专家---[zhuān jiā]---ekspert

Të mërkurën, grupi i ekspertëve të OBSh-së qëndroi afro katër orë në Institutin e Virologjisë të Wuhan-it, duke vizituar “laboratorin e virusit në Wuhan”. Sipas njoftimeve të 4 shkurtit nga uebsajti rus i lajmeve "Sputnik", anëtari i grupit të ekspertëve, zv.drejtori i Institutit të Kërkimeve të Epidemiologjisë dhe Mikrobiologjisë të Shën-Petërburgut, virologu Vladimir Dedkov, u shpreh që pajisjet në laboratorin e Wuhan-it janë moderne dhe se është e vështirë të mendohet që diçka mund të ketë dalë prej aty.

“Sigurisht, ishte e rëndësishme për misionin tonë të vizitonim pajisjet e laboratorit, të diskutonim me kolegët tanë dhe të shikonim mënyrën e organizimit aty. Gjithçka ishte e organizuar mirë. Nuk e di kush po i kritikon ata. Pajisjet në atë laborator janë moderne dhe e kam të vështirë ta mendoj që diçka mund të dalë jashtë prej aty,” theksoi Dedkovi.

Edhe një tjetër anëtar i grupit të ekspertëve, Peter Dashak, u shpreh: “Unë e njoh mirë këtë laborator. Këtu janë bërë shumë arritje shkencore”. Ai shtoi që ndoshta për arsye që studimet në këtë laborator janë shumë afër me të vërtetën e virusit, disa persona hedhin baltë ndaj këtij laboratori. Kjo, sipas prof. Peter Dashak, është “ironike”.

Dedkovi u shpreh që, megjithëse koronavirusi i ri mund ta ketë origjinën në ndonjë vend tjetër, në tregun e frutave të detit "Huanan" të Wuhan-it ekzitojnë kushtet e përshtatshme për përhapjen e virusit.

“E vizituam tregun,” tha ai. “Nuk ka dëshmi që virusi ta ketë origjinën nga ai treg. Ndoshta virusi ka ardhur nga një vend tjetër, por në tregun e frutave të detit 'Huanan' ekzistojnë kushtet e përshtatshme për përhapjen e virusit.”

Për të gjetur prejardhjen e koronavirusit të ri, OBSh-ja ka dërguar një grup ekspertësh në Wuhan për hetime në terren. Ekspertët kanë bërë vlerësim pozitiv për laboratorin e virusit të Wuhan-it, i cili është sulmuar shumë herë nga njerëzit me qëllime të këqija. “Ekspertët e OBSh-së kanë besim te siguria e laboratorit të Institutit të Virologjisë të Wuhan-it”.

Të mërkurën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin bëri të ditur që grupi i ekspertëve i OBSh-së ka bërë diskutime efektive me palën kineze, duke zhvilluar vizita në spitale, tregje dhe qendra të kontrollit epidemik, dhe puna e tij ka shkuar mbarë. Të mërkurën, grupi i ekspertëve bëri vizitë edhe në Institutin e Virologjisë të Wuhanit dhe bisedoi me ekspertët e Universitetit të Bujqësisë Huazhong. Këto veprime janë pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit dypalësh për gjurmimin e origjinës së virusit. Kina si gjithmonë do të mbajë qëndrim të hapur, transparent e të përgjegjshëm dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me OBSH-në, tha ai. (Jiang Lei)