浪费---[làng fèi]---Shpërdorim

Ndërsa bota shënoi Ditën e 40-të Botërore të Ushqimit, 16 tetorin, koncepti i "kursimit të ushqimit dhe i luftës kundër shpërdorimit të tij" po hyn gjithashtu në çdo aspekt të shoqërisë kineze. Disa ditë më parë, Andrea Segrè, një profesor i politikës bujqësore ndërkombëtare në Universitetin e Bolonjës në Itali dhe nismëtar i Lëvizjes "Mbeturina Zero", tha në një intervistë për CMG-në se aksioni i Kinës "Ekonomizim dhe luftë ndaj shpërdorimit të ushqimit" ka një rëndësi të madhe.

Siguria ushqimore është një shqetësim për të gjithë botën, veçanërisht në një kohë kur epidemia e COVID-19 ka sjellë sfida para sigurisë ushqimore. Çështjet e sigurisë ushqimore po marrin gjithnjë e më shumë vëmendjen e duhur, dhe pakësimi i shpërdorimit të ushqimit është një aspekt i rëndësishëm i mbrojtjes së sigurisë ushqimore. Aktualisht, departamentet përkatëse kineze po kryejnë hetime për të përshpejtuar krijimin e një mekanizmi afatgjatë të sundimit të ligjit lidhur me "luftën kundër shpërdorimit të ushqimit". Në të njëjtën kohë, shoqëria kineze po fillon veprimtari promovuese në shkallë të gjerë për "kursimin e ushqimit" dhe koncepti i vlerësimit të ushqimit dhe kujdesit për tokën po thellohet në zemrat e njerëzve. Në intervistën e tij, profesori Andrea Segre shprehu vlerësimin për politikat dhe masat e Kinës.

Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara, më shumë se 2 miliardë njerëz në mbarë botë aktualisht nuk kanë qasje në ushqimin e sigurt, të përshtatshëm dhe me vlera ushqyese. Epidemia mund ta rrisë numrin e njerëzve të uritur në mbarë botën me 83 milionë deri në 132 milionë, nga 690 milionë që ishte numri i tyre vitin e kaluar. Segre beson se veprimi i "kursimit të ushqimit" që po kryhet aktualisht nga shoqëria kineze, ka një domethënie të madhe për sigurinë globale të ushqimit.

Themeluesi i Lëvizjes "Mbeturina Zero" gjithashtu theksoi rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta ndërkombëtare. Ai tha se, nëse duan të arrijnë rezultate në nivel ndërkombëtar, vendet e ndryshme duhet të punojnë së bashku për të vepruar.

Prof. Segre filloi të studionte sistematikisht problemin e mbeturinave ushqimore në vitet '90 të shekullit të kaluar dhe në të njëjtën kohë krijoi sistemin e "tregut të minutës së fundit", që lidh prodhuesit dhe tregtuesit që kanë tepri ushqimi, me ata që janë në nevojë. Në vitin 2010, ai nisi fushatën "Mbeturina zero" në Itali, qëllimi kryesor i së cilës është të promovojë "praktika më të mira" të ndryshme për parandalimin dhe pakësimin e shpërdorimit të ushqimit. Segre shpreson që vendet e ndryshme do të forcojnë shkëmbimet dhe do të mësojnë nga praktikat dhe përvojat e mira të njëri-tjetrit.

"(Italia) ka krijuar një Ditë Kombëtare të Parandalimit të Mbetjeve Ushqimore, për t'u dhënë çmime individëve dhe kompanive që janë të përkushtuar për të zvogëluar shpërdorimin e ushqimit. Ka shumë praktika dhe projekte të reja në Itali çdo vit, të tilla si edukimi në kampuset e universiteteve dhe aktivitetet promovuese, aplikacionet në celular të riciklimit të ushqimit etj. Qëllimi është disa praktika të mira të kuptohen nga më shumë njerëz, në mënyrë që ata t'i imitojnë ose t'i zbatojnë ato. Unë mendoj se Kina dhe Italia mund të ndajnë përvoja të mira, praktika ose projekte, të cilat do të ndihmojnë në ndërtimin e sistemeve përkatëse që zvogëlojnë humbjet e ushqimit." (Vera)