奥林匹克---[ào lín pǐ kè]---olimpik
Më 4 shkurt mbetet edhe një vit nga hapja e Olimpiadës Dimërore të Pekinit. Vitin e kaluar epidemia e COVID-19 u përhap në tërë botën, duke ndikuar shumë mbi lëvizjen olimpike, ndërsa kampionatet e ndryshme ndërkombëtare po përballojnë një gjendje të paqartë. Në këto kushte, lideri kinez u ka kushtuar rëndësi të madhe lojërave olimpike dimërore, punët përgatitore po zhvillohen mbarë dhe Kina ka treguar aftësinë për mbajtjen e premtimeve. Këto i kanë dhënë një stimul inkurajues familjes së madhe olimpike.
Në intervistën për CMG-në, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach ka vlerësuar lart arritjet antiepidemike të Kinës dhe përgatitjet për Olimpiadën Dimërore.
“Kina ka krijuar një shembull. Nga një anë, ajo e ka luftuar me sukses epideminë dhe, nga ana tjetër, e kupton që olimpiada mund ta ndihmojë shoqërinë të mëkëmbet nga goditja epidemike. Unë i kam shprehur liderit kinez vlerësime dhe falënderime për punët përgatitore të lojërave olimpike dimërore. Jemi shumë të kënaqur për punët e tanishme përgatitore. Në kohën e epidemisë, të gjitha objektet janë gati një vit më shpejt. Kjo ka treguar gjallërinë, vendosmërinë dhe efektivitetin e kinezëve dhe është për t'u admiruar,” vuri në dukje Bach.
Pallati i patinazhit “Fjongoja e akullit”, pallati i kërlingut “Kubi i Akullit”, pallatet e sporteve të dëborës në Yanqing dhe Chongli, punët për mbrojtjen e mjedisit, pakësimin e lëshimit të karbonit dhe zhvillimin e vazhdueshëm kanë tejkaluar vështirësi të shumta, duke arritur në fazën përfundimtare. Pak ditë më parë, në “Fjongon e akullit” ka filluar prodhimi i akullit dhe ky objekt është gati për testimet përkatëse.
Ndërkohë, Komiteti Organizator i Lojërave Olimpike Dimërore po harton masat antiepidemike. Kampionia e parë olimpike dimërore e Kinës Yang Yang është presidentja e departamentit të sportistëve pranë Komitetit Organizator. Ajo bëri të ditur që tema kryesore e mbledhjeve të komitetit është parandalimi i epidemisë:
“Me parakushtin e parandalimit të epidemisë, problemi është si të garantohet siguria e sportistëve dhe të ruhet forma e tyre sportive. P. sh., një njeri i zakonshëm duhet të hyjë në karantinë kur futet në kufi, por sportistët duhet të bëjnë stërvitje gjatë karantinës. Unë kam marrë pjesë tre herë në lojërat olimpike dimërore dhe çdo herë kemi shkuar një muaj ose më herët në zonën e garave, për t’u përshtatur me stadiumet dhe klimën vendore. Në gjendjen epidemike, si mund të krijohen kushte të tilla për sportistët? Këto janë çështje që u kushtojmë shumë rëndësi dhe komiteti organizator ka bërë projekte përgatitore përkatëse.”
Për shkak të epidemisë, garat e testimit janë shtyrë dhe, qysh nga shkurti, në zonat e ndryshme sportive, do të fillojnë testimet në bazë të garave vendore. Krahas kësaj, janë hartuar planet për aftësinë e personelit ndihmës, si njohja e përdorimit të skive dhe gjuhëve të huaja. Me rastin e vitit të ri, janë publikuar stemat e olimpiadës dhe paralimpiadës dimërore.
Këto kanë treguar cilësinë e punëve përgatitore të Pekinit për lojërat dimërore olimpike. Më e rëndësishmja është që shoqëria kineze ka besim të plotë për zhvillimin e suksesshëm të olimpiadës dimërore.
Deri në fund të vitit 2020, komiteti organizator ka nënshkruar kontrata me 11 partnerë zyrtarë, 11 sponsorë zyrtarë, 9 furnizues ekskluzivë dhe 7 furnizues zyrtarë.
Arritjet e Kinës në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë kanë krijuar kushtet bazë shoqërore për zhvillimin e olimpiadës dimërore sipas afatit të përcaktuar. Gjatë këtij viti, Kina ka pasur zhvillim të shpejtë në sektorin e akullit e të dëborës dhe gjithnjë e më shumë kinezë po i bëjnë sportet dimërore pjesë të jetës së tyre.
Epidemia ka shkaktuar paqartësi të mëdha për njerëzimin. Me rastin e 1-vjetorit nga hapja e olimpiadës dimërore të Pekinit, një olimpiadë “e thjeshtë, e sigurt dhe emocionuese” është një premtim nga Kina për lëvizjen olimpike.(Jiang Lei)