旅游业---[lǚ yóu yè]---turizëm
"Miliona turistë kinezë po shkojnë në provincën Hainan në skajin jugor të Kinës. Kjo pamje përbën kontrast me gjendjen në rajone të tjera të botës, që vuajnë nga pandemia," komentoi agjencia e lajmeve "Reuters" në një artikull të së hënës. "Reuters" vë në dukje se provinca Hainan është shkëputur nga ndikimet e epidemisë së koronavirusit dhe normalizimi i atjeshëm ka tërhequr shumë turistë. Kjo pasqyron rimëkëmbjen e shpejtë të konsumit në Kinë.
Sipas artikullit të "Reuters"-it, në ishullin Hainan, që quhet edhe si "Havai kinez", nuk është raportuar ndonjë rast i prekjes nga COVID-19 për gjashtë muaj radhazi. Mjedisi i sigurt ka tërhequr shumë konsumatorë të shkojnë për të blerë në dyqanet pa taksa doganore, për të bërë fotografi me veshje dasme ose vetëm për të pushuar në plazh.
Gjendja normale në Hainan gjatë epidemisë ka forcë të madhe tërheqëse. Menaxheri i një bujtine bregdetare tha se shumë të rinj, që u mbyllën në shtëpi për shkak të epidemisë, vijnë në Hainan për të rrëshqitur mbi dallgë, shumë muzikantë vijnë për të mbledhur këngë popullore, shumë piktorë vijnë për të marrë frymëzim ... Numri i klientëve është tre herë më i madh se vjet. "Qysh nga rifillimi i turizmit në Hainan, çdo ditë ka qenë sezon piku," shprehet ai.
Në artikull vihet në dukje gjithashtu se në tetor të këtij viti, provinca Hainan priti gjithsej 9 milionë e 600 mijë turistë, ose 3.1 % më shumë në krahasim me tetorin e vjetshëm. Pavarësisht nga ulja e numrit të turistëve të huaj, më shumë turistë kinezë zgjedhin këtë ishull. Zhvillimi i shpejtë i turizmit në Hannan tregon se dega e konsumit në Kinë po del nga "përgjumja" e shkaktuar nga koronavirusi.
Qysh nga një korriku, Hainan-i ngriti kuotën vjetore të blerjes pa taksa doganore nga 30 mijë në 100 mijë juanë për njeri. Kjo politikë ka nxitur konsumin gjatë turizmit. Në katër muajt në vijim, vëllimi i shitjes së mallrave pa taksa doganore në Hainan i kaloi 12 miliardë juanët, duke u shtuar 214.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në qendrën e blerjes pa taksa "Haitangwan" në qytetin Sanya, turistët u habitën nga radhët e gjata jashtë dyqaneve të markave luksoze si "Chanel", "Gucci" etj. Një zonjë nga qyteti Chengdu tha: "Nuk më shkonte ndër mend se do të kishte kaq shumë njerëz këtu."
Sipas parashikimit të kompanisë së shërbimeve financiare "Morgan Stanley", "rikonsumimi" sivjet në Kinë pritet të arrijë në 165 miliardë dollarë amerikanë. (Wang Lei)