多边主义---[ duōbiān zhǔyì]---Multilateralizëm
Presidenti kinez Xi Jinping mori pjesë me anë të videos në Veprimtarinë Virtuale të Forumit Ekonomik Botëror të Agjendës së Davosit, ku mbajti fjalimin me titull "Le të ndriçojë pishtari i multilateralizmit rrugën e njerëzimit".
Kreu i shtetit i Kinës theksoi në këtë videofjalim se, për t'u përballur si duhet me sfidat e kësaj epoke, rrugëdalja është mbrojtja dhe zbatimi i multilateralizmit dhe nxitja e ndërtimit të komunitetit me fate të përbashkëta të njerëzimit, duke këmbëngulur në hapjen e përfshirjen, ligjin e normat ndërkombëtare, konsultimet e bashkëpunimin dhe ecjen në një hap me kohën. Sipas tij, Kina do të vazhdojë të marrë pjesë aktive në bashkëpunimin antiepidemik ndërkombëtar, të zbatojë strategjinë e hapjes me leverdi të ndërsjellë, të nxisë zhvillimin e vazhdueshëm e risitë tekniko-shkencore, si edhe të promovojë ndërtimin e marrëdhënieve të reja ndërkombëtare, për të arritur përparim të mëtejshëm drejt krijimit të një komuniteti me fate të përbashkëta të njerëzimit.
Xi vuri në dukje se vitin e kaluar, pandemia e papritur e COVID-19 sulmoi mbarë globin, shëndeti publik global u ndodh para kërcënimeve serioze, ekonomia botërore ra në recesion të thellë dhe njerëzimi hasi në kriza të shumëfishta si rrallëherë në historinë e tij. Duke theksuar se pandemia është ende larg përfundimit dhe lufta antiepidemike duhet të vazhdojë, ai megjithatë shtoi: "Jemi të bindur se dimri nuk e ndalon dot ardhjen e pranverës dhe errësira nuk mund ta mbështjellë dritën e agimit. Pa dyshim, njerëzimi do ta mposhtë virusin dhe do të dalë edhe më i fortë nga kjo katastrofë".
Presidenti kinez theksoi edhe rëndësinë e kryerjes së katër detyrave gjatë kësaj epoke:
"Së pari, duhet të forcojmë bashkërendimin e politikave makroekonomike për të nxitur rritjen ekonomike në mënyrë të fuqishme, të qëndrueshme, të balancuar dhe përfshirëse. Së dyti, duhet të shmangim paragjykimet ideologjike, duke ecur së bashku në rrugën e bashkëjetesës paqësore me leverdi të ndërsjellë. Së treti, duhet të kapërcejmë hendekun e zhvillimit midis vendeve të zhvilluara e vendeve në zhvillim, për të nxitur lulëzimin e të gjitha vendeve. Së katërti, duhet të përballojmë së bashku sfidat globale për të krijuar një të ardhme të ndritur të njerëzimit. Pandemia e COVID-19 nuk do të jetë incidenti i fundit emergjent i shëndetit publik dhe qeverisja globale në këtë drejtim duhet të forcohet. Asnjë problem global mund të zgjidhet nga një vend i vetëm. Duhet të ketë veprim, përgjigje dhe bashkëpunim global ".
Xi vuri në dukje se problemet globale janë të ndërlikuara dhe mënyrat e zgjidhjes së tyre janë hapja e gjithëpërfshirja e jo mbyllja e përjashtimi, këmbëngulja në ligjin e rregullat ndërkombëtare e jo synimi për supremaci, konsultimet e bashkëpunimi e jo konflikti e kundërvënia, si edhe ecja me hapin e kohës dhe jo mospranimi i ndryshimit.
Presidenti Xi shtoi se të gjitha vendet janë të veçanta për nga historia, kultura e sistemi shoqëror dhe asnjë prej tyre nuk është në pozitë dominuese.
Ai theksoi se kriteret më të mira janë nëse historia, kultura e sistemi shoqëror i një vendi i përshtaten me gjendjen e veçantë të këtij vendi, gëzojnë mbështetjen e njerëzve, shërbejnë për të siguruar stabilitet politik, përparim shoqëror e jetë më të mirë dhe kontribuojnë në përparimin njerëzor.
Sipas tij, problemet me të cilat përballet bota janë të ndërlikuara dhe rrugëdalja prej tyre është mbrojtja e zbatimi i multilateralizmit dhe ndërtimi i një komuniteti me fate të përbashkëta të njerëzimit:
"Për të praktikuar multilateralizmin në shekullin e 21-të, duhet të ruajmë traditën e tij të mirë, të marrim parasysh perspektivat e reja dhe ta shikojmë atë nga këndvështrimi i së ardhmes. Duhet të këmbëngulim në vlerat thelbësore dhe parimet bazë të multilateralizmit, të përshtatemi me ndryshimin e tablosë ndërkombëtare e të reagojmë ndaj sfidave globale, si edhe të reformojmë dhe përmirësojmë sistemin e qeverisjes globale në bazë të konsultimeve të gjera dhe arritjes së konsensusit. Gjithashtu, duhet të mbrojmë rolin e OBSh-së për të ndërtuar një bashkësi shëndetësore të njerëzimit, të çojmë përpara reformimin e OBT-së e të sistemit financiar e monetar ndërkombëtar për të nxitur rritjen ekonomike globale dhe mbrojtur të drejtat, interesat dhe mundësitë e zhvillimit të vendeve në zhvillim. Duhet të eksplorojmë hartimin e rregullave për qeverisjen digjitale globale me njeriun në qendër dhe në bazë të fakteve, të vëmë në jetë Marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimin klimatik e të nxisim zhvillimin e gjelbër, t'i japim përparësi zbatimit të Agjendës 2030 për Zhvillim të Vazhdueshëm dhe të garantojmë që të gjitha vendet, sidomos ato në zhvillim, të ndajnë rezultatet e zhvillimit global".
Presidenti Xi theksoi se Kina po ecën në një rrugë të re drejt ndërtimit të një vendi socialist modern në mënyrë të gjithanshme. Sipas tij, Kina do të bëjë përpjekje së bashku me vendet e tjera për të ndërtuar një botë të hapur, gjithëpërfshirëse, të pastër e të bukur me paqe afatgjatë, siguri të përgjithshme dhe lulëzim të përbashkët.
"Kina do të vijojë bashkëpunimin ndërkombëtar për luftën antiepidemike, do të ndajë përvojat e vlefshme për parandalimin e kontrollin e virusit, do t'u ofrojë ndihmë brenda mundësive vendeve e rajoneve që janë më pak të përgatitura për të përballlur pandeminë dhe do të forcojë bashkëpunimin në fushën e vaksinave, për t'i bërë ato një produkt publik që mund të merret dhe të përballohet financiarisht nga të gjitha vendet. Kina do të vazhdojë strategjinë e hapjes me leverdi të ndërsjellë, zhvillim të vazhdueshëm, risi tekniko-shkencore dhe ndërtim të marrëdhënieve ndërkombëtare të tipit të ri", tha kreu i shtetit i Kinës.
Në fund të fjalimit, presidenti Xi theksoi se njerëzimi ka vetëm një Tokë dhe një të ardhme të vetme të përbashkët.
"Historia na ka mësuar shumë herë se varfërimi i fqinjëve, veprimet e njëanshme dhe izolimi arrogant do të dështojnë gjithmonë. Le të lidhemi dorë për dorë dhe ta lëmë multilateralizmin të ndriçojë rrugën tonë drejt një komuniteti me fate të përbashkët të njerëzimit", e përfundoi fjalimin e tij presidenti kinez Xi Jinping. (Zhang Yan/Artan)