贺词---[hè cí]---mesazh urimi

Peng Liyuan, bashkëshortja e presidentit kinez Xi Jinping dhe e dërguara e posaçme e UNESCO-s për nxitjen e arsimit të vajzave dhe të grave, dërgoi të hënën një videomesazh urimi me rastin e organizimit të edicionit të 5-të të Çmimit të Arsimimit të Vajzave dhe të Grave të UNESCO-s.

Peng Liyuan-i u shprehu urime të përzemërta fitueseve nga Sri-Lanka dhe Kenia. Ajo tha se gjatë pesë vjetëve pasi Kina dhe UNESCO-ja krijuan bashkërisht Çmimin e Arsimimit të Vajzave dhe të Grave, fitueset kanë ndihmuar me veprime konkrete vajzat dhe gratë në zotërimin e njohurive e në përgatitjen profesionale, kanë ndezur shpresat e tyre dhe kanë dhënë kontribut për nxitjen e barazisë gjinore në arsimim e zhvillimin shoqëror. Edhe në Kinë, qindra mijë veta po punojnë me zell për arsimimin e vajzave dhe të grave. Një mësuese me emrin Zhang Guimei ka punuar në zonat e varfra rurale të Kinës Jugperëndimore për mbi 40 vjet me radhë dhe ka nxitur krijimin e së parës shkollë të mesme për vajza falas. Qysh nga viti 2008 kur u krijua, mbi 1 600 vajza nga kjo shkollë janë pranuar në shkollat e larta. Vajzat e shkollës e quajnë përzemërsisht mësuese Zhang-un "Nëna Zhang". Si rreze dielli, mësuesja Zhang ndriçon të ardhmen e tyre.

Znj. Peng Liyuan tha më tej se, si pasojë e pandemisë së COVID-19 këtë vit, 1.5 miliardë nxënës dhe studentë në mbarë globin u detyruan të ndërprisnin shkollën. Ndikimet negative kanë goditur veçanërisht vajzat. Ajo bëri thirrje për përpjekje për t'i ndihmuar vajzat të kthehen në shkollë dhe të mos e ndërpresin arsimimin për shkak të epidemisë.

Në videomesazhin e saj, Zonja e Parë e Kinës theksoi se 63 % e analfabetëve të rritur në mbarë botën janë femra dhe nëse ato nuk marrin arsimin e duhur, shoqëria njerëzore nuk mund të përparojë. Arsimimi i vajzave dhe i grave ka rëndësi të madhe dhe do të sjellë përfitime në perspektivë afatgjatë. "Bëj thirrje që sa më shumë vende e personalitete të përkrahin dhe të marrin pjesë aktivisht në këtë kauzë", tha ajo.

Njëkohësisht, znj. Peng premtoi se Kina do të vazhdojë të bashkërendohet me UNESCO-n për fazën e dytë të Çmimit të Arsimimit të Vajzave dhe të Grave nga viti 2021 deri më 2025-n, që të japë kontribut më të madh për nxitjen e shkëmbimeve e bashkëpunimit ndërkombëtar në arsim, për nxitjen e arsimimit të vajzave e grave dhe për realizimin e Objektivave të OKB-së për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030. "Le të përpiqemi së bashku që t'i ndihmojmë vajzat e gratë të gëzojnë arsim të barabartë e cilësor dhe të përqafojnë një të ardhme më të bukur!" shtoi ajo.

Sekretarja e Përgjithshme e UNESCO-s Audrey Azoulay vlerësoi lart dhe e falënderoi qeverinë kineze për përkrahjen ndaj krijimit të Çmimit të Arsimimit të Vajzave e Grave dhe për kontributin që jep në nxitjen e barazisë gjinore në arsim. Ajo tha se UNESCO-ja është e gatshme të përpiqet bashkërisht me palët e ndryshme për të nxitur rastet e barabarta të arsimimit të vajzave e grave në mbarë globin dhe për një të ardhme të ndritur të tyre.

Çmimi i Arsimimit të Vajzave dhe Grave i UNESCO-s synon të nderojë organizatat e individët që japin ndihmesë të spikatur në këtë drejtim dhe të inkurajojë më shumë njerëz t'i përkushtohen çështjes së barazisë gjinore në arsim. (Wang Lei)