纪录片---[jì lù piān]---dokumentar

Të dielën u zhvillua në Pekin ceremonia e publikimit të serisë së veprave tematike në përkujtim të Luftës së Rezistencës ndaj Agresionit të ShBA-së dhe të Ndihmës për Korenë.

Me rastin e 70-vjetorit të misionit të luftimit në Kore të Ushtrisë së Vullnetarëve të Popullit Kinez për të përballuar agresionin e ShBA-së dhe për të ndihmuar Korenë, Grupi Mediatik i Kinës (CMG) transmetoi kohët e fundit në kanalet e tij radiotelevizive, si edhe në platformat në internet, tre dokumentarë dhe një shfaqje artistike, të cilat kanë tërhequr mbi 1.9 miliardë shikues dhe kanë ngjallur jehonë të madhe në shoqërinë kineze. Me kërkesën e shikuesve, këto katër vepra u publikuan në mbarë botën nga Kompania Ndërkombëtare Televizive e Kinës (CITVC).

Në dokumentarin me gjashtë pjesë "Bijtë e bijat heroike", nëpërmjet intervistave të mbi njëqind veteranëve të Ushtrisë së Vullnetarëve, u rrëfye historia e heronjve të kësaj ushtrie, duke dhënë një pamje të plotë të solidarizimit të popullit kinez me rezistencën ndaj agresionit të ShBA-së e ndihmën ndaj Koresë, si edhe për mbrojtjen e atdheut të vet. Këto intervistë shërbejnë edhe si ruajtëse të këtyre dëshmive nga protagonistët e kësaj lufte.

Në dokumentarin po me gjashtë pjesë "Për paqen" vlerësohet fitorja madhështore e kësaj lufte dhe pasqyrohet fryma madhështore e luftës dhe rëndësia e saj në kohën e sotme.

Ndërkohë, Qendra e Gjuhës Kineze e CMG-së, duke u nisur nga vizioni ndërkombëtar dhe me metoda novative, prodhoi dokumentarin me 20 pjesë "Rezistenca ndaj ShBA-së, ndihma për Korenë dhe mbrojtja e atdheut". Në këtë dokumentar, paraqiten shumë fotografi, video, relikte dhe dokumente të vlerë historike, të cilat shfaqin në mënyrë të gjithanshme procesin e kësaj lufte dhe veprat heroike të luftëtarëve kinezë.

Shfaqja artistike "Bijtë e bijat heroike", me anë të simfonisë, korit, operës dhe formave të tjera artistike, pasqyron vullnetin e vendosur të Ushtrisë së Vullnetarëve të Popullit Kinez dhe epikën heroike të luftës për paqen.

Presidenti i CITVC-së Tang Shiding tha se versionet në anglishte, frëngjishte, spanishte, arabishte dhe rusishte të këtyre dokumentarëve do të publikohen në mbi 100 vende e rajone të botës. Ndërkohë, televizionet e 59 vendeve e rajoneve përgjatë "Një brez, një rrugë", në bashkëpunim me CITVC-në, do të transmetojnë dokumentarët e shfaqjen artistike. (Wang Lei)