智能医院---[zhì néng yī yuàn]---spital inteligjent

Të dielën në Hangzhou të Kinës Lindore u zhvillua Forumi i Inovacionit dhe Zhvillimit Inteligjent të Spitaleve Publike me temë “Infrastruktura e re mjekësore, e ardhmja e re inteligjente”.

“'Spitali inteligjent' është bërë një shprehje mjaft e përdorur në sektorin mjekësor dhe ky koncept është zhvilluar shumë shpejt,” thotë Ye Quanfu, drejtori i Institutit të Menaxhimit Mjekësor pranë Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë të Kinës.

Në vitin 2014 Kina publikoi "Udhëzimet mbi zhvillimin e shëndetshëm të qyteteve inteligjente", në të cilat u përmend për herë të parë ndërtimi i spitaleve inteligjente. Më pas, pushteti qendror dhe ai vendor publikuan një sërë politikash për të nxitur zhvillimin e shpejtë të spitaleve inteligjente.

“Spitalet kineze janë në fazën e rëndësishme të kalimit drejt informatizimit inteligjent,” thotë Ye. Spitalet inteligjente përfshijnë menaxhimin inteligjent, shërbimet inteligjente dhe përkujdesin inteligjent. Sipas tij, pas shpërthimit të COVID-19, vlera e spitaleve inteligjente është bërë edhe më e spikatur.

“Me telemjekësinë, rezervimin e vizitave në internet dhe analizën e të dhënave të mëdha, mjekësia inteligjente ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në pakësimin e grumbullimeve në institucionet shëndetësore, mbështetjen për vendimmarrjen antiepidemike dhe përmirësimin e planeve të mjekimit, duke nxitur zbatimin e konceptit të spitaleve inteligjente dhe pranimin prej publikut të këtij koncepti,” thotë Ye.

Spitali i Zhejiang-ut është një shembull i vënies në jetë të konceptit të spitaleve inteligjente. Vitet e fundit, me përdorimin e "trurit digjital", ky spital ka eksploruar teknologji të reja inteligjente dhe ka promovuar zhvillimin e shpejtë të diagnostikimit dhe trajtimit inteligjent. Spitali në mënyrë të vazhdueshme ka shfrytëzuar të dhënat e mëdha në vendimmarrjen më të saktë klinike, gjë që ka përmirësuar efektivisht përvojën e pacientëve.

Në fakt, Zhejiang-u e ka filluar eksplorimin e spitaleve inteligjente dhjetë vjet më parë. Ai ka krijuar një model efektiv me integrimin e plotë të diagnostikimit e trajtimit dhe ka nisur projektin “Kombinim i dy kartave, shërbim me një sistem”, i cili mbulon tërë provincën.

Krahas kësaj, është vënë në funksionim edhe aplikacioni shëndetësor "Zhejiang Health Navigation", në të cilën janë integruar funksione si regjistrimi dhe këshillimi mjekësor.

Zv.kryetari i Komisionit të Shëndetësisë të Zhejiang-ut, Yu Xinle, thotë që këtë vit, spitalet inteligjente në Zhejiang janë lidhur me departamentet e menaxhimit urban dhe të ashtuquajturit "trurë urbanë", që jo vetëm ofrojnë shërbime mjekësore, por edhe zgjidhin probleme, si parkimi dhe ushqimi gjatë procesit të mjekimit në spitale.

“Tani, kur shkojmë në spital, koha e parkimit, e pritjes dhe e qëndrimit është shkurtuar. Koha e qëndrimit të pacientëve në tre spitalet kryesore është pakësuar nga 8.61 ditë në 2016-n në 6.9 ditë vjet,” thotë Yu.

Krahas Hangzhou-t, edhe disa qytete të tjera në Kinë po promovojnë shërbimet mjekësore inteligjente.

Për shembull, qysh nga viti 2016, spitali provincial i Anhui-t ka promovuar një sistem shumëfunksional vetëshërbimi në spital. Me makinat e vetëshërbimit, pacientët mund të aplikojnë për karta mjekësore, të rezervojnë dhe të paguajnë për shërbimet mjekësore.

Në farmacinë e spitalit, makina e shpërndarjes automatike të barnave e ka pakësuar kohën e shpërndarjes nga 30 në 8 sekonda.

Por ka ende një grup njerëzish që nuk mund të përdorin lehtësisht shërbimet inteligjente. P. sh., shumë pacientë të moshuar kanë vështirësi të përdorin sistemin e regjistrimit me integrim të plotë që përdoret në shumë spitale. Ata nuk dinë si bëhen pagesat me celular ose si përdoret navigacioni, si bëhen fotografitë e videot dhe si rezervohen taksitë nëpërmjet aplikacionit në celular. Gjërat që janë shumë të thjeshta për brezin e ri, janë shumë të vështira për ta.

Gjatë epidemisë këtë vit, një i moshuar në një stacion metroje në qytetin Dalian nuk dinte se si të tregonte kodin e tij shëndetësor në celular. Pas shumë përpjekjesh të dështuara, ai duhej të kërkonte ndihmë nga policia.

Në mënyrë që të ndihmojë pacientët e moshuar dhe njerëzit e tjerë që kanë nevojë për rimbushje të kartës së vetëshërbimit, rezervim të vizitës etj., Spitali i Zhejiang-ut, Spitali provincial i Anhui-t dhe shumë spitale të tjera në Kinë kanë ngarkuar vullnetarë, për t'i ndihmuar ata të mësojnë se si të përdorin aplikacionet dhe pajisjet inteligjente. (Jiang Lei)