电商---[diàn shāng]---tregti elektronike
Epidemia e COVID-19 ka shkaktuar presione të shumta mbi tregtinë botërore. Në këtë gjendje të re, tregtia elektronike ndërkufitare që bazohet te interneti dhe logjistika ndërkombëtare, është bërë një pikë e re rritjeje, duke i shtuar gjallërinë ekonomisë botërore. Kjo është pranuar gjerësisht nga pjesëmarrësit në edicionin e 3-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE).
Në CIIE, puroja "Yirgacheffe" dhe kafeja "Sidamo" nga Etiopia janë regjistruar në platformën e tregtisë elektronike "Tmall" pranë kompanisë kineze "Alibaba".
Përfaqësuesi i këtyre dy produkteve thotë: “Është një mundësi jashtëzakonisht e mirë për ne që të shesim kafe tonë në platformën 'Tmall', sepse Kina ka një treg gjigant dhe ne i kushtojmë një rëndësi shumë të madhe. Shpresojmë që të vazhdojmë bashkëpunimin në të ardhmen.”
Krahas mallrave etiopiane, edhe mallrat cilësore nga vendet e tjera po blihen gjithnjë e më shumë nga konsumatorët kinezë. Kryemenaxheri i degës së kompanisë neozelandeze "Zespri" në Kinë, Jiang Shijie, bëri të ditur në CIIE që, për shkak të epidemisë, tregtia elektronike ka pasur rritje të dukshme dhe "Zespri" po zgjeron biznesin në internet.
“Pas shpërthimit të epidemisë, shitblerja në internet ka pasur rritje shumë të madhe. Biznesi ynë në internet në tregun kinez shënoi rritje me afro 25-30 %. Për këtë arsye, 'Zespri' po e zgjeron biznesin në internet, për t’u përshtatur me ndryshimet e modelit të konsumit,” tha Jiang Shijie.
Kina ka jo vetëm një treg konsumi me 1.4 miliardë veta, por edhe shtresën më të madhe me të ardhura të mesme në botë. Sivjet, tregtia elektronike ndërkufitare e Kinës ka pasur lajme të mira: në prill, u krijuan 46 zonat eksperimentale për tregtinë elektronike ndërkufitare; në korrik, doganat e Pekinit dhe Tianjin-it kanë filluar eksportin për tregtinë elektronike të modelit "nga biznesi për biznesin"; në shtator, 12 dogana në Shangai, Fuzhou etj. u përfshinë si pika eksperimentale për tregtinë elektronike ndërkufitare.
Në forumin “Tregtia elektronike ndërkufitare dhe digjitalizimi i tregtisë 2020” pranë CIIE-së, sekretari i përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë për Sektorin Elektronik të Kinës, Peng Lihui, tregoi disa shifra që tregojnë se tregtia elektronike po nxit rritjen tregtare globale:
“Gjatë periudhës epidemike, niveli i tregtisë elektronike ndërkufitare nuk pësoi rënie, por shënoi rritje. Në tre tremujorët e parë, vëllimi i shitjes me pakicë në internet i kaloi 8 trilionët juanët, 9.7 % më shumë se në 2019-n. Ajo zuri 24.3 % të shitjes me pakicë të të gjitha mallrave në vend, 4.8 pikë përqindjeje më shumë se vjet. Prej këtyre shifrave, mund të shohim që tregtia elektronike ndërkufitare dhe digjitalizimi i tregtisë mund të nxitin tregtinë globale.”
Peng Lihui u shpreh gjithashtu që, me zhvillimin e digjitalizimit të tregtisë elektronike ndërkufitare, do të lindin biznese e shërbime të reja dhe efektet nxitëse të ekspozitës CIIE do të vazhdojnë. (Jiang Lei)