发展---[fā zhǎn]---Zhvillim

Presidenti kinez Xi Jinping

"Ne nuk do të kthehemi kurrë pas në histori, nuk do të kërkojmë 'shkëputje' e as nuk të krijojmë një 'rreth të vogël ekskluziv'", tha presidenti kinez Xi Jinping në fjalimin e mbajtur në Dialogun e CEO-ve të APEK-ut. Duke folur nëpërmjet videos, kreu i shtetit i Kinës ritheksoi se ndërtimi i modelit të ri të zhvillimit të vendit të tij nuk synon kurrë një qarkullim të mbyllur të brendshëm, por dy qarkullime, të brendshëm dhe të jashtëm, që janë të hapura dhe mbështesin njëri-tjetrin. Ai shtjelloi çfarë përfitimesh do të ketë bota nga modeli i ri i zhvillimit të Kinës për sa i përket tregut, hapjes dhe bashkëpunimit.

Në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG) vihet në dukje se, në momentin e veçantë ku pandemia e COVID-19 po përshpejton ndryshimet që kanë ndodhur si kurrë më parë gjatë shekullit të fundit në botë, presidenti kinez, me të dhëna të shumta e shembuj konkretë, qartësoi aspektet e ndërtimit të modelit të ri të zhvillimit të Kinës, që përkatësisht janë zgjerimi i kërkesës së brendshme, nxitja e inovacionit tekniko-shkencor dhe thellimi i reformës. Lidhur me këtë, profesori Xiong Yu nga Shkolla e Biznesit e Universitetit të Surrey-t në Britani është i mendimit se, në rrethanat e ndërlikuara ndërkombëtare, Kina e ka kuptuar qartë situatën, duke parashtruar një projekt të qartë për zhvillimin e ardhshëm ekonomik, gjë që ka konsoliduar besimin e qarqeve të ndryshme për perspektivën e ekonomisë kineze.

"Në saje të tregut kinez, jemi më mirë", tha Olaf Kiesewetter, kryeekzekutivi i UST-it, një ndër kompanitë kryesore ofruese të sensorëve të automjeteve në Gjermani. Sipas tij, Kina ka hedhur hapa të mëdhenj në daljen nga kriza. "Pa tregun kinez, rezultatet tona në tremujorin e tretë nuk do të ishin aq të mira", shtoi ai. Tregu gjigant kinez është pikërisht një anë e rëndësishme e përfitimeve që modeli i ri i zhvillimit i Kinës mund t'i sjellë botës së tanishme.

Ndërkohë, fjalët e presidentit kinez se "mundësitë e tregut kinez do të çlirohen plotësisht për të krijuar më shumë kërkesë për vendet e ndryshme"; "dera e Kinës do të hapet më gjerë për të ndarë rastet e zhvillimit me vendet e tjera"; "bashkëpunimi i jashtëm i Kinës do të thellohet vazhdimisht për të realizuar leverdinë e ndërsjellë", përmbajnë të njëjtin kuptim, që është ndarja e përbashkët e rezultateve të zhvillimit. Kjo gjë pasqyron sinqeritetin dhe përgjegjësinë e Kinës për nxitjen e rimëkëmbjes së ekonomisë globale në të mirë të lulëzimit të përbashkët.

Sipas komentit, nga ulja e mëtejshme e tarifave doganore dhe e kostos institucionale, deri në nënshkrimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë me standarde më të larta me shumë vende, si dhe nxitja e ndërtimit të përbashkët të nismës "Një brez, një rrugë", Kina ka hartuar plane dhe masa konkrete për modelin e ri të zhvillimit, për të shtuar kërkesën e tregut, mundësitë e zhvillimit dhe leverdinë e përbashkët për botën. Pikërisht për këto arsye, firma gjermane e prodhimit të robotëve industrialë "Hahn Automation" planifikon të shtojë miliona euro investime në Kinë për të ndërtuar një fabrikë të re, që u quajt nga "Reuters"-i si një plan "ambicioz".

"Faktet kanë treguar se, pavarësisht prirjes prapavajtëse, globalizimi ekonomik është i pandalshëm, sepse asnjë vend nuk mund të zhvillohet duke mbyllur dyert. Modeli i ri i zhvillimit i Kinës nuk synon vetëm përmbushjen e nevojave të veta, por edhe shtimin e mirëqenies së popujve të tjerë. Kina gjithmonë ka qenë serioze dhe i ka kthyer fjalët në vepra sa i përket ndërtimit të një të ardhmeje më të bukur për Azi-Paqësorin dhe tërë botën", përfundon komenti i CMG-së.(Zhang Yan)