消费---[xiāo fèi]---Konsumi
Ndërsa po afron fundi i vitit, festa e tregtisë elektronike “12-a e dyfishtë” (12 dhjetori) tregoi edhe një herë forcën e madhe blerëse të konsumatorit kinez. Ekspertët thonë se ekonomia në internet ofron mundësi të reja për konsumin në Kinë në epokën pasepidemike dhe se konsumi pritet të sjellë një rritje të madhe vitin e ardhshëm.
Një qytetare shprehet: "Bleva disa buzëkuqë, peshqirë për fytyrën dhe disa gjëra të përdorimit të përditshëm. Zakonisht shikoj transmetime të drejtpërdrejta kur i blej. Çmimet në dhomat e transmetimit të drejtpërdrejtë janë përgjithësisht më të ulëta se normalja. Gjithashtu, jemi ende në periudhën e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë. Nuk është e përshtatshme të dalësh jashtë, prandaj është më e sigurt po të blesh në internet."
Kurse një tjetër tha: "Produktet që përdoren në shtëpi, të tilla si tenxheret apo vaji i ullirit, mund të jenë të pajisura edhe me gota. Unë i krahasova çmimet e '12-s së dyfishtë' dhe ishin më të lira se në dyqan."
Pas festës së blerjeve të "11-s së dyfishtë" (11 nëntorit), kulmi i fundit i blerjeve në vitin 2020, shumë platforma të tregtisë elektronike janë ende të motivuara. Gjatë "12-s së dyfishtë" të këtij viti, "JD.com" filloi nga promovimet me intensitet të lartë, risitë e marketingut, shërbimet operacionale e aspekte të tjera dhe tërhoqi vëmendjen e konsumatorëve përmes dhjetëra miliardë subvencioneve e uljes së çmimeve. Ndërsa platforma tjetër e tregtisë elektronike, "Pingduoduo", u shpreh se, me rritjen e subvencioneve, tregtimi i frutave të importuara mund të përshpejtohet dhe shitjet pritet të rriten me më shumë se 60 % krahasuar me vitin e kaluar. Përballë fuqisë ende të madhe blerëse të konsumatorit kinez, Zhang Jianping, drejtori i Qendrës Kërkimore për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal të Ministrisë së Tregtisë, tha:
"Me rifillimin e punës dhe prodhimit në gjysmën e dytë të vitit, po rigjallërohet gjithnjë e më shumë konsumi i përgjithshëm në Kinë. Që nga tremujori e tretë konsumi ka vazhduar të rritet. Veçanërisht në dy muajt e fundit, konsumi kaloi nga territori negativ në atë pozitiv. Entuziazmi i konsumatorit duhet të mobilizohet. Aktualisht, një tjetër festë e konsumit të brendshëm, si '12 -a e dyfishtë' pas '11-s së dyfishtë', mund t'u jepet konsumatorëve, një masë që mund të zgjojë dhe të mobilizojë entuziazmin e konsumatorit për blerje. "
Sipas të dhënave nga "Pinduoduo", platforma e saj e "Blerjes globale" është bërë e parapëlqyer nga vajzat për të blerë produkte bukurie, për shkak të kostos efektive dhe dërgimit të drejtpërdrejtë. Përveç tyre, edhe produkte nga vendet e origjinës, të tilla si biskotat daneze, qumështi pluhur i Zelandës së Re, vera e kuqe franceze dhe ëmbëlsirat ruse gjithashtu kërkohen nga përdoruesit. Shumë prej konsumatorëve janë nga qytete të nivelit të tretë e të katërt dhe më poshtë.
Që nga fillimi i këtij viti, në kontekstin e epidemisë së koronavirusit, shumë dyqane fizike janë mbyllur, gjë që gjithashtu ka sjellë më shumë mundësi për zhvillimin e shpejtë të ekonomisë në internet. Zhang Jianping tha:
"Epidemia ka forcuar më tej funksionet dhe rolin e ekonomisë në internet dhe platformave të tregtisë në internet. Kina ka kontrolluar në mënyrë efektive epideminë në gjysmën e parë të këtij viti. Prandaj, i gjithë sistemi i brendshëm i biznesit e logjistikës në thelb është kthyer në normalitet. Në këtë proces, arsyeja kryesore është se platformat e tregtisë elektronike mund të jenë më efikase dhe më të përshtatshme, dhe gjithashtu kursejnë shumë kohë për konsumatorët. Prandaj, shkalla e rritjes së konsumit tonë në internet po tregon një prirje zhvillimi të fuqishëm dhe përqindja e tij në konsumin e përgjithshëm gjithashtu po rritet."(Vera/Artan)