工作---[gōng zuò]---punë

23-vjeçarja Xing Bao, pronare e një kioske, u bë shitëse me kohë të plotë në platformën e biznesit elektronik “Xiang Dian” muajin e kaluar, fill pasi la punën në një kompani interneti si punonjëse e operacioneve.

Tani puna e saj përfshin dizenjimin e posterave promovues, rekomandimin e produkteve të mira për klientët e saj në medien sociale dhe shërbimet pas shitjes. Ajo nuk ka më punë fikse, por fiton më shumë para.

“Në të kaluarën i kushtoja rëndësi largësisë midis shtëpisë e kompanisë kur kërkoja punë. Por tani synoj të kem më shumë të ardhura me më pak punë. Puna e tanishme më lejon të punoj në çdo kohë që dëshiroj, shumë orë ose pak, është elastike,” tha Xing për Grupin Mediatik të Kinës (CMG).

Vajzat dhe gratë e punësuara në mbarë botën po përballojnë gjithnjë e më shumë sfida nga pandemia e COVID-19.

Sipas raportit vjetor të kompanisë “McKinsey’s” për vajzat e gratë e punësuara, pandemia i ka shtuar sfidat që ato përballonin tashmë në kompanitë amerikane dhe dy milionë prej tyre po mendojnë ta lënë punën.

Ndërsa në Kinë, një pjesë e vajzave dhe grave kanë filluar biznesin e tyre personal për të punuar në mënyrë më elastike, kurse shumë të tjera kanë kaluar në tregun e punëve me kohë elastike, për të plotësuar më mirë kërkesat e tyre personale dhe për të lehtësuar trysninë e punës.

Xing fiton tani 40 - 50 mijë juanë (afro 6 000-7 500 dollarë amerikanë) në muaj, një rritje e madhe në krahasim me të ardhurat e mëparshme prej 7 mijë juanësh kur punonte në kompaninë e internetit.

E reja është tani një prej më shumë se dy milionë vetave që kanë “kioska” në internet në platformën “Xiang Dian” dhe mbi 90 % e tyre janë femra. Vetëm brenda këtij viti, kjo platformë tërhoqi afro 500 mijë shitës të rinj.

“Duliday”, një ofrues i shërbimeve të punës me kohë elastike me seli në Shangai, tani ka 30 milionë kandidatë në të ashtuquajturin "rezervuar të talenteve" dhe 55 për qind e tyre janë femra, ose 10 për qind më shumë se para shpërthimit të epidemisë.

Pjesa kryesore e kandidatëve kërkojnë një a dy punë me kohë të pjesshme, si ekspertë për shërbimin ndaj klientëve në internet, udhërrëfyes për blerjen me pakicë ose shpërndarës të produkteve. Disa vajza dhe gra e kanë ulur numrin e orëve në punët e tyre me kohë të plotë, për të pasur më shumë kohë për të bërë punë elastike.

“Nëse ato bëjnë dy punë me kohë të pjesshme, të ardhurat e tyre mund t'i kalojnë ato nga punët me kohë të plotë,” thekson Yang Xiaoqi, zv.presidenti i parë i “Duliday”-it.

Shumë nga arsyet e parapëlqimit të punëve me kohë elastike kanë lidhje me ndryshimet ekonomike pas shpërthimit të pandemisë. Shumë prindër tani po përballojnë një gjendje më të vështirë.

Z. Sun, babai i një fëmije 6-vjeçar, tha se kërkesat e fëmijës e kanë ndryshuar kohën e punës së prindërve:

“Ime shoqe është ndihmësmenaxhere e përgjithshme në një firmë tregtie. Gjatë pandemisë, fëmija jonë duhet të ndjekë kurset në internet, nën shoqërimin e prindërve. Tani bashkëshortja punon 5 a 6 orë në ditë, ndërsa në të kaluarën duhej të punonte 8-9 orë në ditë. Ajo thotë se nuk është aq e zënë tani.”

Në sektorët që kanë pasur gjithmonë shumë punonjëse femra, si shërbimet, dëfrimi, hoteleria e shitjet me pakicë, si edhe sektorët e financave, të burimeve njerëzore e të administrimit, tani shihen më shumë gra që punojnë me kohë të pjesshme. (Wang Lei/ Artan Goga)