返回---[fǎn huí]---Kthim
Zbriti sonda "Chang'e-5" nga Hëna
Në orën 01:59 të mëngjesit të së enjtes, sonda hënore kinez "Chang'e-5" zbriti me sukses në Siziwang të Rajonit Autonom të Mongolisë së Brendshme, duke sjellë me sukses dhe hënor për herë të parë në katër dekadat e fundit. Kjo simbolizon edhe kryerjen me sukses të misionit të parë të Kinës për marrjen dhe sjelljen e mostrave prej trupave qiellorë jashtëtokësorë.
Kryekomandanti i projektit të hulumtimit të Hënës, drejtori i Administratës Kombëtare Hapësinore të Kinës Zhang Kejian, deklaroi përfundimin me sukses të misionit, duke konfirmuar kthimin e sondës "Chang'e-5" pas një udhëtimi prej më shumë se 20 ditësh në kozmos. Rreth orës 1 të mëngjesit të 17 dhjetorit, Qendra e Kontrollit të Hapësirës Ajrore të Pekinit dërgoi një sërë treguesish lundrimi me saktësi të lartë, dhe orbituesi e kthyesi i sondës u ndanë në një lartësi 5000 kilometra mbi ujërat detare në jug të Atlantikut.
Në orën 01:33, sonda "Chang'e-5" nga një lartësi 120 kilometra mbi Tokë, hyri në shtresën atmosferike me shpejtësinë e dytë kozmike. Pasi zbriti në lartësinë e përcaktuar, kthyesi kërceu jashtë astmosferës dhe rihyri për të realizuar ngadalësimin e dytë. Në një lartësi 10 kilometra, ai hapi parashutën dhe zbriti në mënyrë të qëndrueshme në zonën e paracaktuar. Lidhur me këtë, zv.drejtori i Administratës Kombëtare Hapësinore Wu Yanhua u shpreh se misioni është kryer me shumë suksese dhe ka domethënie të jashtëzakonshme.
"Përfundimi i misionit simbolizon jo vetëm suksesin e kthimit të sondës hënore, por edhe kurorëzimin e projektit të kërkimeve tona hënore që përbëhet nga 'orbitimi, zbritja dhe kthimi'. Prandaj, kjo arritje është një gur kilometrik dhe hedh bazë për studimet e ardhshme. Mostrat e mbledhura në Hënë mund të ndihmojnë shkencëtarët kinezë dhe të vendeve të tjera të eksplorojnë hapësirën, ndërsa kryerja e këtij misioni do të shërbejë edhe për projektet e ardhshme kozmike", tha z. Wu.
Siç mësohet, sonda "Chang'e-5" do të transportohet në Pekin dhe prej saj do të merren mostrat e Hënës. Ndërkohë, do të fillojë puna studimore përkatëse.
"Chang'e-5" u lëshua më 24 nëntor dhe, pas dy rregullimeve orbitale dhe dy frenimeve kozmike, hyri në orbitën e Hënës. Më 1 dhjetor, sonda zbriti në sipërfaqen e Hënës dhe filloi mbledhjen e mostrave. Nga data 12 deri më 16 dhjetor, ajo kreu disa herë rregullime orbitale dhe u kthye në Tokë më 17 dhjetor.
Misioni "Chang'e-5" është projekti më i ndërlikuar i deritanishëm kozmik i Kinës. Gjatë zbatimit të tij janë krijuar shumë risi teknologjike, gjë që ka rëndësi të jashtëzakonshme për ngritjen e nivelit të eksplorimit nga Kina të trupave të tjerë qiellorë në të ardhmen.
(Zhang Yan/Artan)