关系---[guān xì]---marrëdhënie
Më 20 janar, Joe Biden u betua si president i ri i ShBA-së. Opinioni publik është gjerësisht i mendimit se gjatë mandatit të tij, politikat e brendshme dhe të jashtme amerikane do të kenë njëfarë rregullimi, dhe tregon një vëmendje të veçantë nëse administrata e re e Uashingtonit do të krijojë një njohje objektive e të ftohtë ndaj Kinës dhe do të hartojë politika racionale dhe pragmatike ndaj saj.
Gjatë katër vjetëve të fundit, marrëdhëniet kino-amerikane kanë kaluar një periudhë shumë të vështirë. Shkaku kryesor për këtë është se një pjesë e politikanëve të Uashingtonit, duke u nisur nga mendësia e Luftës së Ftohtë dhe paragjykimet ideologjike, e konsideruan Kinën si “kërcënimi nr. 1”, përbaltën sistemin politik të Kinës, shtypën zhvillimin e ndërmarrjeve kineze dhe shkelën herë pas here vijën e kuqe të problemeve që kanë të bëjnë me interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të Kinës. Të gjitha këto kanë dëmtuar rëndë besimin e ndërsjellë strategjik dhe kanë minuar edhe paqen e stabilitetin botëror, komentoi Grupi Mediatik i Kinës (CMG).
i mund të ndryshojë kjo gjendje e vështirë në marrëdhëniet kino-amerikane? Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, në mesazhin e urimit ndaj presidentit të zgjedhur amerikan Joe Biden, presidenti i Kinës Xi Jinping shprehu shpresën se të dyja palët do të ndjekin frymën e moskonfliktualitetit, moskundërvënies, të respektit të ndërsjellë dhe të bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, do të fokusohen te bashkëpunimi dhe do të kontrollojnë mosmarrëveshjet, që t’i çojnë përpara marrëdhëniet kino-amerikane në mënyrë të qëndrueshme dhe të shëndetshme.
Mund të shohim se këto fjalë të thjeshta të presidentit kinez vunë në dukje problemet në marrëdhëniet kino-amerikane dhe tregojnë kursin për shkëputjen nga gjendja e vështirë, thotë CMG-ja në komentin e saj.
Përvoja historike tregon se, pavarësisht nga ndryshimet midis Kinës dhe ShBA-së në sistemin shoqëror, fazën e zhvillimit dhe në traditat kulturore, të dyja palët kanë më shumë interesa të përbashkët sesa mosmarrëveshje dhe bashkëpunimi është e vetmja alternativa e drejtë midis tyre. Në fakt, të dy vendet kanë hapësira kolosale bashkëpunimi në kontrollin e epidemisë, rimëkëmbjen ekonomike, ndryshimin klimatik etj. Këto janë gjithashtu rrugët efikase për rindërtimin e besimit të ndërsjellë të të dy palëve.
Melvyn P. Leffler, profesor i historisë në Universitetin e Virxhinias, është i mendimit se Kina dhe ShBA-së nuk janë në një “konkurrencë ku fituesi i merr të gjitha” dhe se qeveritë e të dy vendeve kanë arsye të mjaftueshme për kërkimin e bashkëpunimit, që të garantojnë interesat e veta në fushat e sigurisë dhe ekonomisë.
Faktet kanë vërtetuar se afrimi i qëndrimeve midis Kinës dhe ShBA-së sjell rezultate të mëdha në favor të botës, kurse kundërvënia mes tyre dëmton edhe interesat e popujve të tjerë. Për kthimin në orbitën e duhur të marrëdhënieve kino-amerikane, që kanë pësuar goditje të rëndë, ka rëndësi jetike afrimi i qëndrimeve të tyre, komentoi CMG-ja. (Wang Lei)