数字化---[shù zì huà]---Digjitalizim

Vitet e fundit, ekonomia digjitale e Kinës është rritur me shpejtësi dhe industria digjitale është zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme. Ndërsa siguron pika të reja rritjeje për ekonominë kombëtare, kjo gjithashtu krijon perspektiva të gjera për bashkëpunimin e Kinës dhe Italisë në fushën e ekonomisë digjitale. Në këtë drejtim, disa studiues dhe sipërmarrës italianë besojnë se përvoja e Kinës në zhvillimin e ekonomisë digjitale ia vlen të mësohet, dhe se industria digjitale kineze ofron mundësi të mira për kompanitë italiane.

Sot ekonomia digjitale kineze po zhvillohet nga fusha e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në integrimin e thellë ekonomik e shoqëror. Ndërtimi i infrastrukturës së re, me ndërtimin e stacioneve bazë 5G, qendrave të të dhënave të mëdha, internetit industrial, inteligjencës artificiale dhe fushave të tjera si përmbajtje kryesore, është bërë vendimi strategjik i Kinës për të stabilizuar investimet, për të promovuar konsumin, për të rritur punësimin dhe madje për të realizuar modernizimin e qeverisjes kombëtare në epokën pasepidemike. Michele Geraci (Mikele Geraçi), ish-zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik i Italisë dhe profesor i Financave në Universitetin e Nottingham-it në Ningbo, beson se Kina ka një bazë të mirë për përshpejtimin e ndërtimit të infrastrukturës së re dhe ka arritur një zhvillim me cilësi të lartë të ekonomisë digjitale përmes një tregu të madh të konsumit:

"Shoh se ndërtimi (i ri) i infrastrukturës ka siguruar mbështetje për rritjen e shpejtë dhe zhvillimin e ekonomisë (kineze), dhe gjithashtu ka sjellë përfitime për pothuajse të gjithë. Kam parë ndryshime rrënjësore në 10 vjetët e fundit, nga teknologjia e internetit e telefonat inteligjentë deri te pagesat elektronike, trenat me shpejtësi të lartë, harduerët e softuerët dhe idetë inovative. Për shkak të grupeve të mëdha të konsumatorëve, dalëngadalë po sigurohen fitime me kosto të ulët dhe po zëvendësohet sasia me cilësinë."

"Digital Green" është një kompani italiane e teknologjisë së internetit. Biznesi kryesor i saj është zhvillimi i softuerëve të menaxhimit të mbjelljeve dhe platformave të tregtisë elektronike për fermerët e vegjël që mbjellin fidanë dhe lule të veçanta mesdhetare në Itali, Spanjë, Greqi dhe vende të tjera. Kompania synon të zgjidhë problemin e mospërputhjes ofertë-kërkesë ndërmjet fermerëve që janë të shpërndarë, dhe tregtarëve të shitjes me shumicë nëpërmjet kanaleve tradicionale. Për paraqitjen e projektit, zgjerimin e tregjeve dhe gjetjen e partnerëve, themeluesi i kompanisë Vincenzo Fracassi (Vinçenco Frakasi) ka udhëtuar në Kinë shumë herë gjatë viteve të fundit. Ai tha se, për projektin e tyre inovativ, qoftë për nga madhësia e tregut apo zinxhiri i furnizimit, Kina është zgjedhja më e mirë:

"Ka disa arsye pse synojmë tregun kinez: një prej tyre është tregu. Statistikat nga Italia tregojnë se importet bujqësore dhe ushqimore nga ana e Kinës janë rritur me shpejtësi vitet e fundit. Qeveria kineze ka paraqitur një varg politikash të mbështetjes së industrisë vendëse dhe ndërkombëtare. Pastaj, softuerët tanë duhet të jenë të pajisur me disa harduerë, si për shembull, sensorë dhe mikroçipa të integruar. Për prodhimin e tyre ne kemi nevojë për partnerët kinezë. Tregu evropian nuk mund të ofrojë zgjidhje për sa i përket kostos dhe performancës".

Zhvillimi i fuqishëm i ekonomisë digjitale në epokën e informacionit është një zgjedhje e zakonshme për të gjitha vendet e botës që kërkojnë të gjejnë pika të reja të rritjes ekonomike. Përvoja që ka fituar Kina në zhvillimin e ekonomisë digjitale po luan gjithashtu një efekt demonstrimi. Në korrik të këtij viti, Italia miratoi "Aktin e rilindjes", duke propozuar forcimin e zhvillimit digjital për menaxhimin publik dhe për të promovuar inovacionin dhe sipërmarrjen në fushat përkatëse, duke përmirësuar aftësitë e qeverisjes digjitale. (Vera/Artan)