稳定性---[wěn dìng xìng]---Siguri

Konferenca Qendrore e Punës Ekonomike e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, e cila u zhvillua ditët e fundit, lëshoi një sinjal të rëndësishëm: politika makroekonomike e Kinës në vitin 2021 do të përqendrohet në stabilitetin. Sa i përket ekonomisë kineze, megjithëse ajo në përgjithësi është në procesin e rimëkëmbjes së dukshme, ka ende disa fusha dhe industri që nuk janë kthyer në normalitet. Ruajtja e vazhdimësisë, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së politikave makroekonomike pa dyshim ka injektuar siguri për rimëkëmbjen e qëndrueshme të ekonomisë kineze në vitin e ri.

Në sfondin e pandemisë, kjo siguri është bërë një pritshmëri në shkallë globale. Kohët e fundit, Kina njoftoi zyrtarisht të dhënat ekonomike për 11 muajt e parë, të cilat treguan rritje në sektorin e industrisë, të shitjes me pakicë dhe të investimeve. Në uebsajtin "German Finance Online" thuhet se kjo është një dhuratë nga Kina për ekonominë botërore. Rritja e qëndrueshme e ekonomisë kineze është një siguri e rrallë në gjendjen e ndërthurjes së faktorëve të ndryshëm të pasigurt sot në botë. Përveç kësaj, në shumë vende ka nisur vaksinimi kundër koronavirusit të ri dhe njerëzit kanë arsye të presin që ekonomia botërore do të përmirësohet vitin e ardhshëm.

Si një "fabrikë botërore", rimëkëmbja ekonomike e Kinës është thelbësore për të rregulluar zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit që janë goditur nga epidemia. Në nëntor, llogaritur në dollarë amerikanë, eksportet e Kinës u rritën me 21.1 %, duke tejkaluar shumë parashikimet e huaja dhe duke vendosur një rekord për rritjen më të lartë të eksportit që nga shkurti 2018. Pa dyshim, si një pjesë e rëndësishme e zinxhirit global të furnizimit, makineritë në fabrikat kineze kanë vijuar të punojnë për nevojat e njerëzve në botë.

Këto të dhëna gjithashtu e kanë bërë të pamundur për disa politikanë perëndimorë "shkëputjen" nga Kina. Siç tha Martin Wolf, kryekomentuesi ekonomik i gazetës britanike "The Financial Times" kohët e fundit, "Kina është ende një nga vendet prodhuese më konkurruese në botë".

Siguria që Kina mund t'i sjellë botës është më shumë se kaq. Tregu gjigant kinez që ka një potencial të madh dhe ndjek një nivel më të lartë hapjeje, është gjithashtu diçka që pritet me padurim. Sivjet, në kontekstin e rënies globale të investimeve të drejtpërdrejta ndërkufitare, investimet ndërkufitare të Kinës janë rritur përkundër prirjes, duke treguar një gjendje të fluksit neto. Në 11 muajt e parë, duke përjashtuar sektorët e bankave, letrave me vlerë dhe sigurimeve, përdorimi real i kapitalit të huaj në Kinë ishte 899.38 miliardë juanë, me një rritje prej 6.3 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo tregon plotësisht se pavarësisht gjendjes së turbullt të ekonomisë globale, për investitorët ndërkombëtarë, Kina është ende një vend i rrallë për investime.

Vlen të përmendet se në këtë mbledhje vjetore të PKK-së për punën ekonomike u theksua edhe një herë se Kina do të promovojë në mënyrë të gjithanshme reformën dhe hapjen, "për të lehtësuar hyrjen në treg, për të promovuar konkurrencën e ndershme, për të mbrojtur të drejtat e pronësisë intelektuale, për të ndërtuar një treg të unifikuar dhe për të krijuar një mjedis biznesi të orientuar drejt tregut, të legalizuar e të ndërkombëtarizuar. " Një nivel më i lartë i hapjes së tregut kinez do t'u sjellë më shumë mundësi kompanive globale dhe do të shtojë sigurinë për rimëkëmbjen e ekonomisë globale. (Vera)