合作---[hé zuò]---bashkëpunim
Pas rreth 20 ditësh, do t'i themi "lamtumirë" vitit 2020 dhe do të hyjmë në vitin 2021. Me rastin e largimit të vitit të vjetër dhe mikpritjes së vitit të ri, më shumë se 20 të dërguar dhe përfaqësues diplomatikë të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në Kinë shkuan në Kunshan të Kinës Lindore, për të shijuar kulturën vendore, për të dialoguar me komunitetin e biznesit dhe për të parë zhvillimin e Kinës.
Bashkëpunimi midis Kinës dhe bllokut të vendeve të EQL-së mund të thuhet se zë fill të paktën në Forumin e 1-rë Ekonomiko-Tregtar midis Kinës dhe vendeve të EQL-së të zhvilluar në Budapest të Hungarisë në vitin 2011. Një vit më vonë, u mbajt në Varshavë takimi i parë i udhëheqësve Kinë-EQL. Kina propozoi 12 masa për të promovuar bashkëpunimin miqësor me 16 vendet e EQL-së. Vitin e kaluar, Greqia u bë një anëtare me të drejta të plota e bashkëpunimit Kinë-EQL dhe mekanizmi “16+1” u zgjerua në “17+1”.
Është e pamohueshme që në Evropë ka dyshime, madje edhe panik, për “17+1”, duke besuar se bashkëpunimi midis Kinës dhe EQL-së po minon unitetin e BE-së. Ky shqetësim është i panevojshëm. Kina bashkëpunon me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore jo për qëllimin e “ndarjes së Evropës”. Promovimi i paqes, bashkëpunimit dhe unitetit kanë qenë gjithmonë ndër fjalët kyçe të politikës së jashtme të Kinës. Kina gjithmonë ka mbështetur integrimin evropian dhe ndarja e Evropës nuk është në interes të Kinës. Miqësia midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore ka një histori të gjatë: në qershor 1951 u krijua kompania e përbashkët e transportit detar kino-polake "ChiPolBrok", e cila ishte ndërmarrja e parë me investime kineze dhe të huaja që prej krijimit të Kinës së Re. Në vitin 1952, Hungaria u godit nga kriza e urisë dhe Kina i siguroi shpejt asaj 50 000 tonë grurë. Vendet e EQL-së kanë trajnuar gjithashtu një numër të madh personeli inxhinieriko-teknik për Kinën dhe kanë mbështetur zhvillimin industrial të Kinës së Re... Në atë kohë, shumë vende të Evropës Perëndimore nuk kishin vendosur ende marrëdhënie diplomatike me Kinën e Re. Bashkëpunimi midis Kinës dhe vendeve të EQL-së ka një histori të gjatë dhe një themel të fortë në opinionin publik, gjë që nuk ka asnjë lidhje me lojërat gjeopolitike.
Në 10 vjetët e fundit, bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore ka ecur në një rrugë të shpejtë. Bashkëpunimi është një gjë e mirë, me leverdi të ndërsjellë dhe me përfitime jo vetëm për 18 vendet, por edhe për të gjithë Bashkimin Evropian. Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar midis Kinës e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore do të ndihmojë në ngushtimin e hendekut të zhvillimit midis Evropës Perëndimore dhe Europës Lindore. Vendet e Evropës Perëndimore kanë paga më të larta dhe kanë një fluks të madh të fuqisë së re punëtore nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Problemi i strukturës së popullsisë është i dukshëm, dhe problemet e popullsisë nga ana tjetër pengojnë ekonominë. Integrimi me ndryshime të mëdha në shkallën e zhvillimit nuk është një integrim i nivelit të lartë. Bashkimi Evropian nuk ka dalë ende plotësisht nga kriza e borxheve dhe e ka të vështirë të plotësojë kërkesën për investime në Evropën Qendrore dhe Lindore. Bashkëpunimi midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore ka sjellë investime, përmirësimin e infrastrukturës vendore, promovimin e zhvillimit të integrimit evropian, duke ndihmuar vendet e Ballkanit për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian. Mund të thuhet se bashkëpunimi midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në njëfarë mase ka zbutur problemin e zhvillimit të pabarabartë midis Evropës Lindore dhe Evropës Perëndimore në procesin e integrimit evropian.
Bashkëpunimi midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore është pararendësi i përfshirjes së Evropës në nismën "Një brez, një rrugë", ndërsa "Një brez, një rrugë" lidh qarqet ekonomike aziatike dhe evropiane. Duke gjykuar nga interesi i fortë i treguar nga vendet e Evropës Perëndimore pas nënshkrimit të marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP), bashkëpunimi Kinë-EQL është plotësisht e mundur të bëhet një urë që lidh ngushtë tregun e madh të BE-së prej 500 milionë banorësh dhe tregun prej 2.2 miliardë banorësh të RCEP-it , duke sjellë një begati më të madhe për botën dhe më shumë mundësi për shkëmbime e mësim të ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve. (Vera/Artan)