成功---[chéng gōng]---Sukses
Të mërkurën u organizua konferenca kremtuese e 40-vjetorit të krijimit të Zonës së Posaçme Ekonomike të Shenzhen-it. Lidhur me arritjet e këtij qyteti të provincës Guandong në Kinës Jugore në katër dekadat e fundit, Fabio Massimo Parenti, profesor i asociuar i marrëdhënieve ndërkombëtare në Institutin Ndërkombëtar "Lorenzo de’Medici", vuri në dukje në një shkrim të tij se nga zhvillimi i Shenzhen-it, mund të shihet rruga e suksesit e Kinës. Më poshtë vijon shkrimi i ekspertit italian.
2020-a shënon 40-vjetorin e krijimit të Zonës së Posaçme Ekonomike të Shenzhen-it. Krijimi i zonave të posaçme ekonomike është një ndër politikat më të rëndësishme pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës. Në vitin 1978, Kina nisi zbatimin e politikës së hapjes ekonomike graduale. Zonat e posaçme ekonomike janë jo vetëm vende të përcaktuara për tërheqjen e investimeve të huaja me ulje taksash, por edhe një model zhvillimi i krijuar në bazë të eksperimenteve të pandërprera dhe projekteve origjinale qeverisëse. Ky model u ka sjellë përfitime vetë këtyre zonave dhe krahinave të tjera të vendit.
Çdo projekt ekonomik me përfitim u zbatua hap pas hapi në krahina të tjera të Kinës. Ndërsa kur flitet për zonat e posaçme ekonomike të Kinës, Shenzhen-i është i pari që të vjen ndër mend. Qyteti, gjatë 40 vjetëve, u shndërrua nga një fshat i vogël peshkatarësh në një ndër metropolet më të rëndësishme botërore, dhe është seli e gjigantëve teknologjikë si "Tencent" dhe "Huawei".
Në vitet '80 të shekullit të kaluar, Shenzhen-i, Zhuhai e Shantou të provincës Guangdong dhe Xiamen-i i provincës Fujian u bënë zonat e para të posaçme ekonomike. Më vonë, u përfshi ndër to edhe Hainani. Pas katër dekadash, sipërfaqja e Shenzhen-it është pesëfishuar dhe në të jetojnë gati 14 milionë banorë. Në vijim, qyteti do të përjetojë transformim të mëtejshëm. Arsyeja është e thjeshtë: zonat e posaçme ekonomike u krijuan në fillim për zhvillimin e sektorit të prodhimit, por tani Kina po synon të ardhmen, duke mos tërhequr investime të ndryshme me qëllimin e rritjes ekonomike, por ato që janë në të mirë të zhvillimit teknologjik, të vazhdueshëm dhe të gjelbër.
Metodat e ngjashme të suksesshme, si krijimi i zonave të posaçme ekonomike, pasqyrohen edhe në planet e zhvillimit të rajoneve të tjera të Kinës, si për shembull, Rajoni Ekonomik i Detit Bohai, që mbulon qytetet Pekin e Tianjin dhe provincat Hebei, Liaoning, Shandong etj. Sipërfaqja e këtij rajoni është sa dy herë ajo e Italisë. Një tjetër shembull është Zona e Madhe e Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao, që përfshin nëntë qytete kryesore të provincës Guangdong dhe dy rajonet e posaçme administrative, Hong-Kong dhe Makao. Nëpërmjet këtij plani, Kina po ndërton një variant vendor të "Një brez, një rrugë" në bazë të ndërlidhshmërisë e digjitalizimit, gjë që do të ofrojë më shumë mbështetje për nismën "Një brez, një rrugë" në nivel ndërkontinental.
Sinologu italian Giovanni Arrighi (Xhovani Arigi) është shprehur se nuk janë kapitalet perëndimore që kanë udhëhequr zhvillimin e Kinës në vitet e fundit, por aftësia e Kinës në arsim, shëndetësi e vetëqeverisje, nëpërmjet mobilizimit novator të burimeve njerëzore me cilësi të lartë. Planifikimi i mirë ka luajtur një rol kyç në të gjithë këtë. Në bazë të politikave të tilla, Kina ka hapur dyert për të thithur investimet e kompanive perëndimore, të cilat i tërheq mundësia e madhe që ofron tregu kinez. Një model i tillë i zhvillimit ekonomik solli përfitime që nga fillimi i funksionimit. (Zhang Yan/Artan)