特区---[tèqū]---zonë e posaçme

Në fillim të viteve '80 të shekullit të kaluar, me krijimin e zonave të posaçme ekonomike në katër qytete bregdetare: Shenzhen, Zhuhai, Shantou dhe Xiamen, Kina hapi kapitullin e ri të zhvillimit. Me krijimin e zonave të posaçme ekonomike qeveria kineze synonte tërheqjen e kapitaleve dhe të teknologjive, përgatitjen e talenteve, nxitjen e industrializmit, forcimin e lidhjeve me bashkatdhetarët në Hong-Kong, Makao e Tajvan, si dhe krijimin e një ure për lidhjen e Kinës me botën.

Pas katër dekadave zhvillim, Shenzhen-i është bërë simboli i zbatimit të suksesshëm të politikës së zonave të posaçme ekonomike të Kinës. Këto zona të posaçme kanë konsoliduar rrugën e socializmit me karakteristika kineze dhe janë bërë model i ndryshimit të suksesshëm të mënyrës së zhvillimit ekonomik. Shenzhen-i, që është urbanizuar plotësisht, pasqyron frymën e hapjes të Kinës dhe është kthyer në shembull të zhvillimit dhe novacionit të pandërprerë gjatë 40 vjetëve.

Qysh nga viti 1993, për 27 vjet me radhë, Shenzhen-i ka zënë vendin e parë ndër qytetet e mëdha kineze për vëllimin e eksportit. Sot, ky qytet ka mijëra kompani të teknologjisë së lartë dhe shumë marka kineze me prestigj ndërkombëtar, si BYD në fushën e automjeteve me energji elektrike, "Huawei" dhe ZTE në fushën e telekomunikacionit etj. Shenzhen-i është bërë një nga qendrat kineze të novacionit tekniko-shkencor.

Gjatë inspektimit të tij në Shenzhen më 26 janar 1984, Ten Hsiao Pini shkroi: "Përvoja e zhvillimit të Shenzhen-it vërteton se politika jonë për krijimin e zonave të posaçme ekonomike është drejtë."

Duke u hedhur një vështrim sfidave përpara Kinës në fushat politike, ekonomike e shoqërore gjatë katër dekadave të fundit, mund të vlerësojmë si duhet peshën e sukseseve të arritura. Në fund të viteve '70 e në fillim të viteve '80 të shekullit të kaluar, nën udhëheqjen e Ten Hsiao Pinit, Kina kërkoi rrugën e re për nxitjen e zhvillimit. Udhëheqësi i atëhershëm kinez ishte i ndërgjegjshëm se vetëm zhvillimi i forcave prodhuese dhe shtimi i pasurisë do të përmbushte dëshirën e popullit për një jetë më të bukur. Për realizmin e këtyre objektivave, duheshin kapërcyer në radhë të parë kufizimet psikologjike që pengonin novacionin dhe përparimin. "Çlirimi i ideve" dhe "Kërkimi i të vërtetës nga faktet" ishin drejtimet e kursit ideologjik të paraqitura nga Ten Hsiao Pini për kapërcimin e këtyre kufizimeve, zgjimin e forcës krijuese të njerëzve dhe nxitjen e Reformës e Hapjes.

Për zhvillimin e forcave prodhuese dhe për realizimin e modernizimit industrial, bujqësor, tekniko-shkencor dhe të mbrojtjes kombëtare, Teni ishte i mendimit se duhej të lidhej zhvillimi i Kinës me gjallërinë e ekonomisë botërore dhe të mbroheshin sa më mirë interesat e vendit dhe të popullit. Në këtë drejtim, krijimi i zonave të posaçme ekonomike është një vendim jetik për realizimin e trazicionit të Kinës. Kjo është një praktikë e suksesshme e socializmit me karakteristika kineze nën drejtimin e Partisë Komuniste të Kinës. (Wang Lei/Artan)