返回---[fǎn huí]---kthim
Në orën 23:10 të 3 dhjetorit, motori i mjetit ngritës të sondës hënore kineze "Chang’e-5" punoi për rreth gjashtë minuta, duke çuar në orbitën e caktuar të Hënës mjetin ngritës, ku mbahen mostrat e mbledhura nga sateliti i vetëm i Tokës. Kjo është hera e parë që një mjet kozmik kinez realizon ngritjen nga një trup jashtëtokësor.
Ndryshe nga ngritja prej Tokës, mjeti ngritës i sondës "Chang’e-5" nuk ka skelet të plotë lëshimi dhe mjeti zbritës shërben si një skelet i përkohshëm për të. Ngritja kozmike ka shumë paqartësi dhe, për shkak që në Hënë nuk mund të bëhet orientimi nëpërmjet yjësive gjatë navigimit, pas ngritjes duhet të bëhet vetëpozicionimi me sensorët e posaçëm të instaluar në mjetin ngritës, me ndihmën edhe nga qendra e kontrollit në Tokë.
Zv.kryeprojektuesi i sondës "Chang’e-5" pranë Grupit të Teknologjisë Hapësinore të Kinës, Xing Zhuoyi, prezanton:
“Kemi llogaritur që për çdo kilogram të mjetit ngritës, sonda jonë hulumtuese ‘do të paguajë një kosto’ katër kilogramë. Prandaj, pesha e mjetit ngritës është shumë e rëndësishme. Gjatë procesit të projektimit, për të garantuar kufizimin e rreptë të peshës, ne duhet të sigurojmë qëndrueshmërinë e ngritjes, duke e mbajtur peshën sa më të vogël. Kjo është një vështirësi për projektimin e sondës.”
Kryeprojektuesja e nënsistemit të kontrollit digjital të sondës "Chang’e-5" Cheng Huixia u shpreh që, gjatë misionit, sekonda e parë e ndezjes së motorit ishte më shqetësuesja për ata.
“Në fakt, në fillim, në sekondën e parë kur u ndez motori, nuk kishte telekomandim dhe aktivizimi u bë nga motori. Kjo është si një njeri që kërcen në fillim. Pas një sekonde, filloi komandimi automatik. Dhe pastaj mjeti ngritës e mori sondën, duke e ngritur në mënyrë të qëndrueshme për në hapësirë. Në fakt, ne të gjithë ishim të shqetësuar shumë nga ky moment dhe po shihnim nëse sonda mund të merrej me sukses nëpërmjet komandimit automatik,” tregon Cheng.
Para ngjitjes, mjeti zbritës dhe mjeti ngritës shpalosën bashkë flamurin kombëtar kinez. Kjo është hera e parë që Kina paraqet në mënyrë të pavarur flamurin kombëtar në Hënë.
Pas ngjitjes, mjeti ngritës mbaroi me sukses tre fazat teknike të ngritjes, duke u futur në orbitën e Hënës.
Pas bashkimit të mjetit ngritës me mjetin e orbitim-kthimit që priste në orbitën e Hënës, mostrat e mbledhura në Hënë do të transportohen në mjetin e kthimit, i cili do të përgatitet për kthimin në Tokë në një kohë të përshtatshme.
Tani sonda "Chang’e-5" është në fazën e kthimit. Lidhur me paraqitjen e sondës, kryeprojektuesi i mjeteve për misionin e sondës "Chang’e 5" Xie Jianfeng u shpreh:
“Nga lëshimi në futjen në orbitë dhe deri më tani, pas komandave kryesore, duke përfshirë marrjen e mostrave nga sipërfaqja e Hënës dhe nga shpimi në brendësi të saj, mund të themi që i gjithë procesi është perfekt dhe çdo hap është bërë sipas planit. Ngritja është një pjesë kyçe dhe po presim kthimin e suksesshëm.” (Jiang Lei)