采样---[cǎi yàng]---nxjerrje mostre


Kina lëshoi me sukses të martën sondën "Chang'e-5", me raketën mbartëse "Marshimi i Madh-5" . Kjo shënon nisjen e fazës së tretë të programit kinez për hulumtimin e Hënës. Ky është misioni i 6-të e këtij programi, që do të zbatojë ndër detyrat më të ndërlikuara dhe më të vështira të fluturimeve kozmike të Kinës. Nëpërmjet tij , Kina do të realizojë për herë të parë kthimin në Tokë me mostrat e marra në Hënë, të cilat do të jenë në ndihmë të studimeve shkencore për formimin e evolucionit të Hënës.

Më 24 nëntor në orën 4 e 30 minuta, në mes të një gjëmimi të fuqishëm, raketa mbartëse "Marshimi i Madh-5" u ngrit prej Qendrës së Lëshimit Wenchuang në provincën Hainan të Kinës Jugore. Pas fluturimit prej 2200 sekondash, raketa e çoi normalisht sondën "Chang'e-5" në orbitën e parapërcaktuar.

Në mbi 20 ditët e ardhshme, sonda "Chang'e-5" do të zbresë në Hënë, do të nxjerrë aty afro 2 kg mostra dhe do të kthehet në Tokë. Sipas zv.kryeprojektuesit të fazës së tretë të programit të hulumtimeve në Hënë të Kinës, Pei Zhaoyu, objektivi më i rëndësishëm i këtij misioni është nxjerrja e mostrave nga Hëna dhe kthimi në Tokë.

"Objektivat e këtij misioni përfshijnë realizimin e përparimit në teknologjitë kyçe lidhur me nxjerrjen e mostrave në Hënë e kthimin në Tokë dhe përmirësimin e sistemit të programit të hulumtimeve në Hënë, për të hedhur bazat në talente, teknologji dhe materiale për zbritjen me astronaut në Hënë dhe për hulumtimin në hapësirën e thellë."

Në të kaluarën, edhe vende të tjera kanë kryer nxjerrjen e mostrave nga Hëna dhe kthimin në Tokë, por kësaj here, Kina do ta realizojë këtë detyrë në Hënë pa njerëz, gjë që është hera e parë në botë. Peng Jing, zv.kryeprojektuesi i sondës "Chang'e-5", shpjegon:

"Në të kaluarën mostrat e Hënës merreshin nga astronautët dhe silleshin në Tokë. Ish-Bashkimi Sovjetik nxori mostra nga Hëna me një mjet të vetëm, por vetëm 100-200 g në një herë. Kësaj here, synojmë të nxjerrim mostra nga Hëna në rang kilogrami me anë të sondës pa astronautë, pra do të jetë një risi."

Mësohet se pas zbritjes në Hënë, sonda "Chang'e-5" do të marrë mostra nëpërmjet dy mënyrave: shpimi dhe nxjerrja nga sipërfaqja. (Wang Lei/ Artani)