质量---[zhì liàng]---cilësi

Sivjet është 30-vjetori i krijimit të Zonës së Re Pudong në Shangai. Gjatë 30 vjetëve, Pudong-u është shndërruar nga një fshat në një zonë qytetëse moderne me funksione të pasura, zinxhir të plotë prodhimi dhe objekte e pajisje moderne, duke u bërë simbol i rëndësishëm i Reformës e Hapjes të Kinës dhe duke pasqyruar procesin e modernizimit të Shangait

Gjatë dhjetëra vjetëve, Pudong-u ka nxitur me fuqi të mëdha zhvillimin e industrisë kulturore e krijuese dhe ka bërë përpjekje aktive për një jetë me cilësi të lartë kulturore, duke sjellë përfitime ekonomike dhe shoqërore.

Përballë skelës "Bund" në pjesën perëndimore të qytetit, në bregun lindor të lumit Huangpu, ndodhen restorante, bare dhe kafene të shumta, të mbushura me njerëz. Në bulevardin buzë lumit, në çdo kilometër është vendosur një kioskë e veçantë, ku gjen libra, revista dhe vepra artistike. Gjatë ditës, njerëzit lexojnë libra dhe bëjnë pak pushim, ndërsa natën personazhet kulturore vijnë këtu për transmetime të drejtpërdrejta në internet.

Nëse dëshironi një mjedis kulturor "më të ngritur", mund të shkoni në Kullën e Shangait. Libraria “Duoyun” ndodhet në këtë ndërtesë të lartë mbi 600 metra. Kjo librari ka mbi 60 mijë libra dhe më shumë se 2000 produkte kulturore e krijuese. Përse është hapur një librari në një vend kaq të shtrenjtë? Kryemenaxheri i librarisë Ling Yun thotë:

“Kulla e Shangait është ndërtesa më e lartë në Kinë dhe ndodhet në Pudong. Në fakt, zhvillimi i Pudong-ut gjatë 30 vjetëve të fundit ka mishëruar në mënyrë të përqendruar zhvillimin e Shangait gjatë 70 vjetëve pas krijimit të Kinës së Re. Kështu që në Kullën e Shangait mund të shohim perspektivën e librarisë 'Duoyun'.”

Gjatë 30 vjetëve të zhvillimit të tij, Pudong-u ka arritur përparime ekonomike dhe shoqërore. Krahas kësaj, edhe jeta kulturore e tij, dikur e varfër, tani ka treguar gjallëri të fuqishme. Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Sportit dhe Turizmit në Zonën e Re Pudong, Huang Wei, u shpreh:

“Në të kaluarën, thoshim që ‘kultura është si skena dhe ekonomia është si aktori’ dhe theksi vihej te kultura publike dhe tradicionale. Ndërsa tani kjo nuk mjafton më. Vlera e shtuar e industrisë kulturore dhe krijuese ka arritur në 100 miliardë juanë dhe ka zënë 12 % të GDP-së, duke u bërë një shtyllë e ekonomisë. Prandaj kultura nuk është më një pjesë plotësuese, por kryesore. Është një sektor i pashmangshëm që jep kontribut shumë të madh për zhvillimin ekonomik".

Qendra Artistike 1862, me kapacitet 800 veta, ka qenë dikur një uzinë anijesh. Pas projektimit nga mjeshtër të arkitekturës, ajo është shndërruar në një teatër që ndërthur modën, artin dhe shfaqjet. Pas hapjes në 2018-n, ky teatër arriti të bëhet fitimprurës brenda nëntë muajsh.

Me ndërtimin e Operës së Shangait, Muzeut Lindor të Shangait, Muzeut të Artit të Pudong-ut, Skenës Artistike "Songcheng" etj., mjedisi kulturor dhe zhvillimi i industrisë kulturore e krijuese në Pudong do të ngjitet në një nivel të ri me cilësi të lartë. (Jiang Lei)