脱贫---[tuō pín]---shkëputje nga varfëria
Gjatë një interviste të shtunën për gazetaren e Grupit Mediatik të Kinës (CMG), ambasadori i Kroacisë në Kinë Dario Mihelin tha se shkëputja nga varfëria e 800 milionë banorëve kinezë është një kontribut kolosal për çështjen globale të zbutjes së varfërisë. "Në momentin kyç të përballimit të pandemisë në mbarë botën, Kroacia është e gatshme të përpiqet bashkërisht me Kinën dhe vendet e tjera për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht në mekanizmin e 'Bashkëpunimit 17+1' midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore (EQL)," theksoi z. Mihelin.
Gjatë intervistës për CMG-në në maj të këtij viti, kur epidemia e COVID-19 u përhap në mbarë globin dhe situata e përballimit të saj nuk ishte e qartë, Mihelini shprehu besimin e tij për realizimin patjetër të objektivave të Planit të 13-të Pesëvjeçar të Kinës. Në fund të këtij viti, duke i hedhur një sy historisë së shkëputjes nga varfëria të fshatrave kinezë, Mihelini tha se atij i ka lënë përshtypje shumë të thella: "Kam dëshmuar historitë prekëse në provincat e ndryshme të Kinës, veçanërisht në fshatrat e vogla në provincat Yunnan dhe Guizhou. Banorët e atjeshëm janë shkëputur nga varfëria ekstreme dhe i kanë shtuar gradualisht të ardhurat, duke u ngjitur në nivelin e shtresës së mesme."
Tani fokusi i ambasadorit Mihelin është zhvendosur në Planin e 14-të Pesëvjeçar të Kinës. "Ndjek me vëmendje planin e ardhshëm pesëvjeçar, përfshirë objektivat e zhvillimit deri në vitin 2035. Rëndësia e tij kryesore është që Kina do të shndërrohet nga një vend në zhvillim në një vend të zhvilluar të nivelit të mesëm. Besoj se Kina do të vazhdojë përpjekjet e saj për ta ndihmuar shtresën me të ardhura të ulëta të kthehet në shtresë me të ardhura të mesme dhe do të realizojë më në fund objektivat e saj."
Për pandeminë e tanishme, Mihelini është i mendimit se studimi e prodhimi i vaksinave do t'i sjellë shpresë njerëzimit, megjithatë, përdorimi i vaksinave dhe rimëkëmbja e jetës pas pandemisë kanë nevojë për përpjekjet e përbashkëta të vendeve të ndryshme. "Sidoqoftë, dëshirojmë të shohim bashkëpunimin e vendeve të ndryshme në përballimin e pandemisë dhe në nxitjen bashkërisht të përdorimit të vaksinave. Vaksina e parë kundër COVID-19 do të miratohet për përdorim së shpejti, prandaj bashkëpunimi ndërkombëtar do të mishërohet në pranimin e vaksinave dhe përdorimin e tyre, do të pasqyrohet në rifillimin e shkëmbimeve njerëzore, rinisjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushat kulturore, ekonomiko-tregtare, turistike etj. Këto nuk mund të kryhen nga një vend a kontinent i vetëm. Nëse dëshirojmë të kthehemi në gjendjen normale të mëparshme, duhet të kemi një bashkëpunim ndërkombëtar të sinqertë midis të gjitha vendeve, të kemi njohjen e ndërsjellë të përpjekjeve për përballimin e pandemisë dhe t'i kushtojmë rëndësi rolit të organizatave ndërkombëtare," tha ai.
Po të shtunën, në Kunshan të provincës Jiangsu të Kinës Lindore u zhvillua mbrëmja gala e bashkëpunimit mes Kinës e vendeve të EQL-së, ku ishin të pranishëm edhe zv.ministri i Jashtëm i Kinës Qin Gang dhe diplomatë të vendeve të EQL-së.
Si veprimtaria më e madhe e shkëmbimeve kulturore midis Kinës dhe vendeve të EQL-së sivjet, kjo mbrëmje kishte si temë "Mësimi i ndërsjellë në fushën kulturore dhe krijimi i përbashkët i së ardhmes". Ambasadori i Kroacisë Dario Mihelin është i mendimit se kjo është një veprimtari e madhe artistike në kuadër të "Bashkëpunimit 17+1"."Kultura dhe arti janë mënyrat më të mira për shprehjen e ndjenjave e të shpirtit të popujve, të idealeve kombëtare dhe të trashëgimit të historisë," tha ai. (Wang Lei/ Artani)