监控---[jiān kòng]---përgjim
Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme e ShBA-së shpalli ditët e fundit se kandidati i Partisë Demokratike Joe Biden ka fituar në zgjedhjet presidenciale. Ndërkohë, gjatë bisedave telefonike me udhëheqësit e BE-s dhe të NATO-s, Biden-i theksoi thellimin dhe rilindjen e marrëdhënieve ndëratlantike. Kjo konsiderohet si një përpjekje e ShBA-së për përmirësimin e marrëdhënieve me Evropën. Madje, ndonjë media ka parashikuar se ShBa-ja dhe Evropa do të kthehen në "muajin e mjaltit".
A është e vërtetë kjo? Ndoshta do të gjejmë përgjigje te skandali i përgjimit nga ShBA-ja ndaj Danimarkës, komenton Grupi Mediatik i Kinës (CMG).
Sipas mediave daneze, gjatë viteve 2015-2016, kur Danimarka mendonte të blinte një kontingjent të ri aeroplanësh luftarakë, Agjencia e Sigurisë Kombëtare e ShBA-së (NSA), duke shfrytëzuar marrëdhëniet e veçanta me palën daneze në bashkëpunimin në fushën e shërbimit informativ, përgjoi Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punëve të Jashtme, si dhe ndërmarrjet e industrisë ushtarake të Danimarkës. Krahas kësaj, agjencia e shërbimit informativ të ShBA-së mblodhi fshehurazi informacione për dy ndërmarrje evropiane të industrisë ushtarake, që morën pjesë në tender. Në fund, avioni luftarak F-35, i prodhuar nga kompania amerikane "Lockheed Martin", fitoi në tender.
Sipas një personi të brendshëm, krahas spiunazhit ndaj Danimarkës, ShBA-ja ka bërë përgjim edhe kundrejt Suedisë, Gjermanisë, Francës, Norvegjisë, Holandës etj. Jo më kot analisti britanik i marrëdhënieve ndërkombëtare Tom Fowdy tha haptazi: "Kërcënimi i vërtetë i Evropës është nga Uashingtoni."
Atëherë, a ka mundësi që Evropa, që është përgjuar për një kohë të gjatë nga ShBA-ja, të restaurojë marrëdhëniet me të? Edhe po të mos ishte fjala për skandalin e përgjimit, në rrethanat e tanishme, marrëdhëniet amerikano-evropiane është e vështirë të kthehen në gjendjen e mëparshme, thekson CMG-ja.
Nga njëra anë, qysh nga periudha e administratës së Obamës, ShBA-ja filloi ta zhvendoste fokusin e strategjisë së vet ndërkombëtare në Azi-Paqësor dhe kjo i ka dëshpëruar thellësisht aleatët tradicionalë. Vitet e fundit, ShBA-ja ka ndjekur parimin "Amerika e para" dhe ka zbatuar unilateralizmin dhe proteksionizmin, nga të cilat ka vuajtur Evropa. A do t'i përmirësojë marrëdhëniet me Evropën administrata e re amerikane? Kjo do të varet nga interesat strategjikë të ShBA-së, por përcaktohet edhe nga politika e vet e brendshme.
Nga ana tjetër, në gjendjen shumë serioze epidemike, ShBA-ja po shtrëngohet ekonomikisht. Për administratën e re, detyra më e ngutshme është zgjidhja e problemeve të brendshme. Mbetet pikëpyetja sa do të harxhojë ShBA-ja për Evropën dhe zonat rreth saj.
Më e rëndësishmja është se, pas vuajtjeve gjatë disa vjetëve të kaluar, evropianët kanë forcuar dukshëm autonominë strategjike. Vihen re se në opinionin evropian dëgjohen gjithnjë e më shumë zëra zhgënjimi, e madje edhe për të treguar vigjilencë ndaj ShBA-së, kur diskutohet për marrëdhëniet ndëratlantike, si dhe më shumë thirrje për ruajtjen e gjakftohtësisë në marrëdhëniet me ShBA-në. Duke iu referuar fjalëve të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, mediet evropiane njoftuan se lideri i ri amerikan do të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj aleatëve të NATO-s, veçanërisht në shpenzimet e mbrojtjes kombëtare.
"Falë politikës së Biden-it, si dhe dëshirës së tij për përmirësimin e marrëdhënieve me aleatët, marrëdhëniet amerikano-evropiane do të përmirësohen në njëfarë mënyre në të ardhmen. Megjithatë, ky përmirësim do të jetë i kufizuar si pasojë e shumë mosmarrëveshjeve të papajtueshme midis dy palëve. 'Atlantizmi' duhet të përballojë realitetin," komenton CMG-ja. (Wang Lei)