未来---[ wèi lái]---E ardhme
Ditët e fundit, një raport anonim i publikuar nga Këshilli Atlantik, që nxit kundërvënien strategjike Kinë-ShBA, ka tërhequr vëmendje të gjerë. Lidhur me këtë, Grupi Mediatik i Kinës botoi një koment, ku kërkohet ngritja e vigjilencës kundrejt veprimeve të forcave antikineze, në mënyrë që të mos keqorientohet e ardhmja e marrëdhënieve Kinë-ShBA pas marrjes së detyrës nga administrata e re amerikane.
Në koment thuhet se ditët e fundit, autoritetet kineze dhe ato amerikane kanë shprehur gatishmëri për vijimin e bashkëpunimit, duke forcuar shpresat e botës për kthimin e marrëdhënieve dypalëshe në rrugën e duhur. "Mirëpo, disa 'fosile të gjalla' të Luftës së Ftohtë, që nuk duan të shohin kontakte midis Kinës dhe ShBA-së, janë aktivizuar për të helmuar këto marrëdhënie", shkruhet në koment.
Ky raport që propagandon "strategjinë e re ndaj Kinës" nuk përmban gjëra të reja, por thjesht një përmbledhje të klisheve të kaluara antikineze. Në të zmadhohet në mënyrë flagrante "kërcënimi nga Kina" dhe ritheksohet synimi i mbrojtjes së rolit mbizotërues të ShBA-së me anën e frenimit të zhvillimit të Kinës.
Një gjë që vërehet, është se në raport përmendet enkas "Telegrami i gjatë" i dërguar para 75 vjetësh, që hodhi bazat orientuese të politikës amerikane ndaj ish-Bashkimit Sovjetik. "Ky është një ngacmim i dukshëm i nervave të shoqërisë amerikane dhe një veprim për të gjallëruar mendësinë e Luftës së Ftohtë. Jo vetëm kaq, por raporti u publikua pas marrjes së detyrës së qeverisë së re, gjë që tregon qartazi objektivin e mbajtjes peng të politikës së ardhshme të ShBA-së ndaj Kinës", vihet në dukje në komentin e CMG-së.
Kjo është arsyeja pse disa analistë janë të mendimit se forcat e djathta janë armiket më të mëdha të ShBA-së. Ndërsa Andrew Korybko, analisti i marrëdhënieve ndërkombëtare nga instituti kanadez "Global Research", vuri në dukje se strategjia e këtij raporti është "iluzion i plotë politik", që është i destinuar të dështojë. Në një artikull të botuar në revistën amerikane "National Interest" thuhet se në raport ka një "keqinterpretim strategjik" për strategjitë e Kinës dhe të ShBA-së.
"Në botën e tanishme, qoftë nga Lufta e Ftohtë apo Lufta e Nxehtë, nga lufta tregtare apo lufta teknologjike, nuk do të ketë fitues të vërtetë. Të marrim tregtinë si shembull. Një studim i bërë nga Këshilli i Biznesit ShBA-Kinë tregon se lufta tregtare e nisur nga administrata e mëparshme amerikane ka pakësuar 245 mijë vende pune në ShBA që nga viti 2018. Prandaj, vijimi i Luftës së re të Ftohtë dhe i "shkëputjes" do të sjellë dëme të ndërsjella. Kohët e fundit, qeveria e re amerikane ka shprehur disa herë gatishmëri për bashkëpunim me palën kineze dhe në marrëdhëniet dypalëshe mund të hapet një faqe e re. Prandaj, në këtë moment kyç, duhet të kemi më shumë kujdes dhe të rritim vigjilencën që të mos keqorientohemi nga zhurmat e jashtme. Ne shpresojmë se autoritetet e reja amerikane do të shprehin sinqeritet e dashamirësi për të ndrequr gabimet e mëparshme, duke ia lënë njëherë e përgjithmonë historisë 'fosilet e gjalla' të Luftës së Ftohtë", përfundon komenti i CMG-së. (Zhang Yan/Artan)