对话---[duì huà]---dialog
Forumi Ekonomik Botëror me seli në Gjenevë shpalli ditët e fundit se nga 25 deri më 29 janar do të zhvillojë videodialogun "Agjenda e Davosit" , ku udhëheqës politikë dhe të biznesit do të diskutojnë nëpërmjet internetit për veprimet e përbashkëta mbi përballimin e pandemisë, me temë "Kapja e vitit kyç dhe rindërtimi i besimit të palëve".
Me ftesën e themeluesit dhe presidentit ekzekutiv të këtij Forumi, Klaus Schwab, presidenti i Kinës Xi Jinping do të marrë pjesë në këtë videodialog më 25 janar dhe do të mbajë një fjalim të posaçëm.
Në "Raportin mbi rreziqet globale", të publikuar më 19 janar nga Forumi Ekonomik Botëror, vihet në dukje që pandemia e COVID-19 ka acaruar polarizimin midis të pasurve e të varfërve dhe ndarjen shoqërore, do të pengojë zhvillimin ekonomik në tre deri pesë vjetët e ardhshëm dhe do të nxitë tensionet gjeopolitike gjatë 5 - 10 vjetëve të ardhshëm. Vjet pandemia sulmoi befasisht mbarë globin dhe, si pasojë e unilateralizmit e populizmit, e fajësimit të të tjerëve, racizmit dhe politizimit të epidemisë, është penguar bashkërendimi ndërkombëtar kundër pandemisë. Kjo ka krijuar mundësinë që koronavirusi të përhapet gjerësisht në mbarë botën.
Pandemia e COVID-19 konsiderohet si kriza e shëndetit publik më serioze gjatë 100 vjetëve të fundit, me mbi 2 milionë viktima. "Kjo pikë historike është dëshpëruese", tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres. Njëkohësisht, ekonomia globale ra në recesionin më serioz pas Luftës së Dytë Botërore. Rënia e PBB-së së shumë vendeve shënoi rekord historik. Organizata Ndërkombëtare e Punës vlerësoi se kriza e ekonomisë dhe e punës si pasojë e pandemisë do të shkaktojë afro 25 milionë të papunë të rinj në mbarë botën, shifër kjo shumë më e madhe se ajo gjatë krizës financiare të vitit 2008. Në fillim të vitit 2021, presidentja e FMN-së Kristalina Georgieva lëshoi përsëri alarmin se gjendja e pasigurt e ekonomisë globale do të vijojë.
Qoftë pandemia e tanishme e koronavirusit të ri, qoftë gripi i madh i vitit 1918 që u përhap në mbarë botën, apo "Murtaja e zezë" që ndryshoi rrjedhën e historisë, të gjitha këto epidemi serioze na kujtojnë herë pas here se, përpara tyre, nuk ka dallim race e pasurie dhe alternativat e vetme mbeten "fitorja e të gjithëve" ose "humbja e të gjithëve". Në këtë drejtim nuk ekziston loja ku fituesi i merr të gjitha, pra ku "një palë fiton dhe tjetra humbet".
Në fjalimin e tij në ceremoninë e hapjes së sesionit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror katër vjet më parë, Xi Jinping tha se "njerëzimi është bërë një bashkësi me fate të përbashkëta, me interesa të ndërthurura e me ndërvarësi nga njëri-tjetri" dhe paraqiti rrugën e zgjidhjes së sfidave të përbashkëta të njerëzimit. Opinioni publik është i mendimit se situata e tanishme është e ngjashme me atë të fillimit të vitit 2017 dhe njerëzimi ndodhet përsëri në rrugëkryq.
Në një videokonferencë shtypi të hënën, z. Schwab tha se "viti 2021 ka rëndësi jetike dhe do të jetë një vit që do të vendosë të ardhmen e njerëzimit", sepse bota jonë jo vetëm duhet t'i japë fund pandemisë së COVID-19 sa më shpejt, por edhe ka nevojë urgjente të rindërtojë një sistem ekonomik të shëndetshëm.
Gjatë recesionit të viteve '30 të shekullit të kaluar, presidenti i atëhershëm amerikan Franklin Delano Ruzvelt tha: "E vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë, është vetë frika". Tani njerëzimi ka përsëri frikë prej së ardhmes së panjohur, prandaj pajtimi, rindërtimi i konsensusit, rifillimi i bashkëpunimit global dhe konsultimet për krijimin e "bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit" janë rruga e domosdoshme për daljen nga hija e frikës dhe rikthimin e besimit. (Wang Lei)