机遇---[jī yù]---mundësi

Për videofjalimin e mbajtur të mërkurën nga presidenti i Kinës Xi Jinping në ceremoninë e hapjes së edicionit të tretë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE), shumë menaxherë të nivelit të lartë të shumëkombësheve që marrin pjesë në këtë ekspozitë, shprehën mendimin se hapja e mëtejshme e Kinës do t'u krijojë këtyre kompanive më shumë mundësi.

Në fjalimin e tij, Xi tha se Kina do të vazhdojë të ruajë konceptin e hapjes, të bashkëpunimit, të unitetit e të përfitimeve të përbashkëta dhe do të këmbëngulë në zgjerimin e gjithanshëm të hapjes.

Presidenti i degës për Kinën të gjigantit francez të kozmetikës "L'Oreal", Fabrice Megarbane, tha se, si një ndër kompanitë e para franceze në Kinë, "L'Oreal"-i ka dëshmuar sukseset kolosale të Reformës e Hapjes të Kinës dhe ka pasur përfitime prej tyre. Ai mirëpriti hapjen e mëtejshme të Kinës.

"Fjalimi i presidentit Xi na mundësoi të shikojmë qartazi se kemi ende mundësi të mëdha në Kinë dhe, njëkohësisht, edhe Kina do të ketë shumë mundësi në tregun botëror. Gjatë mbi 20 vjetëve, 'L'Oreal'-i ka hedhur rrënjë në Kinë dhe u ka ofruar produktet e shërbimet e veta konsumatorëve kinezë. Njëkohësisht, shërbimet në Kinë kanë nxitur edhe shërbimet tona globale. Kemi besim të plotë te investimet dhe zhvillimi ynë në Kinë," u shpreh Megarbane.

Në fjalimin e tij, Xi theksoi rëndësinë e besimit, guximit dhe solidaritetit në përballimin e sfidave serioze që gjenden përpara zhvillimit të ekonomisë botërore. Megarbane e miratoi këtë mendim dhe shtoi se vetëm nëpërmjet bashkëpunimit do të përballohen sfidat dhe do të krijohen kushte për rimëkëmbjen ekonomike.

Edhe kryeekzekutivi i zonës pankineze të kompanisë "Siemens", Lothar Herrmann, është i mendimit se fjalimi i kreut të shtetit kinez pasqyron vizionin dhe zemërgjerësinë e Kinës si një vend i madh, gjë që ka rëndësi të madhe në mjedisin e tanishëm të ekonomisë globale plot pasiguri.

"Jemi të bindur se hapja e mëtejshme e Kinës do t'i krijojë botës më shumë mundësi dhe do t'i japë ekonomisë botërore gjallëri për rimëkëmbje dhe zhvillim. 'Siemens'-i, që gjendet në tregun kinez prej afro 150 vjetësh, ka besim të plotë për potencialin kolosal të tregut kinez dhe zhvillimin e tij të qëndrueshëm. Në Planin e 14-të Pesëvjeçar të Kinës, ne shikojmë mundësi të reja te struktura e re e zhvillimit të Kinës," tha Hermann-i.

Kryezyrtari financiar për zonën pankineze i gjigantit gjerman të gjysmëpërçuesve "Infineon", Thomas Wevelsiep, thotë se ndihet i inkurajuar nga theksi që presidenti kinez vuri te "dy qarkullimet" në fjalimin e vet. Kina propozon të formohet një strukturë e re zhvillimi e bazuar kryesisht në qarkullimin e brendshëm dhe me ndërveprimin e këtij qarkullimi me atë të jashtëm. Kjo nuk do të thotë një qarkullim i mbyllur brenda vendit, por një qarkullim i dyfishtë dhe i hapur.

"Struktura e re e 'dy qarkullimeve' ka rëndësi të madhe për ne. Presidenti Xi theksoi rëndësinë e tregut të brendshëm nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, shprehu vendosmërinë e Kinës për hapjen e mëtejshme. Nëpërmjet dy qarkullimeve do të nxitet më tej rritja e kërkesës, dhe ne, si një kompani e gjysmëpërçuesve e përparuar në botë, jemi optimistë për tregun kinez dhe shpresojmë të zgjerojmë më tej shërbimet tona në Kinë," theksoi Wevelsiep-i.

Në fjalimin e tij, presidenti Xi premtoi gjithashtu se Kina do të vazhdojë t'i përkrahë ndërmarrjet e vendeve të ndryshme të zgjerohen në tregun kinez, nëpërmjet platformave si CIIE etj. Lidhur me këtë, drejtori i përgjithshëm për rajonin e Azi-Paqësorit i gjigantit gjerman të prodhimit të pajisjeve elektroshtëpiake "Vorwerk", Fredrik Lundqvist, u shpreh: "Nën udhëheqjen e presidentit Xi, Kina realizoi rimëkëmbjen ekonomike brenda këtij viti. Kjo më ka lënë përshtypje të thellë. Si një kompani e huaj, kënaqemi që jemi pjesë e rimëkëmbjes së ekonomisë kineze. Mendoj se, përveç Kinës, asnjë vend tjetër në botë nuk mund të organizojë tani një ekspozitë aq të madhe në mënyrë aq të sigurt."

Menaxheri i përgjithshëm për Kinën i kompanisë së famshme të prodhimit të çokollatave "FERRERO ROCHER", Mauro de Felip, tha se rimëkëmbja e Kinës, e para në botë, do t'u sjellë edhe vendeve të tjera shpresë për rimëkëmbjen e tyre ekonomike. Ai gjithashtu shprehu besimin se tregu i konsumit në Kinë do të vazhdojë të rritet me shpejtësi. (Wang Lei/Artan)