亚洲---[ yà zhōu]---Azi

"Sri-Lanka kurrë nuk do të nënshkruajë një marrëveshje të ndihmës me ShBA-në për Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit. As edhe në ëndërr", tha presidenti srilankas Gotabhaya Rajapaksa në një intervistë. Qëndrimi i kreut të shtetit të Sri-Lankës dëshmon dështimin e lobimit joshës të Pompeos për të nxitur kundërvënien e këtij vendi ndaj Kinës.

Në një koment të Grupit Mediatik të Kinës thuhet se jo vetëm në Sri-Lankë, por gjatë gjithë turit të sapopërfunduar në pesë vende të Azisë, kryediplomati amerikan hasi në jo pak refuzime të tilla. Për shembull, në ndalesën e parë, Indi, Mike Pompeo dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Thomas Esper u takuan me homologët indianë në një mbledhje "2+2". Sipas njoftimeve, propozimi i Pompeos për shitjen e dronëve MQ-9 u hodh poshtë nga Nju-Dehli. Ndërsa shënimet e mbledhjes të publikuara nga pala amerikane përmbajnë "citime origjinale" të fjalëve të ministrit indian të Mbrojtjes, sipas të cilave India "po përballon agresion të papërgjegjshëm nga Veriu", që besohet se i referoheshin Kinës. Por pala indiane mohoi se ministri i saj ka thënë fjalë të tilla dhe protestoi. Pas tre ditësh, pala amerikane e ndryshoi këtë citim në "India po përballon sfida", duke u shprehur se varianti i mëparshëm ishte një gabim përkthimi.

Për sa u përket vizitave në Maldive, Indonezi dhe Vietnam, përpjekjet e Pompeos patën dështim. Sipas gazetës indoneziane "The Jakarta Post", mysafiri nga Uashingtoni dukej sikur po kryente një "mision të pamundur", sepse Kina është partnerja më e rëndësishme tregtare e Indonezisë dhe vizita e tij ishte e pakuptimtë. Ndërsa ndalesa e shtuar papritur në Vietnam nuk arriti të nxiste liderët e këtij vendi ta lidhnin Pekinin me çështjen e mosmarrëveshjeve në Detin e Kinës Jugore.

Kështu që "lobimi kundër Kinës, i konceptuar dhe i zbatuar para zgjedhjeve presidenciale, u kthye në një komedi", thotë komenti.

Tani, kur bota ende është në ndikimin serioz të pandemisë dhe ekonomisë globale i mungon fuqia për rimëkëmbje, pothuajse të gjitha vendet dëshirojnë të forcojnë bashkimin dhe bashkëpunimin ekonomik për zhvillimin e tyre, jo të mbajnë anë për të plotësuar kërkesat e politikanëve amerikanë. "Po të kesh parasysh edhe faktin që politikanë si Pompeo janë njohur vitet e fundit për zhvillimin e diplomacisë së shantazhit, sanksioneve dhe gënjeshtrave, cili është ai vend që do të ishte i gatshëm të sakrifikonte interesat e veta për t'u vënë nën kontrollin e ShBA-së?", pyetet në komentin e CMG-së.

Në një artikull të botuar ditët e fundit në revistën e njohur amerikane "The Diplomat", thuhet se koncepti i botës i Pompeos duket sikur buron nga teoria se "ShBA-ja bën përjashtim". Ai është i mendimit se interesat e ShBA-së janë në thelb të barabarta me interesat e tërë njerëzimit. Por, faktet vërtetojnë se ky koncept është vetëm një shaka. (Zhang Yan/Artan)