检测---[jiǎn cè]---Testim
Të martën në pjesën kontinentale të Kinës u raportuan 75 raste të reja të infektimit prej koronavirusit të ri, shifra më e ulët në më shumë se dy javët e fundit, bëri të ditur të mërkurën Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë. Ndër to përfshihen 55 raste të përhapjes së brendshme dhe 20 me burim nga jashtë.
Në disa javët e kaluara, në krahinat verilindore dhe veriore të Kinës ka pasur rritje të numrit të infektimeve, shumica prej të cilave kanë ndodhur në provincat Jilin, Heilongjiang dhe Hebei.
Ndër 55 rastet e infektimit me burim të brendshëm që u raportuan të martën, 29 janë në Heilongjiang, 14 në Jilin, 7 në Hebei dhe pesë të tjerat në Pekin e Shangai.
Përhapja e shpejtë në zonat rurale
Shpërthimi në këto provinca ka ndodhur kryesisht në zonat rurale, ku infrastruktura mjekësore është më e dobët dhe është më e vështirë të zbatohen masat e kontrollit. Sipas burimeve zyrtare, aktivitetet si dasmat dhe mbledhjet masive kanë nxitur përhapjen e virusit.
Në Hebei, pjesa kryesore e 900 rasteve të raportuara që nga 2 janari u zbuluan në fshatra në distriktin Gaocheng të kryeqendrës së provincës, Shijiazhuang. Hetimet epidemiologjike tregojnë se shumë nga të infektuarit kishin marrë pjesë në aktivitete si dasma dhe varrime.
Edhe vatrat e infektimeve në Heilongjiang janë rritur ndjeshëm për shkaqe të ngjashme. Në valën e fundit të infektimeve ka pasur mbi 500 raste të konfirmuara në rreth dy javë, shumica prej të cilave në fshatrat e kontesë Wangkui, sepse në fund të vitit banorët aty e kanë zakon të zhvillojnë dasma dhe veprimtari të tjera me pjesëmarrje masive.
Infektimet në Heilongjiang kanë ndikuar edhe në zona të tjera pranë. Më 5 janar, një shitës udhëtoi nga Heilongjiang-u për në provincën fqinje Jilin, duke çuar aty virusin. Ai u identifikua si i ashtuquajturi "superpërhapës", sepse ua kaloi virusin mbi 100 vetave në Jilin, shumë prej të cilëve të moshuar mbi 60 vjeç.
Masa të shpejta
Autoritetet e këtyre tre provincave kanë nxjerrë një sërë masash, duke përfshirë karantinimin në shtëpi të miliona banorëve, kufizimin e udhëtimeve, testimet masive dhe kontrollin për të frenuar përhapjen e virusit.
Në Shijiazhuang të provincës Hebei, mbi 11 milionë qytetarë kanë kryer tre raunde testimesh të acidit nukleik brenda 17 ditësh. Kjo ishte edhe hera e parë në një qytet të madh kinez që një aksion kaq i madh testimi u krye disa herë brenda një periudhe të shkurtër. Nga 6 deri më 22 janar, mbi 30 milionë mostra u mblodhën dhe u testuan.
Në kontenë Wangkui, zona më e goditur në këtë valë shpërthimi në Heilongjiang, nisi të martën raundi i pestë i testimeve. Konteja është mbyllur që nga 12 janari.
Në Tonghua, një qytet me 2 milionë banorë në Jilin, ku u zbulua "superpërhapja" e virusit, raundi i tretë i testimit nisi të hënën e kësaj jave.
Tonghua u mbyll që nga 18 janari dhe gjatë karantinës në shtëpi, banorët janë ankuar në median sociale se mbyllja ka shkaktuar mungesën e ushqimit dhe të ilaçeve. Lidhur me këtë, zyrtarët vendorë u kërkuan ndjesë qytetarëve dhe po punojnë për të siguruar ofrimin e sendeve të përditshme.
Arsyet e shpërthimit
Shpërthimi i fundit në Kinë u shkaktua nga udhëtarët e ardhur nga jashtë ose ushqimi i ngrirë i importuar, tha drejtori i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë Ma Xiaowei në mes të janarit.
Që nga dhjetori i kaluar, në Kinë janë raportuar mesatarisht 14 raste me burim nga jashtë në ditë.
Edhe ushqimi i ngrirë i importuar ka tërhequr vëmendjen publike herë pas here në Kinë si një sjellës i virusit nga jashtë. Rasti i parë u zbulua në qershorin e kaluar, ku një vatër e re infektimi u raportua në Pekin. Virusi u gjet në një dërrasë për prerjen e salmonit në Xinfadi, një treg gjigant ushqimor.
Në disa muajt e kaluar Kina ka përjetuar herë pas here shpërthime për shkak të udhëtarëve të ardhur nga jashtë dhe ushqimit të importuar, të cilat janë vënë nën kontroll nga autoritetet vendore.
Mirëpo rritja e rasteve të infektimit me burim të brendshëm ka ngritur alarmin teksa po afron Viti i Ri Kinez, kur miliona veta kthehen në vendlindje. Ekspertët e shëndetësisë u shprehën se shkurti mund të jetë periudha kyçe për kontrollin e epidemisë në vend.
Për të përballuar rreziqet që mund të krijojë lëvizja masive e udhëtarëve, Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë u kërkon banorëve që kthehen në zonat rurale të pajisjen me një rezultat negativ për COVID-19 të marrë brenda shtatë ditësh dhe të kalojnë 14 ditë karantinë pasi mbërrijnë. (Zhang Yan/Artan)