溃败---[kuì bài]---dështim i madh

Kohët e fundit, në qarqet e ndryshme të ShBA-së është përhapur rryma e reflektimit kundrejt dështimit të madh të qeverisë në parandalimin e kontrollin e epidemisë, përfshirë kryeekspertin e sëmundjeve ngjitëse të ShBA-së Anthony Fauci, guvernatorin e Shtetit të Nju-Jorkut Andrew Cuomo, themeluesin e kompanisë "Microsoft" Bill Gates, regjisorin fitues të çmimit "Oskar" për dokumentarin më të mirë Alex Gibney etj.

Ditët e fundit, u publikua dokumentari rreth përballimit të epidemisë së COVID-19, i krijuar bashkërisht nga Gibney dhe kolegët e tij. Titulli i dokumentarit, "Krejtësisht e kontrollueshme", është një sarkazmë ndaj qëndrimit të papërgjegjshëm të udhëheqësit amerikan. Në dokumentar pasqyrohen pështjellimi dhe gabimet e shumta të administratës amerikane në përballimin e epidemisë së COVID-19 dhe kritikohet ashpër dështimi në këtë drejtim.

Ashtu siç paraqitet në dokumentar, pas shpërthimit të epidemisë, udhëheqësi amerikan pretendoi gjatë një interviste televizive se "epidemia është krejtësisht e kontrollueshme". Por realiteti pasqyron krejtësisht të kundërtën. Deri tani, numri i të prekurve nga COVID-19 të konfirmuar në ShBA i kaluan 8.8 milionët dhe mbi 220 mijë veta kanë humbur jetën. Për dy ditë me radhë javën e kaluar numri ditor i rasteve të reja të të prekurve në ShBA i kaloi 80 mijët. Për këtë, Fauci, që quhet "Kapiteni amerikan i përballimit të epidemisë", shprehu shqetësim: "Nuk kemi parë uljen e të dhënave të epidemisë në një nivel të sigurt, përkundrazi, ato janë ngritur vazhdimisht dhe deri tani kanë shënuar një rekord shumë të rrezikshëm."

Pse ShBA-ja pësoi një dështim aq të madh në kontrollin e epidemisë? Në dokumentar paraqiten shkaqet e tragjedisë nga aspekte të ndryshme, nëpërmjet intervistave me specialistë të mjekësisë, zyrtarë dhe vullnetarë. P. sh., reagentët diagnostikues të pakualifikuar në ShBA shkaktuan gabim serioz sistematik në rezultatet e testimit në fazën fillestare të epidemisë dhe vetëm më 28 shkurt Qendra Amerikane e Kontrollit të Sëmundjeve filloi ta zgjidhte këtë problem. Në krahasim me gabimet teknike, masat e dështuara të administratës së tanishme amerikane janë faktori kyç i humbjes së kontrollit mbi epideminë.

Duke iu referuar dokumentarit, uebsajti amerikan "Business Insider" vuri në dukje se, në ekipin e reagimit ndaj epidemisë të Shtëpisë së Bardhë, të drejtuar nga zv.presidenti amerikan, numri i politikanëve e përfaqësuesve nga sektorët e ndryshëm është dy herë më i madh se numri i shkencëtarëve, gjë që ka shkaktuar në mënyrë të pashmangshme mosmarrëveshje lidhur me interesat e palëve në prodhimin, blerjen dhe shpërndarjen e materialeve parandaluese dhe ka dëmtuar efektivitetin në përgjigjen kundër epidemisë. Përballë përhapjes së epidemisë, vendimmarrësit amerikanë janë treguar të pandjeshëm, duke u nisur vetëm nga interesat e tyre vetjake, dhe qeveria federale ende nuk ka një taktikë të efektshme përballuese deri më sot.

Në librin e tij me titull "Kriza amerikane", të botuar kohët e fundit, guvernatori i shtetit të Nju-Jorkut Andrew Cuomo regjistron procesin e përhapjes së epidemisë në shtetin e tij nga këndvështrimi i një administratori vendor. Ai vë në dukje se qeveria federale ka fajin e pamohueshëm për vështirësitë e tanishme në Nju-Jork. Cuomo e kritikon gjithashtu qeverinë amerikane për përbaltjen e Kinës dhe OBSh-së. Njëkohësisht, ai vlerëson lart arritjet e Kinës në përballimin e epidemisë dhe falënderon palën kineze që i dhuroi palës amerikane shumë materiale për përballimin e epidemisë.

Informacioni i paraqitur si në dokumentarin e regjisorit të famshëm, ashtu edhe në librin e guvernatorit të Nju-Jorkut, demaskon të vërtetën e hidhur: llogaritjet politike janë mbi gjithçka tjetër dhe kjo ka qenë logjika e qeverisë amerikane në përballimin e epidemisë. (Wang Lei)