专家---[zhuān jiā]---Ekspert
Ekspertët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) kanë vizituar tregun e prodhimeve të detit "Huanan" dhe dy spitale në Wuhan, epiqendra e shpërthimit të koronavirusit në Kinë vitin e kaluar, u shpreh një zyrtar kinez i shëndetësisë të dielën.
Ata gjithashtu janë takuar me mjekë të vijës së parë dhe kanë biseduar me pacientë të hershëm, tha Mi Feng, zëdhënësi i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë në një konferencë shtypi.
Mi Feng bëri të ditur se Kina dhe grupi i ekspertëve të OBSh-së kanë arritur një marrëveshje mbi planifikimin e punës së ardhshme, duke shtuar se Kina, si gjithmonë, do të mbështesë një qëndrim të hapur, transparent dhe të përgjegjshëm dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me OBSh-në.
Pas një karantine 14-ditore, ekipi i OBSh-së, i përbërë nga 13 shkencëtarë nga e gjithë bota, filloi kërkimet në terren me kolegët kinezë të premten e kaluar.
Ata vizituan Spitalin e Mjekësisë së Integruar Kineze dhe Perëndimore të Provincës Hubei dhe spitalin "Jinyintan" të Wuhan-it, që kanë qenë fushat kryesore të betejës për trajtimin e pacientëve në ditët e para të shpërthimit.
Tregu i prodhimeve të detit është vendi ku u zbuluan rastet e para të COVID-19 në Kinë.
Ekipi do të vazhdojë të vizitojë institucionet përkatëse të kërkimeve shkencore e të kontrollit të sëmundjeve dhe tregjet, duke respektuar rregulloret vendore për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, tha Mi.
Ai përsëriti se Kina do të kryejë kërkime të përbashkëta shkencore dhe rigoroze mbi gjurmimin e koronavirusit të tipit të ri me me grupin ndërkombëtar të ekspertëve të OBSh-së:
"Kina dhe ekipi i ekspertëve të OBSh-së kanë arritur një marrëveshje mbi programin e ardhshëm të punës. Në bazë të vazhdimit të respektimit të rregulloreve vendore të parandalimit dhe kontrollit të epidemisë, do të bëhen vizita në institucionet përkatëse të kërkimeve shkencore e të kontrollit të sëmundjeve, si edhe në tregje, duke kryer në mënyrë shkencore dhe rigoroze një punë të përbashkët kërkimore për gjurmimin e koronavirusit të ri. Kina do të vazhdojë të mbajë një qëndrim të hapur, transparent e të përgjegjshëm dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me OBSh-në, duke dhënë kontribut për të parandaluar më mirë rreziqet në të ardhmen dhe për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e popujve të të gjitha vendeve."
Më parë, eksperti i emergjencave i OBSh-së, dr. Mike Ryan, tha në një konferencë për shtypin se tregu i prodhimeve të detit "ka të ngjarë të ketë qenë një pikë e amplifikimit" të transmetimit të virusit.
"Por nëse kjo ishte përhapje njerëzore, shtazore apo mjedisore, ende nuk dihet," tha Ryan, duke shtuar se kishte pasur raste njerëzore që i kanë paraprirë kësaj ngjarjeje.
Sipas tij, mund të ketë më shumë se një rast të pacientit zero në disa situata, sepse mund të ketë më shumë se një kalim nga një lloj gjallesash te tjetri.
"Ne po shohim gjithnjë e më shumë që viruset po identifikohen në shumë vende të ndryshme," tha ai.
Në janar, shkencëtarët kamboxhianë gjetën te lakuriqët e natës "të afërm të ngushtë" të SARS-CoV-2, patogjen që është përgjegjës për pandeminë e COVID-19.
Ky është zbulimi i fundit që sugjeron se viruset kanë një shpërndarje gjeografike shumë më të gjerë sesa mendohej më parë, sipas studiuesve. (Vera/Artan)