峰会---[fēng huì]---Samit
"Sfidat e papara kërkojnë solidaritetin dhe bashkëpunimin e vendeve të ndryshme për t'i përballuar". Kështu tha kryetari i shtetit i Kinës Xin Jinping në fjalimin e mbajtur të martën në takimin virtual me liderë të vendeve të Europës Qendrore e Lindore, ku paraqiti katër propozime dhe një sërë masash të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve të Kinës me EQL-në në të ardhmen.
"Vëllimi i tregtisë midis Kinës dhe vendeve të EQL-së u rrit gati 85%"; "Itineraret e rregullta hekurudhore Kinë-Europë kanë mbuluar shumicën e vendeve të EQL-së, me mbi 30 mijë udhëtime trenash mallrash"... Xi listoi arritjet pas krijimit të mekanizmit të bashkëpunimit, duke theksuar se këto rezultate tregojnë se vlera e "17+1" është më e madhe se "18". Në vijim, ai përmendi katër përvoja, që përkatësisht janë: "bashkëpunimi i bazuar në konsultime", "bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta", "zhvillimi i përbashkët me hapje e gjithëpërfshirje" dhe "rritja e pandërprerë nëpërmjet novacionit". Në një koment të tij, Grupi Mediatik i Kinës (CMG) thotë se këto përvoja janë "vazhdimësi e parimeve të Kinës për multilateralizëm dhe bashkëpunim me leverdi të ndërsjellë që kanë drejtuar zhvillimin e marrëdhënieve të Kinës me vendet e tjera".
"Përballimi i sfidave të epidemisë, fokusimi te ndërlidhshmëria, zgjerimi i bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella konkrete dhe përqendrimi te zhvillimi i gjelbër, këto propozime nga Xi Jinping-u kanë qartësuar edhe qëndrimet e Kinës për përparësitë dhe drejtimin e zhvillimit të marrëdhënieve me vendet e Europës Qendrore e Lindore, me përgjegjësinë e nxitjes së zhvillimit global," vihet në dukje në koment.
Përballimi i pandemisë është detyra më urgjente e botës. Në samit pala kineze shprehu gatshmëri për forcimin e shkëmbimeve mbi kontrollin dhe parandalimin e epidemisë me vendet e EQL-së, duke marrë parasysh aktivisht kërkesat e këtyre vendeve për bashkëpunim në fushën e vaksinave. Lidhur me ndihmën e Kinës ndaj Çekisë gjatë luftës antiepidemike, në një intervistë për agjencinë "Xinhua" presidenti çek Miloš Zeman shprehu falënderime, duke theksuar se "faktet tregojnë se Kina është mikja jonë e vërtetë".
Në një shitje nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë në internet të zhvilluar të hënën, gati 20 milionë përdorues kinezë të internetit blenë mbi 5.7 milionë dollarë amerikanë produkte të vendeve të EQL-së vetëm brenda tre orësh. Ndërkohë, siç tha presidenti kinez në samit, "në pesë vjetët e ardhshëm, pala kineze planifikon të importojë mallra me vlerë mbi 170 miliardë dollarë nga vendet e Evropës Qendrore e Lindore, duke u përpjekur të realizojë dyfishimin e importit të mallrave bujqësore nga këto vende dhe të rritë me 50% vëllimin e tregtisë bujqësore ndërmjet të dy palëve".
"Mund të parashikojmë se një sërë masash të hapjes që shpalli Kina në samit, do të pasurojnë jo vetëm zgjedhjet e konsumit të banorëve kinezë, por edhe do të krijojnë mundësi të mëdha për produktet e veçanta të vendeve përkatëse të hyjnë në tregun gjigant kinez," shkruhet në koment.
Siç mësohet, në kuadrin e samitit janë nënshkruar 35 dokumente të bashkëpunimit ndërqeveritar dhe 53 marrëveshje biznesi dhe është publikuar plani për organizimin e veprimtarisë së bashkëpunimit Kinë-EQL në Pekin sivjet. "Këto rezultate e kanë çuar mekanizmin '17+1' në një pikënisje të re në pranverën e vitit 2021", përfundon komenti i CMG-së.(Zhang Yan/Artan)