阴谋---[ yīn móu]---Komplot
"Shpifja është shpifje, e brishtë para fakteve shkencore", komentoi Grupi Mediatik i Kinës (CMG) për rezultatet e publikuara ditët e fundit për gjurmimin e origjinës së virusit jetëmarrës që ka gjunjëzuar botën.
Mësohet se në një konferencë shtypi të organizuar të martën në Wuhan, eksperti i grupit të përbashkët të studimeve OBSh-Kinë Peter Ben Embarek u shpreh se "ka jashtëzakonisht pak gjasa" që virusi të ketë dalë nga laboratori, prandaj ekspertët nuk do të vijojnë hetimet për këtë hipotezë në të ardhmen.
Konferencë shtypi, Wuhan
"Ky përfundim rivendosi reputacionin e Institutit të Virologjisë të Wuhan-it, duke zhgënjyer politikanë dhe medie perëndimore që përhapën komplotin e burimit të virusit", shkruhet në koment.
Ekipi i ekspertëve studioi një sasi të madhe të dhënash në lidhje me epideminë dhe vizitoi nëntë vende, duke përfshirë spitalin "Jinyintan" të Wuhan-it, tregun e prodhimeve të detit "Huanan" dhe Institutin e Virologjisë të Wuhan-it, pranë Akademisë së Shkencave të Kinës. Ekipi zhvilloi shkëmbime të gjera me punonjësit vendorë të mjekësisë, studiuesit e laboratorëve, shkencëtarët dhe menaxherët e tregut. Ata gjithashtu intervistuan punonjës socialë, punonjës të lagjeve, banorë, pacientë të shëruar dhe familje të punonjësve mjekësorë që humbën jetën gjatë epidemisë. Siç tha anëtari tjetër i grupit Peter Daszak në një intervistë për Bloomberg, ata ndenjën çdo ditë me specialistë kinezë, duke shfletuar informacion dhe të dhëna të reja shifrore. Ekspertët ndërkombëtarë listuan vendet që deshën të vizitonin. "Ne propozuam ku të shkonim, kë të takonim. Kemi vizituar të gjitha vendet e listuara, ata u treguan shumë të gatshëm dhe na drejtuan direkt", tha Dr. Daszak.
Peter Den Embarek
"Fjalët e ekspertëve vërtetuan se në gjurmimin e virusit, pala kineze ka qenë dhe është gjithmonë transparente dhe mbështet punët përkatëse të OBSh-së. Akuzat që thonë se Kina pengon hetimet, janë tërësisht të pabaza. Por në fakt, akuza të tilla nuk duhet të kishin ndodhur sepse gjurmimi i virusit është një çështje e thjesht shkencore që nuk ka të bëjë aspak me politikë dhe nuk duhet të jetë një 'lojë akuzash'. Qëllimi i hetimeve të kësaj here është gjetja e të vërtetave për të parandaluar epideminë e ardhshme", vihet në dukje në komentin e CMG-së.
Sipas hetimeve fillestare të grupit të përbashkët, virusi ka shumë të ngjarë të ketë kaluar nga një kafshë në një “bartës” ndërmjetës dhe më pas te njerëzit. Po ashtu, Embarek tha se ka gjasa të ketë pasur transmetim të drejtpërdrejtë nga kafshët te njeriu ose nëpërmjet zinxhirit frigoriferik. Siç tha Liang Wannian, eksperti kinez i ekipit të përbashkët, studimi i kësaj here i përket pjesës në Kinë të programit kërkimor global për gjurmimin e koronaviruseve që shkaktuan SARS dhe COVID-19. Ai bëri të ditur se raportet studimore të përfunduara deri tani do të shërbejnë zhvillimit të studimeve për gjurmimin e virusit në vende e rajone të tjera të botës.
"Të lejojmë shkencën dhe profesionistët të mbizotërojnë fushat e tyre. Ky duhet të jetë qëndrimi i njerëzimit në luftën anti-epidemike. Po dalin pandërprerë njoftime që vërtetojnë se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2019, rastet e infektimit të COVID-19 u zbuluan në vende të ndryshme. Shpresojmë që palët e ndryshme do të mund të zhvillojnë bashkëpunim aktiv si Kina, duke ftuar ekspertë të OBSh-së të zhvillojnë gjurmimin e koronavirusit të tipit të ri, për të kontribuuar në pakësimin e rreziqeve të prekjes nga epidemitë", përfundon komenti i CMG-së. (Zhang Yan/Albana)