生态---[shēng tài]---ekologji
Parku kombëtar "Sanjiangyuan" (Burimi i tre lumenjve) në Qinghai ka bërë inovacion, duke krijuar sistemin “Një rojë për familje”. Tani mbi 17 mijë roja ekologjike janë regjistruar në këtë sistem, duke mbuluar të gjitha familjet në zonën e parkut.
Kjo ka mbrojtur në mënyrë më të ndjeshme burimet natyrore dhe ka nxitur zhvillimin e zonës blegtorale.
Çdo dhjetë ditë, banori i fshatit Niandu të qytezës Zaduo të provincës Qinghai, Yue Ga, bën patrullim në male bashkë me shokët e vet. Ky është viti i 5-të që Yue Ga punon si rojë ekologjike në zonën e lumit Lancang, pranë parkut kombëtar "Sanjiangyuan".
“Çdo herë kur shkojmë atje, shohim nëse ka njerëz të ardhur nga jashtë, ose nëse ka plehra. Ne i njoftojmë ata që të mos hedhin plehra dhe të mos i ndjekin për qejf bagëtitë dhe kafshët e egra,” thotë Yue Ga.
Në vitin 2016 nisi puna eksperimentale për sistemin e ri në parkun kombëtar "Sanjiangyuan", duke u promovuar sistemi i mbrojtjes ekologjike “Një rojë për familje”. Me këtë sistem, shumë blegtorë si Yue Ga janë bërë anëtarë të forcës mbrojtëse të parkut kombëtar.
Yue Ga vëren që sistemi i ri “Një rojë për familje” ka forcuar vetëdijen e njerëzve për mbrojtjen ekologjike.
“Më parë, nuk e kisha menduar që vendlindja ime mund të shndërrohej në një park kombëtar. Pasi u bë park kombëtar, kam statusin e mbrojtësit të vendlindjes. Tani ndërgjegjësimi për mbrojtjen e mjedisit është forcuar dhe vijimi i kësaj prirjeje është në të mirë edhe për brezat e ardhshëm,” thotë Yue Ga.
Pas krijimit të zonës eksperimentale të sistemit për mbrojtjen ekologjike në parkun "Sanjiangyuan", në çdo familje të 53 fshatrave vendorë është caktuar një rojë ekologjike. Në tërë parkun "Sanjiangyuan", 17 211 roja të tilla po merren me këtë punë dhe çdonjëri prej tyre mund të fitojë mbi 20 mijë juanë në vit.
“Tani numri i të gjitha kafshëve të egra është në rritje të dukshme,” bën të ditur Yue Ga.
Afër shtëpisë së tij është lumi Zhaqu, në rrjedhën e sipërme të lumit Lancang. Yue Ga thotë që ndihet krenar për mbrojtjen e ujërave të pastra të këtij lumi.
(Jiang Lei)