无耻---[wú chǐ]---I paturpshëm
Shumë media amerikane, si “New York Times”, kanë cituar ekspertë të OBSh-së, duke thënë që, gjatë procesit të hetimeve nga grupi i ekspertëve të OBSh-së për gjurmimin e koronavirusit të ri, disa veprime nga Kina kanë penguar rëndë procesin e hetimeve.
Por ekspertët që janë përmendur në këta artikuj, kanë deklaruar se opinionet e tyre janë shtrembëruar dhe se veprimet e “New York Times”-it janë “të paturpshme”.
Këshilltari i OBSh-së dhe presidenti i organizatës jofitimprurëse amerikane “EcoHealth Alliance”, Peter Daszak, u shpreh në “Twitter”: “Kjo nuk është përvoja nga misioni im në OBSh. Si përgjegjësi i grupit të punës për kafshët dhe mjedisin, unë ndjeva sinqeritetin e homologëve kinezë dhe ata janë të besueshëm. Kemi marrë të dhëna të reja e të rëndësishme dhe kemi mësuar më shumë për mënyrat e përhapjes së virusit.”
Ekspertja e shëndetit publik pranë OBSh-së Thea K. Fischer u shpreh në “Twitter” se artikulli në “New York Times” ka shtrembëruar rëndë fjalët e saj: “Kjo nuk është përvoja që kam marrë në grupin e epidemiologjisë. Pala kineze ka krijuar lidhje të mira me grupin e punës epidemiologjike. Kemi bërë diskutime të ngrohta dhe kjo ka treguar nivelin e mjaftueshëm të pjesëmarrjes nga pala kineze. Fjalët tona janë shtrembëruar rëndë dhe kjo ka hedhur hije mbi punët shkencore.”
“Fjalët e kolegëve tanë janë nxjerrë nga konteksti dhe janë riorganizuar nga mediat për krijimin e njoftimeve të tyre. Kjo në të vërtetë na ka dëshpëruar. ‘New York Times’ nuk ka turp!” thotë Peter Daszak.
Zemërimi i Daszak-ut ka gjetur jehonë edhe tek ekspertë të tjerë. Këshilltari për shkencën dhe politikat i “EcoHealth Alliance” për Kinën dhe Azinë Juglindore Hume Field shkroi në "Twitter": "Bashkëpunimi është besim dhe respekt i ndërsjellë ... Si shkencëtarë që hulumtojnë sëmundjet infektive të reja, ne duhet të braktisim urgjentisht marrëzitë politike ... "
Më 9 shkurt, ekipi i ekspertëve të OBSh-së përfundoi udhëtimin për hetimin e gjurmueshmërisë së virusit në Kinë dhe mbajti një konferencë shtypi globale me ekspertë kinezë pasditen e asaj dite. Në konferencën për shtypin të dy palët ranë dakord se nuk ka prova që virusi u përhap në Wuhan para dhjetorit 2019 dhe që hipoteza se virusi doli nga laboratori kishte jashtëzakonisht shumë pak gjasa të ishte e vërtetë. Ekspertët e OBSh-së gjithashtu kanë pohuar vazhdimisht ndihmën e Kinës dhe qëndrimin e hapur dhe transparent ndaj tyre gjatë hetimit.
Natyrisht, një rezultat i tillë i hetimeve nuk ka lënë të kënaqur disa media dhe politikanë amerikanë. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së Ned Price u përpoq të njollosë ekspertët kinezë dhe të OBSh-së në një konferencë shtypi më 9 shkurt. Ai pretendoi se përpara se Shtetet e Bashkuara të marrin raportin e plotë të OBSh-së dhe të dhënat, origjina, transparenca dhe vërtetësia e rezultateve të hetimit janë "të pakonfirmuara" . Kur u pyet nëse mendonte se Organizata Botërore e Shëndetësisë duhej të hetonte në vende të tjera, apo thjesht të përqendrohej në Wuhan, Price madje kërcënoi: "Unë nuk mendoj se ndonjë njeri i arsyeshëm do të thoshte se koronavirusi e ka origjinën diku tjetër."
Ekspertja e OBSh-së Marion Koopmans, drejtore e virologjisë në Qendrën Mjekësore "Erasmus" në Roterdam të Holandës, komentoi në "Twitter" pasi ripostoi raportin në lidhje me komentet e Price: "Pra filloi. Nuk ka nevojë të pritet as për raportin, apo jo?"
Në përgjigje të shpifjeve të ShBA-së, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin deklaroi në një konferencë të rregullt shtypi më 10 shkurt se qeveria kineze u ka siguruar mbështetje dhe ndihmë të fortë ekspertëve të OBSh-së për të ardhur në Kinë për bashkëpunimin global në gjurmimin e origjinës së virusit. OBSh-ja dhe ekspertët ndërkombëtarë bënë komente pozitive për këtë. Kina do të vazhdojë t'i përmbahet një qëndrimi të hapur e transparent dhe të mbajë komunikim e bashkëpunim të ngushtë me OBSh-në për gjurmueshmërinë globale të virusit.
Wang Wenbin vuri në dukje se ka shumë të dhëna, raporte dhe studime që tregojnë se epidemia është shfaqur në shumë vende të botës që në gjysmën e dytë të vitit 2019. Midis tyre, ekziston një shqetësim që shfaqja e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara mund të jetë më herët se rasti i parë zyrtar i pneumonisë së koronavirusit të ri i raportuar aty. Ai shprehu shpresën që ShBA-ja gjithashtu do të mbajë një qëndrim të hapur e transparent si Kina dhe do të ftojë ekspertët e OBSh-së në ShBA për të kryer kërkime të gjurmueshmërisë.(Vera/Artan)