消除---[xiāo chú]---Zhdukje
"Kur pi kafen e mëngjesit, ndoshta nuk e imagjinon se kafeja aromatike vjen nga vendlindja e çajit, Kina, dhe se kjo bimë po ndryshon jetën e shumë fermerëve kinezë". Kështu thuhet në një video të shkurtër që po përhapet gjerësisht në mediat perëndimore për lidhjen midis kafesë dhe zhdukjes së varfërisë në Kinë. "Në fakt, siç bëhet e ditur në video, sivjet, vetëm në qytetin Pu'er të Kinës Jugperëndimore, afro 600 mijë banorë u larguan nga varfëria, shifër kjo sa popullsia e gjithë Luksemburgut", shkruhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).
Në këtë vit, para presioneve të sjella nga goditja e koronavirusit të ri, Kina ka zhdukur varfërinë absolute në mbarë vendin sipas planifikimit, duke realizuar 10 vjet para afatit objektivin e Agjendës së Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030 të OKB-së. Numri i atyre që i dhanë lamtumirën varfërisë në Kinë zë 70 % të totalit botëror në katër dekadat e fundit. Lidhur me këtë, studiuesi amerikan Robert Lawrence Kuhn theksoi: "Kina ka bërë shumë arritje. Por asnjë tjetër nuk është më e prekshme se zhdukja e varfërisë, e cila është një mrekulli e vërtetë".
"Gëzimi nga populli i një jete më të mirë është pikënisja dhe synimi i të gjitha punëve tona". Këto fjalë të presidentit kinez Xi Jinping kanë qartësuar forcën drejtuese kryesore që ka sjellë këtë fitore të Kinës.
Zhdukja e varfërisë është një problem global. Për ta zgjidhur këtë problem të vështirë, qeveritë e ndryshme kineze kanë punuar njëra pas tjetrës. Pas Kongresit të 18-të të Partisë Komuniste të Kinës, Kina deklaroi betejën më të madhe kundër varfërisë në historinë e njerëzimit. Si kryekomandanti i kësaj beteje, Xi Jinping vizitoi 14 rajonet më të varfra të vendit dhe gjatë inspektimeve në krahina të ndryshme për përballimin e epidemisë, ai theksoi gjithmonë rëndësinë e këtij aksioni mbarëkombëtar.
Në majin e sivjetshëm, një dokumentar i prodhuar nga CMG-ja, që u transmetua në rrjetin amerikan PBS, tërhoqi vëmendje të gjerë për veprimet konkrete të Kinës për të ndihmuar banorët të dalin nga varfëria. Në dokumentar ka një shembull tipik që zbulon "sekretin" e Kinës: sekretari i Partisë për fshatin Lingmen të provincës Hainan, pas vizitës nëpër shtëpi të ndryshme, krijoi një dosje për të 37 familjet e varfra vendore, dhe hartoi një plan të shënjestruar sipas kushteve të tyre, si rritja e derrave dhe e krimbit të mëndafshit, mbjellja e pemëve frutore etj.
Siç u shpreh Stephen Perry, presidenti i "Klubit 48", synimi i zhdukjes së varfërisë është gdhendur thellë në shpirtin e liderëve e të popullit kinez.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha: "Zhdukja e varfërisë në mënyrë të shënjestruar është e vetmja rrugë për të ndihmuar njerëzit më të varfër dhe për të realizuar objektivat e Agjendës së Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030. Përvoja e Kinës mund të shërbejë si pikë referimi për vendet e tjera në zhvillim."
Tani pandemia e COVID-19 ende po ndikon gjerësisht tërë botën. Sipas një raporti të Programit të Zhvillimit të OKB-së (UNDP), në vitin 2020 afro 100 milionë veta rrezikohen të bien në varfëri ekstreme. "Në këtë moment të errët, zhdukja e varfërisë absolute në Kinë i ka sjellë shpresë dhe besim kauzës së njerëzimit për çrrënjosjen e varfërisë," përfundon komenti i CMG-së.
(Zhang Yan/Artan)