绿色---[lǜ sè]--- I gjelbër

Në komunikatën e plenumit të 5-të të Komitetit Qendror të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës, përcaktimi i objektivit për mbrojtjen ekologjike dhe zhvillimin e gjelbër të Kinës është bërë një pikë kryesore.

Si një vend i madh me një popullsi prej 1.4 miliard banorësh, Kina i ka kushtuar vëmendje dhe investime si kurrë më parë mbrojtjes ekologjike dhe mjedisore në pesë vjetët e fundit. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës së Planit të 13-të Pesëvjeçar, vëllimi i lëshimit të dioksidit të karbonit në Kinë për njësi të PBB-së vazhdoi të bjerë; energjia jofosile zuri 15.3% të konsumit të energjisë; më shumë se 80 qytete kanë nisur projekte pilot të lëshimit të ulët të karbonit; ndërtesat e gjelbra përbënin 60 % të ndërtesave të reja civile në qytete e qyteza ... Znj. Beate Trankmann, përfaqësuesja e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara në Kinë, theksoi në një intervistë për CMG-në se, midis 25 treguesve të zhvillimit në Planin e 13-të Pesëvjeçar, dhjetë janë të burimeve dhe mjedisit, duke zënë 40 % të numrit të përgjithshëm. Një përqindje e tillë thekson rëndësinë që qeveria kineze u kushton çështjeve mjedisore.

Aktualisht, ndjekja e patundur e rrugës së zhvillimit të gjelbër është bërë një nga konceptet thelbësore të partisë që udhëheq Kinën. Si një nga pesë konceptet e reja të zhvillimit të Kinës, zhvillimi i gjelbër i ka sjellë vendit përmirësimin jo vetëm të mjedisit ekologjik, por edhe të cilësisë së zhvillimit. Për shembull, në pesë vjetët e fundit, industritë e llojeve të reja të energjisë, si energjia e erës dhe energjia diellore, janë zhvilluar fuqimisht, duke promovuar vazhdimisht transformimin e mënyrës së rritjes ekonomike të Kinës në të gjelbër dhe me lëshim të ulët karboni. Komunikata e plenumit të pestë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës e vë theksin në përparimin e revolucionit energjetik, përshpejtimin e zhvillimit të sistemeve industriale moderne, promovimin e optimizimit dhe përmirësimit të sistemit ekonomik dhe rëndësinë e zhvillimit të gjelbër dhe të qëndrueshëm, çka pa dyshim do të nxisë zhvillimin e industrive që mbrojnë ekologjinë dhe mjedisin. Mundësitë e reja të investimeve vazhdojnë të krijojnë hov të ri për të stimuluar ekonominë kineze. Sipas vlerësimeve nga agjencitë përkatëse, vlera e prodhimit e ekonomisë së gjelbër të Kinës pritet të arrijë në 12 trilionë juanë deri në vitin 2025, duke zënë rreth 8 % të PBB-së, kurse deri në vitin 2035 parashikohet se do të arrijë në më shumë se 10 % të PBB-së. Shumë ekonomistë parashikojnë që hapi tjetër në zhvillimin ekonomik të Kinës do të varet kryesisht nga rritja e gjelbër ekonomike.

Si një vend i përgjegjshëm, Kina po merr pjesë aktivisht në qeverisjen globale të mjedisit ekologjik, ndërsa i përmbahet rrugës së zhvillimit të gjelbër. Në pesë vjetët e fundit, Kina është vënë në udhëheqje në shkallë globale, duke shpallur "Planin kombëtar për zbatimin e Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030", duke promovuar zbatimin e Marrëveshjes së Parisit, duke realizuar objektivin e lëshimit të karbonit për vitin 2020 siç kishte premtuar përpara botës dhe duke nënshkruar e ratifikuar Konventën për Diversitetin Biologjik. Kina është gjithashtu vendi me kontributin më të madh në mbrojtjen e shtresës globale të ozonit. Gjatë takimeve të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti kinez Xi Jinping njoftoi se Kina "do të përpiqet të arrijë kulmin e lëshimit të dioksidit të karbonit deri në vitin 2030 dhe asnjanësimin e karbonit deri në 2060-n". Ai gjithashtu u shpreh se Kina do të bëjë përpjekje dhe do të japë ndihmesë më të madhe për zbatimin e Marrëveshjes së Parisit. Ky premtim solemn u vlerësua gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare. Mark Levine, një studiues i politikave energjetike, që dikur ka punuar në Laboratorin Kombëtar "Lawrence Berkeley" në Shtetet e Bashkuara, beson se objektivi Kinës për asnjanësimin e karbonit mund të inkurajojë vendet e tjera të ndërmarrin veprime më aktive se më parë. Kurse Yevgeny Seroychkovsky, këshilltar në Ministrisë ruse të Burimeve Natyrore dhe Ekologjisë, vuri në dukje se Kina ka dhënë kontribute të rëndësishme në mbrojtjen e biodiversitetit në tokë, ndërsa forcon qytetërimin e vet ekologjik. (Vera/Artan)