政客---[zhèng kè]---politikan

Javën e kaluar, qeveria amerikane miratoi planin e shitjes së tre sistemeve të armëve Tajvanit dhe, ditët e fundit, miratoi edhe shitjen këtij rajoni kinez të 100 sistemeve të mbrojtjes bregdetare "Harpoon", me një vlerë të përgjithshme prej 2.4 miliardë dollarësh amerikanë. Në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG) theksohet se qëllimi i palës amerikane është shumë i dukshëm. Në vitin e zgjedhjeve të përgjithshme presidenciale, ajo përpiqet të nxitë tensionin midis dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit nëpërmjet shitjes së armëve Tajvanit, duke mbajtur një qëndrim të fortë për frenimin e zhvillimit të Kinës, që të tërheqë vëmendjen e publikut nga kontradiktat e tjera të brendshme. Por orvatjet e palës amerikane do të dështojnë. Kundrejt veprimeve të palës amerikane, pala kineze është kundërpërgjigjur dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, që të kundështojë me vendosmëri çdo orvatje për pengimin e procesit të bashkimit të vendit.

Në komentin e CMG-së thuhet se parimi i "Një Kine" është baza e marrëdhënieve politike midis Kinës dhe ShBA-së. Çështja e Tajvanit ka të bëjë me interesat thelbësorë të Kinës dhe gjithashtu është problemi më delikat në marrëdhëniet kino-amerikane. Por gjatë mandatit të administratës së tanishme amerikane, një pjesë e politikanëve të Uashingtonit kanë provokuar herë pas here këtë "vijë të kuqe" dhe kanë acaruar pandërprerë tensionet në ngushticën e Tajvanit. Kohët e fundit, pala amerikane i ka intensifikuar manipulimet lidhur me çështjen e Tajvanit, duke dërguar zyrtarë të lartë në ishull, ndërsa anijet luftarake amerikane kanë përshkuar ngushticën e Tajvanit. Me një sërë veprimesh një pjesë e politikanëve amerikanë mundohen ta frikësojnë e t'i bëjnë shantazh Kinës.

Sigurisht, këta politikanë amerikanë e kuptojnë mirë ndjeshmërinë e madhe të çështjes së Tajvanit, megjithatë ata kanë bashkëvepruar fshehurazi me forcat për "pavarësinë e Tajvanit", duke luajtur me zjarrin e duke krijuar makinacione politike për zgjedhjet e përgjithshme. Njëkohësisht, ata gërshetojnë çështjen e Tajvanit me çështjen e Detit të Kinës Jugore dhe të ashtuquajturën "Strategji e Indo-Paqësorit", që të formojnë një front përreth Kinës për frenimin e zhvillimit të saj.

Populli kinez është paqedashës, por nuk do të tolerojë në asnjë mënyrë cenimin e sovranitetit e të interesave të sigurisë kombëtare, komentoi CMG-ja. Disa ditë më parë, pala kineze shpalli se do të vendosë sanksione ndaj kompanive amerikane që marrin pjesë në shitjen e armëve Tajvanit, si "Lockheed Martin", dega e pajisjeve dhe e shërbimeve të mbrojtjes e "Boeing"-ut dhe "Raytheon", si dhe subjekteve e individëve që kanë luajtur rol negativ në këtë proces. Ky është një veprim konkret për mbrojtjen e sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të Kinës. Nëse pala amerikane do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të rrezikshme e të acarojë situatën në ngushticën e Tajvanit, me siguri do të pësojë kundërmasa të mëtejshme prej palës kineze. Në këtë drejtim, politikanët amerikanë duhet të heqin dorë nga çdo ëndërrim dhe iluzion se do të kenë fat, komentoi CMG-ja.

Njëkohësisht, edhe forcat për "pavarësinë e Tajvanit", të mbështetura nga ShBA-ja, duhet ta kenë të qartë se, në syrin e politikanëve amerikanë, Tajvani mbetet një "gur shahu" jo i rëndësishëm dhe "bankomat". Një pjesë e mediave tajvaneze vunë në dukje se, për të plotësuar kërkesat në fushën e mbrojtjes, autoritetet tajvaneze pritet të shpenzojnë mbi 26 miliardë dollarë amerikanë për blerjen e armëve amerikane në disa vjetët e ardhshëm, duke sakrifikuar zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetesës në ishull.

Sipas një sondazhi ditët e fundit për sigurinë në ngushticën e Tajvanit me banorët tajvanezë, 94 % e të pyeturve shprehën shpresën në bashkekzistencën paqësore midis dy brigjeve dhe mbi 80 % përkrahën shkëmbimet midis dy brigjeve. Ky është pikërisht vullneti dhe opinoni kryesor i banorëve të të dy brigjeve. Pavarësisht nga orvatjet e politikanëve amerikanë dhe të forcave për "pavarësinë e Tajvanit", prirja historike për bashkimin e dy brigjeve të ngushticës nuk do të pengohet në asnjë mënyrë, e mbyll komentin CMG-ja. (Wang Lei/Artan)