旅行---[lǚ xíng]---Udhëtim
"Lëvizja më e madhe vjetore njerëzore në botë" mund të mos jetë aq e madhe në vitin 2021.
Për shkak të shfaqjes herë pas here të rasteve të reja të COVID-19 në krahina të ndryshme, Kina po shtrëngon masat parandaluese për fluksin e transportit në kuadrin e Festës së Pranverës, ose Vitit të Ri Kinez. Kjo është një periudhë kur ata që punojnë në qytete, kthehen në vendlindje për t'u bashkuar me familjen.
Festa e Pranverës është festa më e rëndësishme vjetore për shumicën e familjeve kineze, si Krishtlindjet në Perëndim.
Mirëpo, sivjet kjo traditë do të ndikohet për shkak të kërkesave serioze për kontrollin epidemik, sepse fluksi i udhëtimeve mund të shkaktojë infeksione kolektive.
Ulen çmimet e biletave, anulohen udhëtime
Sipas aplikacioneve më të përdorura për blerjen e biletave të udhëtimeve "Qunar" dhe "Ctrip", çmimet e biletave për fluturimet e brendshme patën një rënie të ndjeshme, ndërsa pothuajse të gjitha kompanitë po ofrojnë ulje masive çmimi.
Informacionet nga "Qunar.com" tregojnë se sivjet çmimet e biletave për fluturimet e brendshme gjatë së njëjtës periudhë janë më të lirat në pesë vjetët e fundit.
Grupi Hekurudhor i Kinës bëri të ditur se shitjet me parapagim të biletave të trenave ranë 60 % sivjet në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shtuar se sistemi hekurudhor planifikon të ofrojë 296 milionë bileta më pak gjatë pushimeve të Festës së Pranverës të këtij viti.
Vitin e kaluar, pas goditjes së valës së parë të epidemisë COVID-19, numri i atyre që udhëtuan me mjetet e transportit publik gjatë Festës së Pranverës u përgjysmësua në krahasim me vitin 2019, dhe mbi 118 milionë bileta u rimbursuan.
Kryeqyteti Pekin pati 43 % më pak udhëtime hyrje-dalje në vitin 2021, sipas departamentit të transportit të qytetit.
Theksohen masat parandaluese
Kina ka deklaruar një sërë udhëzimesh për t'u garantuar atyre që zgjedhin të qëndrojnë në vendet ku punojnë, ta kalojnë sa më mirë Festën e Pranverës.
Në një qarkore nga qeveria qendrore dhe Komiteti Qendror i Partisë thuhet se të gjithë banorët në zonat me rrezik të lartë infektimi duhet të qëndrojnë në vendbanimet e tyre për të parandaluar përhapjen e mëtejshme. "Udhëtimet nga zonat me rrezik të mesëm do të bëhen pasi të merret miratimi nga autoritetet vendore të parandalimit dhe të kontrollit të epidemisë, ndërsa ata që jetojnë në zonat me rrezik të ulët, sugjerohet të udhëtojnë vetëm nëse është e nevojshme. Duhet të bëhen përpjekje për të garantuar që ata që punojnë gjatë pushimeve, të marrin pagesë për punë jashtë orarit dhe të pushojnë sipas ligjit", theksohet në dokument.
Qëndroni ku jeni!
Deri tani, të paktën 29 njësi administrative në nivel province në Kinë kanë publikuar njoftime, duke i nxitur banorët të qëndrojnë aty ku janë dhe të shmangin udhëtimin gjatë Festës së Pranverës.
Në shumë qytete dhe konte në Kinë u është kërkuar organeve qeveritare, institucioneve publike dhe kompanive shtetërore të anulojnë mbledhjet masive dhe kremtimet vjetore. Kompanitë private këshillohen gjithashtu të mos organizojnë aktivitete të tilla.
Edhe ritualet e ceremonitë e tjera janë kufizuar. Në disa krahina janë shpallur masa për të kontrolluar përmasën e dasmave, funeraleve, grumbullimeve familjare dhe festimeve në hotele dhe restorante. Në disa zona të tjera, grumbullimet familjare dhe festimet në grup kufizohen në e shumta deri në dhjetë veta.(Zhang Yan/Artan)