疫苗---[yì miáo]---vaksinë
Javën e kaluar disa vende dhe media perëndimore ndryshuan qëndrim mbi vaksinat kineze të COVID-19.
Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn deklaroi që, nëse miratohet nga Bashkimi Europian, nuk do të ketë asnjë pengesë për përdorimin e vaksinave kineze në Gjermani. Nga ana e tij, imunologu francez Alan Fisher tha që BE-ja nuk ka arsye që të mos përdorë vaksinat e prodhuara nga Rusia ose Kina.
Në një koment të vetin, Grupi Mediatik i Kinës (CMG) vë në dukje se ky ndryshim është pak habitës. Vetëm një javë më parë, mediat perëndimore shpërfillnin arritjet e Kinës lidhur me vaksinat dhe enkas nënçmonin, madje hidhnin baltë mbi vaksinat kineze, duke e politizuar çështjen e vaksinave kundër COVID-19.
Vaksina nuk ka ndryshuar, por përse ka ndryshuar qëndrimi i vendeve perëndimore?
Qysh nga fillimi, disa vende perëndimore e kanë akuzuar Kinën për vjedhjen e të dhënave të vaksinave amerikane dhe kanë sulmuar cilësinë e vaksinave kineze, me qëllim që të maksimizojnë fitimet prej vaksinave të veta në tregun ndërkombëtar dhe t'i përdorin vaksinat si mjet për ruajtjen e hegjemonisë. Për këto arsye, këto vende "vunë syzet e paragjykimeve ideologjike" dhe bënë akuza pa bazë ndaj prodhimit dhe transportit të vaksinave kineze.
Më e keqja është që disa vende të zhvilluara, si ShBA-ja dhe Britania, kanë zbatuar “egoizmin e vaksinave” dhe kanë sulmuar ofrimin e vaksinave nga Kina për vendet në zhvillim, duke shpifur me qëllim të keq që Kina po bën “diplomaci vaksinash”.
Por tani, në kushtet e gjendjes serioze epidemike dhe nevojave urgjente për vaksina, këto vende perëndimore janë detyruar të heqin këto "syze me ngjyra politike".
Tani niveli i vaksinimit në vendet europiane është shumë i ulët sesa niveli i ShBA-së, Britanisë dhe Izraelit. Për të siguruar furnizim për Britaninë dhe ShBA-në, "AstraZeneca" dhe "Pfizer" kanë shtyrë dhënien e vaksinave për vendet e BE-së, duke ndikuar në planin e vaksinimit në mbarë BE-në, dhe kjo është shumë negative për parandalimin e epidemisë.
Nën presionin e madh, vendet europiane e kanë hedhur shikimin drejt vaksinave kineze, duke shpresuar që të zgjidhet emergjenca e BE-së.
Në fakt, kur është fjala për vaksinat, nuk duhet të shohim prejardhjen e tyre, por vaksinë e mirë quhet ajo që është e sigurt dhe efektive, komenton CMG-ja. Kjo është një arsye e rëndësishme përse gjithnjë e më shumë zyrtarë të lartë të vendeve të tjera po “promovojnë” vaksinat kineze. Më e rëndësishmja është që bota po sheh se Kina, me veprime konkrete, po mban premtimin e vet për ta bërë vaksinën një produkt publik për tërë botën.
Tani Kina po jep ndihmë me vaksina për disa vende në zhvillim, si Pakistani, Brunei, Nepali dhe Filipinet, kurse më vonë do të ofrojë vaksina për 38 vende të tjera në zhvillim. Krahas kësaj, Kina ka marrë pjesë aktivisht në programin e OBSh-së COVAX, për të nxitur shpërndarjen e barabartë të vaksinave. Ndërkohë, Kina ka eksportuar vaksinat e kompanive kineze "Sinopharm" dhe "Sinovac" në Emiratet e Bashkuara, Marok, Indonezi, Turqi, Brazil dhe Kili, duke i mbështetur ndërmarrjet përkatëse të eksportojnë vaksina kineze në vendet që kanë nevojë urgjente, që pranojnë vaksinat kineze dhe kanë autorizuar përdorimin urgjent të vaksinave kineze.
"New York Times" vlerëson që vaksina kineze ka mundësi të bëhet jetike për vendet në zhvillim.
CMG-ja komenton që për disa vende perëndimore, pranimi i faktit që vaksina kineze është e sigurt dhe efektive nuk është turp. Shkenca është shkencë. Ky është qëndrimi i duhur për parandalimin e epidemisë dhe një përvojë e rëndësishme që njerëzimi ka marrë nga lufta më shumë se njëvjeçare kundër epidemisë. (Jiang Lei/Artan)