协定---[xié dìng]---marrëveshje

Gjatë bisedës telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel të martën, presidenti i Kinës Xi Jinping tha se pala kineze është e gatshme të vazhdojë shkëmbimet e ngushta me palën evropiane për pikat kryesore të agjendës midis Kinës dhe Evropës, të bëjë përpjekje për të nxitur përfundimin në kohë të bisedimeve për marrëveshjen e investimeve Kinë-BE dhe t'i shtojë energji zhvillimit të partneritetit të gjithanshëm strategjik kino-evropian.

Një ditë më parë, gjatë telefonatës me komisionarin e lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell Fontelles, edhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi shprehu shpresën për arritjen sa më shpejt të marrëveshjes së investimeve Kinë-BE, që të krijohet një kornizë institucionale dhe perspektivë e mirë për bashkëpunimin kino-evropian në fushat kryesore.

Qysh nga viti 2013 Kina dhe Evropa kanë zhvilluar 34 raunde bisedimesh rreth kësaj marrëveshjeje dhe procesi i negociatave është shpejtuar dukshëm këtë vit, vëren në një koment të tij Grupi Mediatik i Kinës (CMG). Në videotakimin e shtatorit, liderët e të dy palëve konfirmuan edhe një herë se do të përpiqen t'i përfundojnë bisedimet brenda këtij viti. Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA, BE-ja dhe Kina kanë pasur përparim pozitiv në bisedime dhe "ka ende shpresë që të arrihet Marrëveshja e Gjithanshme e Investimeve Kinë-BE!"

Kina dhe Evropa janë sot ndër rajonet me gjendjen më të mirë ekonomike, perspektivën më të gjerë të bashkëpunimit dhe numrin më të madh të konsumatorëve në botë. Në kohën kur janë shtuar unilateralizmi e proteksionizmi dhe pandemia e COVID-19 ka dëmtuar ekonominë botërore, nëse Kina dhe BE-ja, ekonomitë e të cilave zënë një të tretën e vëllimit të përgjithshëm të ekonomisë botërore, do të arrijnë sa më parë marrëveshjen e investimeve, me siguri do të nxitet ngritja e partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-BE në një nivel më të lartë dhe do t'i shtohet energji e re ekonomisë botërore që është në tkurrje e sipër.

Është e pamohueshme se vitet e fundit janë pakësuar investimet kineze në Evropë, megjithëse Kina dhe BE-ja janë përkrahësit më të vendosur të globalizimit ekonomik. Në vitin 2017 investimet kineze në Evropë shënuan rekord, duke arritur në 18 miliardë e 460 milionë dollarë, ndërsa vjet vlera e tyre u ul në 7 miliardë e 580 milionë dollarë. Pakësimi i ndjeshëm i investimeve pason ngritjen e proteksionizmit tregtar dhe të konservatorizmit politik në BE. Zhvillimi i ndërmarrjeve kineze në BE ndodhet përpara sfidave të tilla, si i ashtuquajturi shqyrtim për sigurinë e investimeve të huaja etj.

Sipas një raporti mbi mjedisin e biznesit në BE (2019-2020) nga Instituti Studimor pranë Shoqatës së Nxitjes së Tregtisë të Kinës, besimi i ndërmarrjeve kineze për investimet në BE ka rënë në një masë të madhe dhe numri i kompanive kineze që e konsiderojnë BE-në si destinacionin kryesor të investimeve të tyre u ul me 78.63%. Mënyra më efektive për kthimin e kësaj prirjeje është që Evropa t'u ofrojë ndërmarrjeve kineze një mjedis biznesi të barabartë, të drejtë, të hapur dhe jodiskriminues. "Mund të themi se marrëveshja e investimeve Kinë-BE, që është duke u negociuar, është në kohën e duhur," thekson CMG-ja.

Më 15 nëntor, 15 vende të Azi-Paqësorit nënshkruan Marrëveshjen e Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP), që shënon nisjen zyrtare të zonës së tregtisë së lirë me popullsinë më të madhe, përmasën më të madhe e potencialin më të madh në botë. Po atë ditë, në komentin e saj me titull “Evropa duhet të mos e përjashtojë veten nga mundësia aziatike”, gazeta gjermane “Handelsblatt” vuri në dukje se, pavarësisht nga izolimi i mëtejshëm i ekonomisë botërore, RCEP-i do ta zgjojë patjetër Perëndimin nga gjumi. Për të kapur mundësitë kolosale në Azi-Paqësor të krijuara nga RCEP-i, mënyra më e lehtë për Evropën është nënshkrimi sa më shpejtë i Marrëveshjes së Gjithanshme të Investimeve Kinë-BE. (Wang Lei)