疫苗---[yì miáo]---Vaksinë
Më shumë se 50 milionë doza vaksinash të koronavirusit janë bërë në mbi 50 vende dhe rajone që nga 20 janari, sipas të dhënave nga "Nikkei" dhe "Financial Times".
Të premten, Ministria e Tregtisë e Kinës njoftoi se më shumë se 40 vende kanë kërkuar vaksina nga Kina.
Ministri i Jashtëm i Pakistanit Shah Mehmood Qureshi tha të enjten se Kina do t'i dhurojë vendit të tij gjysmë milioni doza të vaksinës së "Sinopharm"-it deri më 31 janar.
"Ata thanë që 'dërgoni avionët dhe merreni menjëherë vaksinën'. Pra, ky është një lajm i lumtur për ne, dhe shpresojmë se do të jemi të suksesshëm në mbrojtjen e vetes duke përdorur këtë vaksinë," tha Qureshi në një konferencë shtypi në Islamabad.
"Unë i falënderova ata dhe u thashë se kemi nevojë për më shumë se kaq dhe se në të ardhmen do të na duhen 1.1 milion doza. Ata na siguruan dhe thanë që deri në fund të shkurtit do të planifikojnë ta përmbushin edhe këtë kërkesë tonën", shtoi Qureshi.
Rregullatorët pakistanezë e miratuan vaksinën kineze të "Sinopharm"-it për përdorim emergjent të hënën, dy ditë pasi u miratua vaksina e "AstraZeneca"-s e prodhuar bashkërisht me Universitetin e Oksfordit.
Qureshi theksoi se ai paraqiti kërkesën edhepër mundësinë e prodhimit të përbashkët të vaksinave me Kinën.
Pakistani është gjithashtu pranë përfundimit të fazës së tretë të provave të një vaksine tjetër kineze nga "Cansino Biologics". Rreth 17 500 veta janë regjistruar për këto prova deri më tani, dhe rezultatet fillestare do të dalin në fillim të shkurtit, njoftoi ministri i Shëndetësisë Faisal Sultan në një konferencë për shtypin të mërkurën.
Ai tha që, nëse vaksina e "Cansino"-s del e efektshme, Pakistani mund të kërkojë 20 milionë doza të saj, duke shtuar se zyrtarët pakistanezë janë takuar me zyrtarë të Mbretërisë së Bashkuar për të diskutuar edhe prokurimin e vaksinave prej andej.
Pakistani shpreson që të vaksinojë të paktën 70 për qind të popullsisë së vet të rritur, për të arritur imunitetin e tufës, tha Sultani. Programi i Zgjeruar i Imunizimit i Pakistanit, i cili përfshin disa vaksina, duke përfshirë atë të poliomelitit, po forcohet për të ndihmuar në shpërndarjen e vaksinës së koronavirusit.
Nga ana e tij, kryeministri i Kamboxhias Hun Sen tha të premten se 300 000 doza të vaksinës së "Sinopharm"-it të Kinës do të mbërrijnë në vendin e tij në shkurt dhe se ai pret që rreth 500 000 veta të vaksinohen përpara Vitit të Ri Kmer, i cili do të kremtohet në prill.
"Kina po bën përpjekje të dërgojë 600 mijë doza vaksinash në Kamboxhia, dhe unë dua që 500 000 kamboxhianë të vaksinohen përpara Vitit të Ri Kmer," tha Hun Sen-i.
Ai i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të fillojë një sondazh për të përcaktuar se sa njerëz janë të gatshëm të vaksinohen.
"Shumë vende po përdorin tashmë vaksina, përfshirë ato të Republikës Popullore të Kinës, të 'Sinopharm'-it dhe 'Sinovac'-ut, që janë të nevojshme për ne dhe nuk mund të presim më gjatë," theksoi Hun Sen në një mesazh në "Facebook".
Hun Sen tha se ai i dërgoi një letër palës kineze javën e kaluar në lidhje me dhurimin e një milion dozave të vaksinës së COVID-19 Kamboxhias dhe pati një diskutim me ambasadorin e Kinës në Kamboxhia Wang Wentian për të gjetur një mënyrë për të sjellë më shumë vaksina.
"Mund të porositim më shumë vaksina nga Kina me fondin e dhuruar për ne nga Kina ose nga rezerva jonë," tha kryeministri, duke shtuar se kamboxhianët do të vaksinohen me vaksinat e prodhuara prej dy kompanive kineze, "Sinovac" dhe "Sinopharm".
Hun Sen vuri në dukje se ai i dërgoi një letër edhe kryeministrit indian Narendra Modi, duke e pyetur nëse India, vendi më i madh prodhues i vaksinave në botë, do të shqyrtojnë mundësinë për ta furnizuar Kamboxhian me vaksinat indiane "Covaxin" dhe "Covashield".
Ai tha se gjithashtu mund të kërkojë vaksina nga Koreja e Jugut dhe të blejë vaksinën e Oksford-"AstraZeneca"-s nga Mbretëria e Bashkuar me fonde të siguruara nga Banka Aziatike e Zhvillimit.
"Ne kemi shumë mundësi dhe gjithashtu do të marrim vaksina nga COVAX, të cilat mund të mbërrijnë në Kamboxhia deri në mars, që do të na mundësojnë të vaksinojmë 20 për qind të popullsisë," shtoi ai.
Ndërkohë, presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi njoftoi të shtunën se Egjipti do të niste vaksinimin e koronavirusit të dielën, duke filluar me stafin mjekësor.
Ministrja egjiptiane e Shëndetësisë Hala Zayed autorizoi përdorimin emergjent të vaksinës së "Sinopharm"-it në fillim të janarit, ndërsa Egjipti e mori kontingjentin e parë prej 50 mijë dozash të kësaj vaksine në dhjetor.
"Ne do të fillojmë vaksinimin nesër, duke nisur nga punonjësit e kujdesit shëndetësor, të ndjekur nga ata që vuajnë nga sëmundje kronike dhe më vonë të moshuarit," tha Sisi.
Egjipti do të marrë 40 milion doza nëpërmjet aleancës së vaksinave GAVI për 20 milion veta, 20 për qind e popullsisë së vendit, tha ministrja e Shëndetësisë Hala Zayed javën e kaluar.
Të premten, në Egjipt u regjistruan 748 raste të reja dhe 52 vdekje. Sidoqoftë, zyrtarët shëndetësorë thonë se numri real është shumë më i lartë për shkak të shkallës relativisht të ulët të testimit të koronavirusit e përjashtimit të rezultateve të testimeve private. (Vera)