推进---[tuī jìn]]---Përshpejtoj

Në nëntor në Shangai do të organizohet Ekspozita e Tretë Ndërkombëtare e Importit e Kinës (CIIE). Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Tregtisë, Gao Feng, sipërfaqja e rezervuar nga kompanitë e tejkalon asaj të ekspozitës së dytë dhe punët përgatitore po përshpejtohen sipas planifikimit.

Gao prezantoi se edicioni i sivjetshëm do të përbëhet nga gjashtë zona ekspozimi: produktet ushqimore dhe bujqësore, automjetet, industria inteligjente dhe teknologjia e informacionit, produktet e konsumit të përditshëm, pajisjet mjekësore e produktet e kujdesit për shëndetin dhe tregtia e shërbimeve. Ai vuri në dukje se është përmirësuar më tej projektimi i sallave dhe pjesëmarrësit janë të një niveli më të lartë.

"Në reagim ndaj pikave të nxehta të kohëve të fundit dhe prirjes së zhvillimit të sektorëve përkatës, në këtë ekspozitë janë ndarë katër zona të posaçme për shëndetin publik dhe parandalimin e kontrollin e epidemisë, mbrojtjen e mjedisit dhe kursimin e energjisë, pajisjet për transportin inteligjent, si edhe produktet sportive, të cilat janë mirëpritur prej ndërmarrjeve të regjistruara. Numri i pjesëmarrësve nga 500 kompanitë më të fuqishme të botës dhe gjigantët udhëheqës të sektorëve të ndryshëm e ka kaluar atë të dy edicioneve të mëparshme. Ka një kontingjent kompanish që rezervuan njëherësh pjesëmarrjen në tre edicionet e ardhshme për të siguruar një vend ekspozimi", tha Gao Feng.

Zëdhënësi theksoi se, sipas kërkesave të parandalimit dhe të kontrollit të epidemisë, organizatorët e ekspozitës do ta vendosin në plan të parë garantimin e sigurisë së shëndetit, duke përforcuar masat përkatëse. Sipas tij, që nga 1 korriku, kur Qendra Kombëtare e Ekspozitave dhe e Konferencave e Shangait ka rinisur funksionimin, janë organizuar me sukses 30 veprimtari, dhe ka pasur mbi 2 milionë vizitorë. Deri tani, të gjitha veprimtaritë janë zhvilluar me sukses dhe nuk është raportuar asnjë rast infektimi. Tani punët përgatitore të edicionit të tretë të ekspozitës po përshpejtohen sipas planit.

"Produktet që do të ekspozohen, janë në transportim e sipër nga ShBA-ja, Italia, Spanja, Gjermania dhe vende të tjera të botës. Pasi zhdoganimit me sukses të kontingjentit të parë të produkteve, një sasi e madhe mallrash po kalojnë tani procedurat doganore për të hyrë në Kinë", shtoi zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë.

 Ekspozita e Tretë Ndërkombëtare e Importit e Kinës do të zhvillohet nga 5 deri më 10 nëntor në Qendrën Kombëtare të Ekspozitave dhe të Konferencave në Shangai. Në edicionin e dytë të zhvilluar vitin e kaluar, u nënshkruan marrëveshje me vlerë prej 71.13 miliardë dollarësh amerikanë për blerje njëvjeçare të produkteve dhe të shërbimeve. Në atë edicion morën pjesë 181 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare dhe mbi 3800 kompani paraqitën produktet dhe shërbimet e tyre.

Ekspozita Ndërkombëtare e Importit e Kinës është e para në botë që i dedikohet vetëm importit.