政客---[zhèng kè]---politikan
"Këto statistika vdekjesh janë të vërteta. Nëse nuk beson, mund të shkosh vetë në spitale, që të shohësh çfarë po bëjnë mjekët dhe infermierët," tha kryeeksperti i kontrollit të epidemisë në ShBA, Anthony S. Fauci, kur iu përgjigj i inatosur fjalëve të liderit amerikan, i cili e akuzoi ditët e fundit Qendrën e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve të ShBA-së për zmadhimin e shifrave të epidemisë së COVID-19. Fauci paralajmëroi gjithashtu se, përballë rasteve të infektimit e të vdekjeve që janë në rritje e sipër, nuk mund të zgjidhet shmangia.
Në ShBA janë konfirmuar mbi 20 milionë raste infektimi dhe mbi 350 mijë të vdekur. Në Los Anxhelos çdo 6 sekonda konfirmohet një rast infektimi. Një sërë shifrash të ftohta tregojnë se gjendja epidemike në ShBA ka dalë jashtë kontrollit. Megjithatë, një pjesë e politikanëve amerikanë sillen si të verbër dhe përhapin kudo informacione të rreme, duke u përpjekur të vetëshfajësohen. Drejtori i Shërbimit të Shëndetit Publik të ShBA-së Jerome M. Adams vuri në dukje haptazi se gjatë epidemisë, një nga gjërat më sfiduese është transmetimi i informacioneve të sakta shëndetësore ndaj publikut amerikan në një mjedis të tillë politik.
Përhapja e informacioneve të rreme për një kohë të gjatë dhe politizimi i epidemisë si pasojë e konflikteve midis dy partive kanë pështjelluar rëndë vetëdijen e publikut amerikan për gjendjen epidemike dhe kanë bërë që të humbë besimi ndaj masave qeveritare përballë epidemisë. Kjo shpjegon pse në ShBA u miratuan dy vaksina kundër COVID-19, por shumë banorë nuk pranojnë të vaksinohen.
Sipas mediave amerikane, mbi gjysma e punonjësve të ndihmës urgjente në Nju-Jork janë dyshues për vaksinat, mbi 60 % e punonjësve në shtëpitë e të moshuarve zgjodhën mosvaksinimin, e madje një pjesë e farmacistëve i shkatërruan enkas vaksinat. Sipas një sondazhi të bërë nga fondacioni "Kaiser Family", 27 % e të pyeturve u shprehën se "mund të mos ose nuk do të" vaksinohen kundër COVID-19. Në gazetën "Los Angeles Times" vihet në dukje se, duke marrë parasysh veprimet e qeverisë, ky rezultat nuk është i papritur.
Përballë epidemisë së dalë jashtë kontrollit, politikanët amerikanë nuk pendohen dhe vazhdojnë fabrikimin e lajmeve të rrema e shfajësimin. Kjo tregon se për ta interesat vetjake janë ende në plan të parë, thuhet në një koment nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG).
Kur mbeten më pak se 20 ditë nga përfundimi i mandatit të tyre, politikanët e Shtëpisë së Bardhë po bëjnë orvatjen e fundit. Në ditën e parë të Vitit të Ri, sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo postoi në "Twitter" se "ShBA-ja tani është më e sigurt se katër vjet më parë". Pikërisht në atë javë kur u publikua ky postim, në ShBA pati mesatarisht një të vdekur në 33 sekonda nga COVID-19. Mos vallë kjo është "ShBA-ja më e sigurt" në syrin e politikanëve amerikanë? Një gënjeshtër e tillë e trashë mund të mashtrojë vetëm ata vetë.
Por për popullin amerikan, koha më e keqe nuk ka ardhur ende. Sipas parashikimit të Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit, gjatë një muaji të ardhshëm numri i të vdekurve nga COVID-19 në ShBA do të shtohet me 115 mijë.
Në komentin e CMG-së thuhet se politikanët arrogantë të Uashingtonit janë të zënë me interesat vetjake, ndërsa amerikanët e thjeshtë të pafajshëm vuajnë nga epidemia. Një vend i tillë, me shpërfillje të të drejtave të njeriut, ndarje shoqërore dhe çrregullim të sistemit, a mund të quhet "Fanari i botës së lirë"? (Wang Lei)