交易所---[jiāo yì suǒ]---bursë

Në deklaratën e saj të 4 janarit, Bursa e Nju-Jorkut tha se, pas konsultimeve me organin rregullator, ajo nuk u kërkon më tre kompanive kineze të telekomit të çregjistrohen. Kjo përmbysje e madhe brenda vetëm disa ditësh u quajt "ngjarja më e çuditshme që kam parë në ShBA gjatë karrierës sime" nga Edison Lee, kryeanalisti për sektorin e telekomit i kompanisë "Jefferies".

Sipas deklaratës së publikuar më 31 dhjetor nga Bursa e Nju-Jorkut, deri në 4 të mëngjesit të 11 janarit 2021 sipas orës vendore, do të ndalonte transaksionet e tre operatorëve kryesorë kinezë të telekomit, "China Mobile", "China Telecom" dhe "China Unicom", për të respektuar një urdhër ekzekutiv të qeverisë amerikane në nëntor të vitit të kaluar.

Anulimi i vendimit të mëparshëm varet patjetër nga shumë faktorë, por një arsye është sigurisht se zbatimi i vendimit të mëparshëm do të dëmtonte thellë dhe për një kohë të gjatë interesat e vetë Bursës së Nju-Jorkut dhe të ShBA-së, komentoi Grupi Mediatik i Kinës (CMG).

Së pari, tre operatorët kryesorë kinezë kanë zhvilluar tregtim për afro 20 vjet në Bursën e Nju-Jorkut dhe kanë respektuar rregullat e tregut amerikan të letrave me vlerë, si dhe kërkesat e mbikëqyrjes. Nëse Bursa e Nju-Jorkut do të goditë kompanitë e ligjshme në bazë të një urdhri ekzekutiv me qëllime politike, ajo do të minojë seriozisht rregullat ekzistuese dhe rendin normal të tregut, do të dëmtojë interesat e ligjshme të investitorëve globalë dhe do të njollosë besimin e kompanive e investitorëve të mbarë botës ndaj kësaj burse.

Së dyti, edhe nëse tërhiqen nga Bursa e Nju-Jorkut, një gjë e tillë nuk do të ushtrojë ndikim të madh mbi tre kompanitë kineze. Vlera e përgjithshme e aksioneve të tyre të tregtuara në Bursën e Nju-Jorkut nuk arrin as 20 miliardë juanë, shumë kjo që zë vetëm 2.2 % të kapitaleve të tyre. Peter Milliken, drejtori i Departamentit të Kërkimeve të Telekomit për Azi-Paqësorin pranë "Deutsche Bank"-ut, është i mendimit se "këto kompani kineze kanë kapitale të mjaftueshme dhe s'kanë nevojë për kapitale të reja nga ShBA-ja apo vende të tjera". Edhe sikur të tërhiqen nga bursa amerikane, zhvillimi dhe funksionimi i tyre do të ndikohen në mënyrë shumë të kufizuar.

Më e rëndësishmja është se respektimi i rregullave ka qenë thelbi i statusit të ShBA-së si qendër financiare ndërkombëtare. Dëbimi i kompanive kineze është një vendim shumë dritëshkurtër dhe do të ushtrojë ndikime negative ndaj vetë ShBA-së shumë më të mëdha sesa parashikohet. Ashtu siç tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, statusi i ShBA-së si qendër financiare ndërkombëtare varet nga besimi i ndërmarrjeve dhe investitorëve të mbarë botës për gjithëpërfshirjen dhe sigurinë institucionale të këtij vendi. Ndërsa goditja e pabazë e palës amerikane ndaj kompanive të huaja aksionare pa dyshim do të dobësojë besimin global te tregu amerikan i kapitaleve.

Në komentin e saj, CMG-ja shprehet se është shqetësuese që baza e këtij besimi po lëkundet nga një pjesë politikanësh amerikanë. Aktualisht, marrëdhëniet kino-amerikane ndodhen në një udhëkryq të ri. Vetëm afrimi drejt njëri-tjetrit i të dy vendeve do të hapë "dritaren e re të shpresës". Respektimi i tregut e i ligjit dhe mbrojtja e interesave të ligjshme të investitorëve duhet të jenë zgjedhja largpamëse e të dy palëve. (Wang Lei)