliardë juanët, që është afro gjysma e vlerës së përgjithshme gjatë vitit 2020.
Shitja e biletave të kinemave ka treguar gjallërinë e madhe të tregut të konsumit të Kinës gjatë Festës së Pranverës. Gjatë festës, konsumi i mallrave ka pasur rritje shumë të ndjeshme dhe llojet e reja të konsumit kanë tërhequr mjaft vëmendje.
Të dhënat tregojnë që gjatë Festës së Pranverës 2021, ndërmarrjet kryesore të shitjes me pakicë dhe të ofrimit të ushqimit kanë shënuar 821 miliardë juanë shitje, ndërsa gjatë gjashtë ditëve të para të festës, vlera e shitjes me pakicë në mbarë vendin ishte mbi 120 miliardë juanë. Krahas kësaj, janë dërguar 480 milionë pako postare, që është 3-fish më shumë se një vit më parë.
Mallrat tradicionale, si kutitë e dhuratave, pajisjet elektro-shtëpiake, orenditë shtëpiake dhe artikujt sportivë, kanë pasur shitje të madhe. Shitja e bizhuterive, veshjeve e këpucëve dhe kozmetikës është rritur me mbi 100 %. Edhe shitjet e produkteve të stinës, si lulet e bimët, kanë pasur rritje të madhe.
Gjatë festës, niveli i shitjeve nga firmat e ofrimit të ushqimit ka qenë afro 1.3 herë më i madh dhe konsumi ushqimor në platformat e dërgimit të ushqimeve ka shënuar rritje me mbi 200 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme.
Thirrja e “mosudhëtimit për festë” ka sjellë rritje të dukshme të fluksit të njerëzve në parqe, zona turistike, muze dhe pistat e skive. Rezervimet e hoteleve resort dhe bujtinave në zonat rurale kanë pasur rritje të madhe.
Konsumi "i nxehtë" gjatë Festës së Pranverës ka treguar gjallërinë dhe potencialin e ekonomisë kineze. Drejtori i Institutit të Bashkëpunimit Ekonomik Ndërkombëtar pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës Gu Xueming është i mendimit që potenciali i konsumit është çliruar në mënyrë të vazhdueshme dhe ka krijuar një bazë të fortë për modelin e ri të zhvillimit me qarkullimin e brendshëm si pjesë kryesore dhe me nxitjen e ndërsjellë të qarkullimit të brendshëm dhe atij të jashtëm.
“Konsumi gjatë Festës së Pranverës ka pasur një gjendje të mirë në fillimin e vitit të ri. Kjo tregon që konsumi i brendshëm ka një potencial gjigant dhe ka një hapësirë të gjerë për shtimin e tij. Tregu i madh vendas dhe struktura e konsumit që po përmirësohet është potenciali, gjallëria dhe epërsia e zhvillimit ekonomik të Kinës", vuri në dukje Gu Xueming. (Jiang Lei)