主张---[zhǔ zhāng]---Propozim

“Ne duhet të ndjekim parimin e konsultimeve të gjera, të kontributit të përbashkët e përfitimeve të përbashkëta, si edhe t’i përmbahemi multilateralizimit, hapjes e gjithëpërfshirjes, bashkëpunimit me dobi të ndërsjellë dhe ecjes me hapin e kohës.“ Në mbrëmjen e së shtunës, presidenti kinez Xi Jinping mori pjesë në samitin e 15-të të G20-s. Në videofjalimin e tij në fazën e parë të samitit, ai paraqiti propozime parimore dhe sugjerime të veçanta mbi rendin ndërkombëtar dhe qeverisjen globale në epokën paspandemike, duke ofruar një udhëzues të rëndësishëm për luajtjen e një roli më të madh drejtues nga G20-a, thekson CMG-ja në një koment të saj.

Dymbëdhjetë vjet më parë, kriza financiare globale përfshiu botën, duke sjellë edhe krijimin e mekanizmit të takimit të udhëheqësve të G20-s. Aktualisht, përballë kësaj epidemie të re, e cila është më shkatërruese sesa kriza financiare ndërkombëtare e vitit 2003, si mund të dilet nga gjendja e tanishme? Xi vuri në dukje se është e nevojshme të ndërtohet një mur mbrojtës global antiepidemik, të zhbllokohet situata e funksionimit të ekonomisë globale, të luhet roli nxitës i ekonomisë digjitale dhe të arrihet një zhvillim më gjithëpërfshirës. Mund të shihet se këto katër sugjerime vazhdojnë propozimet e tij të mëparshme në shumë konferenca ndërkombëtare dhe janë pasuruar e përmirësuar, duke ndërthurur shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe përvojën praktike të Kinës. Ato janë jashtëzakonisht realiste dhe kanë gjetur jehonë te udhëheqësit e shumë vendeve. Presidenti rus Vladimir Putin i bëri thirrje G20-s të marrë më shumë masa për të mbështetur vendet në zhvillim. Mbreti Salman i Arabisë Saudite vuri në dukje se dobësitë e zbuluara nga kjo krizë duhet të trajohen dhe duhet të mbrohet jeta dhe mjetet e jetesës së njerëzve.

CMG-ja vijon më tej në koment se, përballë problemeve të bashkërendimit ndërkombëtar në luftën kundër epidemisë dhe qëndrueshmërisë së pamjaftueshme të zinxhirit industrial dhe zinxhirit të furnizimit, bashkësia ndërkombëtare po mendon për të gjetur përgjigje mbi pyetje të tilla si: "Çfarë lloj rendi ndërkombëtar duhet të vendoset në epokën pasepidemike? Si mund të përmirësohet qeverisja globale? Çfarë roli do të luajë G20-a?"

"Forcimi i sistemit ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në thelb", "përmirësimi i strukturës së qeverisjes së globalizimit ekonomik", "promovimi i zhvillimit të shëndetshëm të ekonomisë digjitale" dhe "përmirësimi i aftësisë për t'iu përgjigjur sfidave globale" - katër propozimet e Xi Jinping-ut trajtojnë mangësitë e qeverisjes globale dhe pasqyrojnë të menduarit në thellësi për të ardhmen dhe fatet e njerëzimit. Ato synojnë t'i kthejnë krizat në mundësi, duke paraqitur një udhërrëfyes për qeverisjen globale në epokën pasepidemike.

Gjatë epidemisë është parë që ndonjë vend ka shfrytëzuar rastin për të përhapur “virusin politik”, duke mohuar rolin qendror të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të saj në bashkërendimin e luftës globale kundër epidemisë, duke bërë thirrje për unilateralizëm e proteksionizëm dhe duke i përkeqësuar më shumë dilemat globale. Në fjalën e tij, presidenti Xi theksoi se është e nevojshme të ruhet fuqimisht autoriteti dhe statusi i Kombeve të Bashkuara dhe sistemi tregtar shumëpalësh. Mund të thuhet se, duke u përballur me problemet e thella të rendit aktual politik dhe ekonomik botëror, duhet të bëhet parim programor që G20-a të luajë një rol drejtues më të madh në epokën pasepidemike.

Në të njëjtën kohë, në përgjigje të mungesës së konsensusit mbi rregullat e qeverisjes së ekonomisë digjitale në vende të ndryshme, presidenti Xi tha se Kina është e gatshme të diskutojë dhe formulojë rregullat të qeverisjes digjitale globale me të gjitha palët, të mbështesë forcimin e dialogut rreth inteligjencës artificiale etj. Kjo pasqyron të kuptuarit e duhur të prirjeve të zhvillimit ekonomik dhe ecjen me hapin e kohës, për të përmirësuar vizionin strategjik të qeverisjes. "Ecja me hapin e kohës" është çelësi për të ruajtur gjallërinë e G20-s.

Në komentin e CMG-së thuhet se 12 vjet më parë, përballë krizës financiare ndërkombëtare, Kina mbështeti dhe mori pjesë aktivisht në mekanizmin e G20-s dhe u bë "lokomotiva" që e nxori ekonominë botërore nga vështirësia. Edhe përballë sfidave të shumta nga epidemia e tanishme, kontributi i Kinës nuk ka munguar. Në epokën pasepidemike, një Kinë që këmbëngul të jetë "krijuese e paqes në botë, kontribuuese në zhvillimin global dhe mbrojtëse e rendit ndërkombëtar" do të vazhdojë të punojë me të gjitha palët për të promovuar përmirësimin e vazhdueshëm të sistemit të qeverisjes globale. (Vera/Artan)